Leoni XIV uron kryerabinin e Romës për festat hebraike
R.SH. / Vatikan
“Zoti në mëshirën e tij të pafundme, na dhuroftë paqen dhe vullnetin e palodhur për ta promovuar atë gjithmonë”. Ky është urimi i Papës, i cili në një telegram i drejtohet Kryerabinit të Romës, Riccardo di Segni. Rasti është afrimi i festave të Rosh Ha-Shanah, Yom Kippur dhe Sukkot.
“Dua të shpreh – shkruan Papa – urimet e mia më të përzemërta për ju dhe të gjithë komunitetin hebraik të Romës”. Leoni XIV kujton më pas praninë e Rabinit Di Segni në Meshën e fillimit të shërbimit pjetrin, më 18 maj 2025. “I Tejetlarti, Hyji i Përjetshëm, në mirësinë e tij të pamasë – thekson Ati i Shenjtë – qoftë pranë komunitetit tuaj dhe i shoqëroftë të gjitha përpjekjet tona për të thelluar miqësinë ndërmjet nesh, në qytetin e Romës dhe në botë”.
Rosh Ha-Shanah është viti i ri fetar, një nga tre të parashikuar në kalendarin hebraik; në Yom Kippur kujtohet dita e shlyerjes së fajit, dhe festa e Sukkot që njihet gjithashtu edhe si Festa e Tëbanave, "Festa e Tabernakujve" . Festa e Rosh Hashanah ose Viti i Ri hebraik për vitin hebre 5786 (2025-2026) do të festohet të martën më 23 dhe të mërkurën më 24 shtator. Yom Kippur bie të enjten më 2 tetor 2025 (festa fillon natën e së mërkurës më 1 tetor).
Rosh Ha-Shannah
Rosh Ha-Shannah është Viti i ri fetar, një nga tre të parashikuarit nga kalendari hebraik. Në Torah flitet për të si “dita e rënies së Shofarit”. Letërsia rabinike e përshkruan si “Dita e gjykimit”, ose “Dita kujtimit”. Tregohet se Zoti ulet në fronin e tij, duke mbajtur përpara të gjitha librat, që përfshijnë historinë e njerëzimit (jo vetëm atë të popullit hebraik). Çdo njeri shqyrtohet për të vendosur nëse meriton faljen apo jo.
Yom Kippur
Është dita hebraike e pendesës, konsideruar si më e shenjta dhe solemne e vitit. Tema qendrore është shlyerja e mëkateve dhe pajtimi. Fillon në mbrëmje e përfundon në perëndimin e ditës së nesërme, kur duken yjet e para, pra, zgjat 25 ose 26 orë. Riti i Yom Kippur-it përmendet katër herë në Torah (Dalja 30,10, Levitiku 23,27-31 dhe 25,9; Numrat 29,7-11). Gjatë agjërimit, nuk lejohet as të hahet as të pihet, e vlejnë të njëjtat rregulla si për të shtunën hebraike. Yom Kippur-i plotëson periudhën 10-ditore të pendesës, që fillon me Rosh Ha-Shannah.
Sukkot
Festa e Sukkot-it kujton jetën e popullit të Izraelit në shkretëtirë gjatë udhëtimit drejt Tokës së premtuar, tokës së Izraelit. Gjatë shtegtimit, hebrenjtë jetonin në tëbana apo tenda (sukot).
