Kërko

2025.10.25 Veglia di Preghiera Mariana

Kardinali Grech: në Marinë, guximi për të "luftuar" me Zotin e për të bërë vullnetin e Tij

Kardinali sekretar i përgjithshëm i Sinodit kryesoi, në Sheshin e Shën Pjetrit, vigjiljen për Jubileun e ekipeve dhe organeve pjesëmarrëse. Në homeli kujtoi aspektin më "aktual e më rinor" të Virgjërës Mari: bisedën e saj aktive me Zotin, duke shprehur "kundërshtime" dhe "dyshime" për të kuptuar vullnetin përfundimtar të Atij të Lumit.

R.SH. / Vatikan

Guximi për të "luftuar" me Zotin, duke shprehur "kundërshtime" dhe "dyshime", jo për ta kundërshtuar, por për ta kuptuar, në kohë "të vështira" dhe situata "sfiduese", vullnetin e Tij dhe për ta zbatuar pastaj me guxim e pa frikë. Ky është aspekti më "aktual e më rinor" i Virgjërës Mari, që Kardinali Mario Grech, Sekretar i Sekretarisë së Përgjithshme  të Sinodit, e vendosi në qendër të vigjiljes, që e kryesoi më 25 tetor, në Sheshin e Shën Pjetrit, si pjesë e Jubileut kushtuar ekipeve të sinodit dhe organeve pjesëmarrëse.

Ndërmjet të kaluarës, të tashmes dhe të së ardhmes

"Çka do të thotë ta jetosh Vitin Shenjt?" - nga kjo pyetje Kardinai Grech  e mori shtytjen e homelisë së tij, duke e gjetur përgjigjen në zbulimin e një kohe në të cilën “të rifitosh zotërimin" e asaj që është më "autentike dhe më e thellë" brenda secilit prej nesh. Një udhëtim, që shikon nga e kaluara, nga "rrënjët e asaj që është Kishë" dhe thirrjen e saj, por që në të njëjtën kohë hapet drejt së ardhmes, me "shpresë të ripërtërirë" për një bashkësi "në mision". Viti i Shenjtë, shpjegoi ai, është kohë për të shikuar në të sotmen "dinamizmin ungjillor" aktual, që i shmang format e "tërheqjes", për t’i hapur "rrugët e botës", duke nxitur "kulturën e takimit".

Sinodaliteti, përmasë e thellë e Kishës

Stili sinodal, sipas Kardinalit Grech, është pikërisht aspekti më "autentik e më i thellë" i Kishës. Megjithatë, rimarrja e tij nuk është arritje njerëzore, por "dhuratë nga Zoti": derë e hapur nga vetë Zoti, "që ne mund të kapërcejmë për t'u kthyer në shtëpinë tonë". Në këtë kërkim, Maria është udhërrëfyesi ynë pasi, siç thuhet në Dokumentin Përfundimtar të Sinodit të fundit, ajo përfaqëson realizimin e plotë të tipareve të një Kishe "sinodale, misionare dhe të mëshirshme". Fragmenti i Lajmërimit, i shpallur gjatë vigjiljes, e paraqet Virgjërën si figurën e një bashkësie kishtare që "dëgjon, lutet, mediton, dialogon, shoqëron, dallon, vendos dhe vepron".

Të dëgjosh, për ta bërë shkretëtirën të lulëzojë

Maria, para së gjithash, dëgjon Zotin, duke parë "shtigje të pashkelura" që hapen para saj që e bëjnë shkretëtirën të lulëzojë. Ajo lutet - e "sa shumë kemi nevojë të kthehemi në lutjen autentike"- theksoi Kardinali. Pastaj ajo mediton dhe dialogon, duke reflektuar në zemrën e saj mbi ngjarjet e jetës, duke dalluar vullnetin e Zotit dhe duke e vënë atë në praktikë. Maria dialogon, e jo si një bashkëbiseduese "pasive": siç rrëfen Lajmërimi, ajo nuk ka frikë të ballafaqohet me Zotin, të flasë për dyshimet e saj, të zbatojë vullnetin e tij me "guxim e vendosmëri".

Duke iu përgjigjur nevojave të të varfërve

Virgjëra Mari pasqyron vetë Kishën, që vepron, përmes - siç thotë më tej Dokumenti Përfundimtar të Sinodit - "aftësisë për të njohur nevojat e të varfërve, guximit për të nisur një udhëtim, dashurisë që ndihmon, këngës së lavdërimit dhe ngazëllimit në Shpirt". Kardinali kujtoi se si Shën Pali VI, në Nxitjen Apostolike Marialis Cultus, e pa veprimin e Kishës si "zgjerim të kujdesit të Marisë". Një shembull kuptimplotë është gatishmëria e saj për t'i ardhur në ndihmë kushërirës, Elizabetës. Ndaj niset për në malet e Judesë: gjest që e bën imituese të Zotit i cili - siç shkroi Papa Leoni XIV në Nxitjen Apostolike Dilexi te - "gjithmonë tregohet i kujdesshëm për nevojat e të varfërve: 'E thirrën Zotin dhe bëri të ngrihej për ta një Shpëtimtar'".

Në shkollën e Marisë

Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve nxiti më pas për të ndjekur shembullin e Marisë, e cila - siç pohon Kushtetuta Dogmatike mbi Kishën Lumen Gentium - është "shëmbëlltyra” dhe fillimi" i bashkësisë kishtare, në mënyrë që "zgjimi" i saj në shpirtra të mund të vazhdojë, duke e bërë "sinodale dhe misionare". Arritja e kësaj, në fund të fundit, do të thotë "t'i ofrosh një shtëpi dhe një zë çdo thirrjeje", pasi secila është dhuratë për bashkësinë dhe element themelor në krijimin e një "instrumenti kishtar të gjallë, të hapur dhe gjenerues".

Ritet e Vigjiljes

Vigjilja filloi me Litaninë e Virgjërës së Lume Mari, e ndjekur nga një thirrje e Kardinalit, i cili u lut që Kisha të mos ketë frikë, por të besojë "në nismën e Zotit, nga e cila gjithmonë lind një histori të re". Leximi i Parë u mor nga Libri i Isaisë Profet. Pas homelisë vijoi një Homazh për Nënën e Zotit, e ndjekur nga Lutja e Besimtarëve.

Ati Ynë dhe lutja përmbyllëse e përfunduan vigjiljen.

26 tetor 2025, 12:27