Kërko

Il Papa, Terra Santa dilaniata da odio e violenza

Papa pret presidentin gjerman: "Leoni XIV, ndërmjetësues i rëndësishëm në konflikte"

Presidenti federal gjerman Frank-Walter Steinmeier u prit sot nga Papa Leoni XIV në një audiencë private, pra, me dyer të mbyllura. Ndër temat e diskutuara, konfliktet e ndryshme në botë, numri në rënie i katolikëve në Gjermani dhe mbështetja e qeverisë gjermane për projektet humanitare ndërkombëtare, siç njoftoi vetë Steinmeier në deklaratën e tij të mëpasme për shtyp

R.SH. – Vatikan

Papa Leo XIV dhe Vatikani mund të jenë "ndërmjetësues të rëndësishëm në krizat ndërkombëtare". Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier e deklaroi këtë pas audiencës së sotme private me Papën Leoni XIV në Vatikan, duke pasur parasysh konfliktin ruso-ukrainas. "Pak fuqi të tjera në botë kanë një ndikim të tillë mbi palët në konflikt. Nuk mund të bëjmë pa ndihmën e Papës dhe Vatikanit. Besoj se nuk duhet të kemi asnjë dyshim se Ati i Shenjtë është gati të luajë rolin e tij, por është dakord me analizën, sipas së cilës, deri në këtë çast, nuk ka ekzistuar vullneti për dialog nga ana ruse”.

Papa Leoni XIV e priti presidentin e Federatës Gjermane në bibliotekën private papnore sot paradite (22 shtator 2025), duke folur kryesisht mbi çështjen e paqes.

Roli i rëndësishëm i Papës dhe i Vatikanit

"Kemi shqetësimin e përbashkët për luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës, për vdekjet e shumta e, sidomos për mungesën e gatishmërisë nga pala ruse për të ndërmarrë hapa, për të treguar të paktën gatishmërinë për të ecur drejt armëpushimit. Ajo që na duhet është një paqe e drejtë. E jemi shumë larg prej saj", theksoi Steinmeier para gazetarëve, pas takimit në Vatikan.

Sipas presidentit gjerman, kreu i Kishës Katolike shprehu gatishmërinë e tij për të vepruar si ndërmjetës në luftën në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme: "Në këtë drejtim, folëm gjerësisht rreth pasojave të këtij agresioni, veçanërisht për vuajtjet e popullit ukrainas", deklaroi Steinmeier.

Lidhur me luftën në Gaza, ai kujtoi se Leoni XIV priti presidentin izraelit Isaac Herzog në Vatikan, në fillim të shtatorit: "...dhe i tha se e kishte informuar edhe presidentin Izraelit për shqetësimin e tij lidhur me situatën humanitare në Gaza, duke i bërë thirrje të kërkonte dhe të zbatonte mënyra për ta përmirësuar ndjeshëm situatën humanitare dhe për të parandaluar urinë".

Leoni XIV i ftuar në Gjermani, ku numri i katolikëve është në rënie

Lidhur me Gjermaninë, Steinmeier nënvizoi dëshirën për një Kishë aktive, që luan “një rol pozitiv në kohezionin e shoqërisë". Ai e foti Atin e Shenjtë në Gjermani, ku aktualisht, numri i katolikëve është në rënie. "Kjo nuk duhet të shqetësojë vetëm Papën dhe Vatikanin. Edhe ne duhet të mendojmë për këtë", shtoi Steinmeier. Njëra nga arsyet janë abuzimet në Kishë, por arsye të tjera janë sidomos shtimi i shekullarizimit dhe i alternativave fetare.

Steinmeier nënvizoi se foli me Papën edhe për solidaritetin ndërkombëtar, në një kohë kur disa shtete po tërheqin mbështetjen e tyre për organizatat e ndryshme të OKB-së. Së fundi, shkëmbimi i dhuratave.

Takimi me Leonin XIV në Pallatin Apostolik ishte vizita e parë e kortezisë e presidentit të Federatës Gjermane te Papa, i cili u zgjodh më 8 maj. Të hënën pasdite, Steinmeier vizitoi edhe bashkësinë e Shën Egjidit.

22 shtator 2025, 15:24