Kërko

2025.09.21 Santa Messa - Parrocchia Santâ  Anna in Vaticano

Leoni XIV: qeveritë nuk duhet ta shdërrojnë pasurinë në armë, që shkatërrojnë popujt

Në meshën që kryesoi sot, më 21 shtator, në famullinë e Shën Anës, në Vatikan, Papa theksoi se paratë nuk duhet të përdoren kundër njerëzimit, por për të mirën e përbashkët. Inkurajoi të "ecim me shpresë në një kohë të kërcënuar seriozisht nga lufta", të karakterizuar nga drama e popujve të tërë, që "sot shtypen nga dhuna dhe, akoma më shumë, nga indiferenca e paturpshme". Ndërmjet bashkëkremtuesve, augustiniani Gioele Schiavella, ish-famullitar, që sapo mbushi 103 vjeç

R.SH. – Vatikan

Nga famullia e Shën Anës, në kufi ndërmjet Vatikanit dhe Romës, Papa Leoni XIV bëri thirrje të mos i nënshtrohemi mendësisë së kësaj kohe “të kërcënuar seriozisht nga lufta”. Fjalët e tij në homelinë e meshës së kremtuar sot, më 21 shtator, në kishën e vogël, për të cilën kujdesen sivëllezërit e tij augustinianë, nxisin për t’u bërë dëshmitarë të bamirësisë dhe të paqes, për të shpallur, pikërisht para tragjedive të sotme, “me fjalë dhe vepra, se Jezusi është Shpëtimtari i botës, Ai që na liron nga çdo e keqe”.

Një festë intime, familjare, e ngrohur nga prania e Atë Gioele Schiavella, një frat augustinian që sapo mbushi 103 vjeç, për të cilin Papa e falënderoi Zotin në fillim të homelisë. Ka qenë famullitar i Shën Anës nga viti 1991 deri në vitin 2006 e tani jeton atje. Fytyra e tij e qeshur dhe e butë ishte prani e këndshme në liturgjinë, që vijoi me një mendim të vazhdueshëm për viktimat e konflikteve, të cilat po e shkatërrojnë botën. Kremtimi i Eukaristisë të së dielës në këtë kapelë, ku mblidhet një grup i vogël besimtarësh, por ku mund të hyjnë edhe turistë nga jashtë Vatikanit, shërbeu për të tërhequr vëmendjen drejt kishës, së cilës i kalojnë pranë shumë shtegtarë, në radhë për të hyrë në Portën Shenjte jubilare të bazilikës së Shën Pjetrit. Një vend i hapur për lutje, dëgjim dhe bamirësi. E këtu, Papa takoi, përveç famullitarit, atë Mario Millardi, edhe Eprorin e përgjithshëm të Urdhrit, atë Joseph Farrell, zgjedhur më 9 shtator.

  (@Vatican Media)

Ku duam ta vendosim zemrën, kujt duam t’i shërbejmë?

Jetët tona duhet të orientohen nga e mira e përbashkët, nënvizoi Papa, e jo nga etja për pasuri a pushtet. Duke komentuar fragmentin ungjillor marrë nga Shën Luka, në të cilin, siç theksoi Ipeshkvi i Romës, “Jezusi vë qartas ballë për ballë Zotin e pasurinë”, Leoni XIV këshilloi të ndjekim gjurmët e tij e “të mbajmë një qëndrim të qartë dhe koherent”.

“Kjo nuk është zgjedhje e kushtëzuar, si shumë të tjera, as ndonjë opcion, që mund të rishikohet me kalimin e kohës, sipas situatës. Duhet të marrim vendim për stilin e jetesës. Bëhet fjalë për vendin ku e vëmë zemrën, për ta bërë të qartë kë duam sinqerisht, kujt i shërbejmë me përkushtim dhe cila është vërtet e mira jonë”.

  (@Vatican Media)

Vetëm paraja nuk shpëton; ajo krijon rivalitet dhe mosbesim

Papa Leoni XIV vuri në dukje rrezikun që etja për pasuri të zëvendësojë Zotin në zemrat tona. Nuk është paraja që shpëton, theksoi ai, është Ati i mirë, që e ngre dhe e larton të varfrin, që kujdeset për nevojtarët, si dhe për ata që, pavarësisht nga mundësitë e tyre ekonomike, vuajnë nga mjerimi shpirtëror e moral.

“Tundimi është ky: të mendojmë se pa Zotin mund të jetojmë mirë gjithsesi, ndërsa pa pasuri do të ishim të trishtuar dhe të munduar nga një mijë nevoja. Para sprovës së nevojës, ndihemi të kërcënuar, por në vend që të kërkojmë ndihmë me besim dhe të ndajmë si vëllezër, bëjmë llogari, grumbullojmë, duke i parë me dyshim dhe mosbesim të tjerët. Këto mendime e shndërrojnë fqinjin në konkurrent, rival, ose në dikë nga i cili mund të përfitojmë”.

Papa me atë Gioelle Schiavella
Papa me atë Gioelle Schiavella   (@Vatican Media)

Politikanët të mos e përdorin pasurinë kundër njerëzimit

Jepni, mos vidhni; planifikoni një shoqëri më të mirë, mos kërkoni pazarllëqe me çmimin më të ulët. Këto janë fjalë të qarta të Papës, të cilat orientojnë drejt një stili jetese, që i vendos përparësitë në rendin e duhur. "Fjala e Zotit, në fakt, nuk i vë njerëzit kundër njëri-tjetrit, në klasa rivale", theksoi Ati i Shenjtë, "përkundrazi, i nxit të gjithë drejt një revolucioni të brendshëm, drejt një kthese, që fillon në zemër".

“Sot, në veçanti, Kisha lutet që udhëheqësit e kombeve të lirohen nga tundimi për ta përdorur pasurinë kundër njerëzimit, duke e shndërruar atë në armë, që shkatërrojnë popujt dhe në monopole, që poshtërojnë punëtorët. Ata që i shërbejnë Zotit bëhen të lirë nga pasuria, por ata që i shërbejnë pasurisë mbeten skllevër të saj! Kush kërkon drejtësi, e shndërron pasurinë në të mirë të përbashkët; kush kërkon dominim, e shndërron të mirën e përbashkët në pre të lakmisë së vet”.

  (@Vatican Media)

Popuj të tërë kërcënohen nga dhuna, që i çon në mjerim

Leoni XIV kujtoi shkrimet e Shën Augustinit, i cili na inkurajon ta imitojmë me zell Krishtin, jo duke u lidhur pas të mirave materiale, që, siç shpjegoi më tej Pasardhësi i Shën Pjetrit, e prishin zemrën dhe e kompromentojnë të ardhmen.

“Ju inkurajoj – përfundoi Papa - të ecni me shpresë në këtë kohë të kërcënuar seriozisht nga lufta. Popuj të tërë, sot, shtypen nga dhuna dhe, akoma më shumë, nga indiferenca e paturpshme, e cila i braktis në mjerim. Përballë këtyre tragjedive, nuk duam të nënshtrohemi, por të shpallim, me fjalë dhe vepra, se Jezusi është Shpëtimtari i botës, Ai që na çliron nga çdo e keqe”.

21 shtator 2025, 11:31