Papa pret në audiencë princin trashëgimtar e kryeministrin e Bahreinit
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV priti sot paradite në audiencë, në Pallatin Apostolik në Vatikan, Princin trashëgimtar dhe Kryeministrin e Mbretërisë së Bahreinit, Lartësinë e Tij Mbretërore Princin Salman bin Hamad Al Khalifa, i cili më pas u takua me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga Shkëlqesia e Tij Imzot Mirosław Stanisław Wachowski.
Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit u vlerësuan marrëdhëniet e mira dypalëshe, duke rënë dakord për vullnetin për t'i forcuar ato më tej.
Më pas u fol për politikën e Mbretërisë së Bahreinit për promovimin e dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve të ndryshme në Mbretëri. Gjithashtu, u prekën edhe disa tema me interes të përbashkët si nevoja urgjente për t'i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme dhe angazhimi për paqen ndërmjet kombeve.
