Leoni XIV: si Krishti, t’i themi “jo” hakmarrjes e të dhurojmë mëshirën
R.SH. – Vatikan
Ftesë për të zbuluar se në dështimet, në plagët dhe zhgënjimet tona më të mëdha, mund të gjejmë dashurinë e Krishtit, që e shndërron të kaluarën. Këtë bëri Papa Leoni XIV në audiencën e sotme të përgjithshme (1 tetor), në Sheshin e Shën Pjetrit, duke shpjeguar se pikërisht dashuria e Krishtit është "forca që i dha jetë bashkësisë së krishterë: burra dhe gra, që zbuluan bukurinë e kthimit në jetë për t'ua dhuruar atë të tjerëve".
“Ky është thelbi i misionit të Kishës: të mos ushtrojë pushtet mbi të tjerët, por të përcjellë gëzimin e atyre, që janë dashur pikërisht kur e meritonin më pak”.
Mijëra besimtarë përshëndetën Papën, i cili bëri xhiron e tij të zakonshme me papamobil, në mesin e turmës. Gjatë katekizmit, Leoni XIV u përqendrua në Pashkët e Krishtit - siç përshkruhen në Ungjillin sipas Gjonit - dhe në vizitën e Krishtit të Ringjallur te dishepujt, "miqtë e tij", të mbyllur në çenakull e "të paralizuar nga frika". Por Krishti u solli "një dhuratë, që askush nuk do të kishte guxuar ta shpresonte: paqen".
Zoti nuk na lëshon dore
Në katekizmin e tij, Papa theksoi se Krishti u duket dishepujve dhe u tregon plagët e Mundimeve, një gjest, që mund të duket i çuditshëm. "Pse t'ua tregojë plagët atyre që, në ato orë tragjike, e mohuan dhe e braktisën? Pse të mos i fshehë ato shenja dhimbjeje, duke shmangur rihapjen e asaj plage turpi?", pyeti Leoni XIV. Me këtë gjest, sqaroi ai, Jezusi dëshiron të tregojë se "tani është plotësisht i pajtuar me vuajtjet e tij. Nuk ka gjurmë mllefi". Jezusi nuk tregohet superior para dishepujve, as nuk u imponohet, theksoi Papa. Thjesht, dëshiron "të bashkohet sërish me ta, duke i ndihmuar të kapërcejnë ndjenjën e fajit".
“Plagët nuk kanë për qëllim t’i qortojnë, por të konfirmojnë një dashuri më të fortë se çdo pabesi. Ato janë provë se, pikërisht kur nuk jemi në lartësinë e duhur, Zoti nuk tërhiqet. Nuk na lëshon dore”.
Dobësitë tona njerëzore
Ashtu si dishepujt, vërejti Papa, edhe ne nuk jemi aq të fortë e kemi vështirësi ta kuptojmë këtë dashuri falas, prandaj, kur e marrim atë nga Zoti, nuk e kemi të lehtë t’ia dhurojmë të tjerëve. "Kur shërohemi nga një traumë e shkaktuar nga të tjerët, reagimi ynë i parë është shpesh zemërimi”, dëshira për t’u hakmarrë. Ose "i maskojmë plagët nga krenaria e nga frika se mos dukemi të dobët. Themi 'nuk ka rëndësi', 'gjithçka ka mbaruar', por nuk jemi vërtet në paqe me tradhtitë, që na kanë plagosur", nënvizoi Ati i Shenjtë. Krishti nuk reagon në këtë mënyrë dhe nuk skandalizohet nga kufizimet tona: "dalë nga ferri i vdekjes, Jezusi nuk merr hak. Ai nuk kthehet me pushtet, por me butësi shpreh gëzimin e një dashurie më të madhe se çdo plagë dhe më të fortë se çdo tradhti".
“Ai ofron plagët e tij si garanci për falje. E dëshmon se Ringjallja nuk është fshirja e së kaluarës, por shndërrimi i saj në shpresë për mëshirë”.
Dashuria i duhet dhuruar të tjerëve
Pasi Krishti u tregon dashuri dhe i fal dishepujt, u beson një detyrë të rëndësishme: ta çojnë këtë mesazh tek të tjerët, shpjegoi Papa. Në Ungjill, Jezusi thotë: "Paqja qoftë me ju" dhe shton: "Siç më ka dërguar mua Ati, ashtu po ju dërgoj edhe unë ju", duke u besuar apostujve një detyrë me përgjegjësi, për të qenë “mjete pajtimi në botë". Papa nënvizoi se Krishti ia beson këtë mision mbarë Kishës dhe gjithë besimtarëve të saj:
“Edhe ne dërgohemi. Edhe neve, Zoti na tregon plagët e tij dhe thotë: Paqja qoftë me ju. Mos kini frikë të tregoni plagët tuaja të shëruara nga mëshira. Mos kini frikë t'u afroheni atyre, që mbyllen në frikë e në ndjenjën e fajit. Fryma e Shpirtit Shenjt na bëftë edhe ne dëshmitarë të kësaj paqeje dhe të kësaj dashurie më të fortë se çdo disfatë”.
Për herë të parë, katekizmi në gjuhën tamil
Për herë të parë, një përmbledhje e katekizmit të Papës u lexua në tamil, gjuhë që flitet nga afërsisht 70 milionë njerëz, të cilët banojnë kryesisht në Sri Lankë dhe Indi. Leoni XIV i përshëndeti besimtarët e kësaj gjuhe, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit.
