Papa: "Të ruhen zërat dhe fytyrat njerëzore", tema për Ditën Botërore të Komunikimit
R.SH. – Vatikan
"Të ruhen zërat e fytyrat njerëzore". Kjo është tema e zgjedhur nga Papa për Ditën e 60-të Botërore të Komunikimit, në një botë, që ka nevojë për “alfabetizimin mediatik" para teknologjive si Inteligjenca Artificiale, shpjegon Dikasteri vatikanas për Komunikimin në një deklaratë të publikuar sot, më 29 shtator. Vitin e ardhshëm, kjo Ditë do të kremtohet në shumë vende më 17 maj 2026, në Solemnitetin e Ngjitjes së Krishtit në Qiell.
"Si katolikë, mund dhe duhet të kontribuojmë për t’u siguruar që njerëzit - veçanërisht të rinjtë - të fitojnë aftësinë e mendimit kritik dhe të rriten në lirinë e shpirtit", shpjegon teksti. "Është gjithnjë e më urgjente të hyjë në sistemet edukative" një program alfabetizimi për tekonologjitë e reja, sidomos përsa i përket Inteligjencës Artificiale. Programi njihet me akronimin MAIL (Media and Artificial Intelligence Literacy – Media dhe Alfabetizimi për Inteligjencën Artificiale). Në "ekosistemet e sotme të komunikimit, teknologjia ndikon në marrëdhënie, në mënyra të panjohura më parë", por "e ardhmja e komunikimit", thuhet në deklaratë, "duhet të sigurohet që makinat të jenë mjete në shërbim dhe në lidhje të jetës njerëzore, dhe jo forca që e shuajnë zërin njerëzor".
Njeriu duhet t’i komandojë makinat
Me Inteligjencën Artificiale, "na jepen mundësi të mëdha", por shfaqen edhe "rreziqe", vazhdon teksti. Sot, "njerëzimi" ka "mundësi të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë", siç është përdorimi i IA-së për të hartuar "tekste dhe biseda të tëra", ose për algoritme "që zgjedhin përmbajtjen e lajmeve". "Edhe pse këto mjete janë të frytshme dhe mund të përdoren gjerësisht, ato nuk mund të zëvendësojnë aftësitë unike njerëzore të ndjeshmërisë, etikës dhe përgjegjësisë morale", thekson Dikasteri për Komunikimin. "Komunikimi publik kërkon gjykim njerëzor, jo vetëm skema informacionesh", dhe duhet të sigurohemi që njeriu të vazhdojë t’i komandojë makinat.
Në tekst vihen në dukje disa rreziqe si informacioni i krijuar me Inteligjencën Artificiale, i cili mund të jetë "tërheqës, por mashtrues, manipulues dhe i dëmshëm", ose mund të shumëfishojë "paragjykimet dhe stereotipet e pranishme në informacionin e formimit” të vetë IA-së, madje, edhe të amplifikojë "çinformimin, duke simuluar zëra dhe fytyra njerëzore". Më tej, theksohet se këto teknologji mund të "cënojnë privatësinë dhe intimitetin e njerëzve, pa pëlqimin e tyre", ose të krijojnë "varësi të tepërt", që e "dobëson mendimin kritik dhe aftësitë krijuese". Dikasteri për Komunikimin vëren gjithashtu se "kontrolli monopolist i këtyre sistemeve ngre shqetësime lidhur me centralizimin e pushtetit dhe pabarazitë".
Një Papë i vëmendshëm ndaj këtyre çështjeve
Papa Leoni XIV e ka vënë vazhdimisht në dukje rëndësinë, që i kushton Kisha përgjigjeve ndaj sfidave të Inteligjencës Artificiale dhe zhvillimit të teknologjive të reja. Në takimin e tij me kardinajtë, disa ditë pas zgjedhjes së tij më 8 maj, ai shpjegoi se zgjedhja e emrit të tij papnor u frymëzua nga Leoni XIII, i cili "me Enciklikën historike ‘Rerum Novarum’, trajtoi çështjen sociale në kontekstin e revolucionit të parë të madh industrial".
"Sot, Kisha u ofron të gjithëve trashëgiminë e saj të doktrinës sociale për t'iu përgjigjur një revolucioni tjetër industrial dhe zhvillimeve të Inteligjencës Artificiale, që paraqet sfida të reja për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe punës". Në një mesazh të 17 qershorit drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën II Vjetore mbi Inteligjencën Artificiale, Etikën dhe Mbarështimin e Ndërmarrjeve, Ati i Shenjtë theksoi se "përfitimet dhe rreziqet e Inteligjencës Artificiale duhet të vlerësohen saktësisht sipas" kriterit "më të lartë etik" të "ruajtjes së dinjitetit të paprekshëm të çdo njeriu dhe të respektimit të pasurisë dhe larmisë kulturore e shpirtërore të popujve të botës".
