Investimet financiare të Selisë së Shenjtë: përgjegjësi e përbashkët ndërmjet APSA-s dhe IOR-it
R.SH. – Vatikan
U publikua sot, 6 tetor, Motu Proprio i Papës Leoni XIV “Coniuncta Cura” mbi investimet financiare të Selisë së Shenjtë. Në të, vendoset "bashkëpërgjegjësia" e APSA-s (Administrata e Tashëgimisë së Selisë Apostolike) dhe e IOR-it (Instituti për Veprat Fetare, i njohur edhe me emrin e pasaktë “banka e Vatikanit”) në administrimin e investimeve financiare, gjë që nuk është më ekskluzivitet i IOR-it.
"Bashkëpërgjegjësia in communio", thuhet në Motu Proprio-n e publikuar sot, "është një nga parimet për shërbimin e Kuries Romake, siç deshi Papa Françesku dhe siç përcaktohet në Kushtetutën Apostolike ‘Praedicate Evangelium’, të datës 19 mars 2022. Kjo përgjegjësi e përbashkët, e cila ka të bëjë edhe me institucionet kuriale përgjegjëse për investimet financiare të Selisë së Shenjtë, kërkon që të konsolidohen dispozitat e lindura me kalimin e kohës dhe të përcaktohen qartë rolet dhe kompetencat e çdo institucioni, duke bërë të mundur konvergjencën e të gjithëve në një dinamikë bashkëpunimi të ndërsjellë".
Duke pasur parasysh këto arsye, "pasi i vlerësoi me kujdes rekomandimet e miratuara unanimisht nga Këshilli për Ekonominë dhe u këshillua me ekspertë në këtë çështje", Papa, me Letrën Apostolike në formën e Motu Proprio-s, i miraton plotësisht rekomandimet dhe vendos që "Rescriptum-i i titulluar 'Udhëzim mbi administrimin dhe menaxhimin e aktiviteteve financiare dhe të likuiditetit të Selisë së Shenjtë e të Institucioneve të lidhura me Selinë e Shenjtë'", i 23 gushtit 2022, të shfuqizohet".
"Veprimtaritë e investimeve financiare të Selisë së Shenjtë… duhet të jenë në përputhje me dispozitat e përcaktuara nga Komiteti i Investimeve she të respektojnë Politikën e miratuar të Investimeve. Në përcaktimin e veprimtarive të investimeve financiare të Selisë së Shenjtë – shkruhet më tej në dokument - Administrata e Trashëgimisë së Selisë Apostolike (APSA), në përgjithësi, përdor efektivisht strukturën e brendshme organizative të Institutit për Veprat e Fesë, përveç rastit kur organet kompetente, siç përcaktohet nga statutet e Komitetit për Investimet, e konsiderojnë më të frytshme, ose më të përshtatshme, të përdorin ndërmjetës financiarë të vendosur në shtete të tjera". Më parë, çdo institucion i Selisë së Shenjtë, ose i lidhur me të, duhej të informonte IOR-in për çdo veprimtari financiare dhe duhej t’i transferonte ato sa më shpejt në këtë Institut.
