Leoni XIV: e diela, zemra e vitit liturgjik dhe vendi i takimit me Krishtin
Vatican News
Në audiencën e përgjithshme të 12 gushtit, mbajtur paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa e përqendroi katekizmin e tij te kuptimi dhe rëndësia e vitit liturgjik të Kishës në jetën e besimtarit. Duke vijuar ciklin e katekezave mbi Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, Sacrosanctum Concilium, Leoni XIV shpjegoi se viti liturgjik nuk është thjesht një përsëritje e përvitshme e ngjarjeve të së kaluarës, por një mënyrë përmes së cilës Kisha e bën të pranishëm misterin e Krishtit dhe veprën e tij të shëlbimit.
Viti liturgjik është ritmi në të cilin Kisha jeton misterin e fesë së saj. Në të ndërthuren kremtimet, kujtimet, pritja dhe gëzimi, duke e udhëhequr popullin e Zotit përmes historisë së shëlbimit. Papa Leoni XIV, duke iu referuar enciklikës Mediator Dei të Piu XII, theksoi se liturgjia nuk është “një paraqitje e ftohtë dhe e pajetë” e ngjarjeve të së kaluarës dhe as një kujtim i thjeshtë i një realiteti që nuk ekziston më. Përkundrazi, në vitin liturgjik është vetë Krishti që vazhdon të jetojë dhe të veprojë në Kishën e tij.
Kështu, çdo kohë liturgjike bëhet një hapësirë takimi me Zotin. Misteret e Krishtit nuk mbeten të mbyllura në të kaluarën, por bëhen të pranishme në jetën e Kishës, në mënyrë që besimtari të mund t’i përjetojë dhe të hyjë gjithnjë e më thellë në to. Viti liturgjik kishtar është, pra, një kujtesë e gjallë e veprës së shëlbimit: duke e përshkuar atë, Kisha qëndron në kontakt të vazhdueshëm me veprën e Jezu Krishtit dhe besimtarët marrin pjesë në hirin e tij.
Në qendër të këtij udhëtimi qëndron misteri i Pashkës. Për Kishën, çdo kremtim liturgjik e ka pikënisjen dhe qëllimin në takimin me Jezusin, i cili vdiq dhe u ringjall për ne. E pikërisht këtu merr kuptim të veçantë e diela, të cilën Etërit e Koncilit të Dytë të Vatikanit e kanë quajtur “themeli dhe bërthama e vitit liturgjik” dhe “dita fillestare e festës”.
E diela është dita e Ngjalljes, dita në të cilën Kisha kujton dhe kremton fitoren e Jezu Krishtit mbi vdekjen. Për këtë arsye e Diela nuk është thjesht një ditë pushimi, por një ditë që duhet shenjtëruar, mbi të gjitha përmes kremtimit të Eukaristisë. Në Meshën e së dielës, bashkësia e krishterë mblidhet si një trup i vetëm, dëgjon Fjalën e Zotit dhe ushqehet me Trupin e Krishtit. Në këtë bashkim të besimtarëve, Kisha shfaq në mënyrë të dukshme bashkimin e saj me Zotin dhe dëshmon se i përket Krishtit.
Leone XIV theksoi se kjo mbledhje e bashkësisë nuk mund të zëvendësohet nga një prani vetëm virtuale dhe as të reduktohet në një pjesëmarrje pasive. Liturgjia kërkon një popull të mbledhur, një bashkësi që së bashku i jep falënderime Zotit dhe që, përmes Krishtit të Ngjallur, e përjeton veten si popull i rilindur në hir.
Pikërisht për këtë arsye, Papa bëri një thirrje të veçantë që të krijohen kushtet që të gjithë besimtarët të kenë mundësi të marrin pjesë në Meshën e së dielës, edhe ata që për shkak të punës nuk mund të pushojnë atë ditë. “I nxis të gjithë të kërkojnë kushtet më të mira”, tha Ati i Shenjtë Prevost, “në mënyrë që të jetë e mundur të marrin pjesë në Meshën e Shenjtë edhe ata që të dielën nuk kanë mundësi të heqin dorë nga puna”.
Kjo thirrje e Papës lidhet drejtpërdrejt me kuptimin e së dielës si Dies Domini, Dita e Zotit. Edhe aty ku gjuhët e ndryshme e kanë lidhur emërtimin e saj me “ditën e diellit”, si në anglishten Sunday apo gjermanishten Sonntag, Papa sheh një simbolikë që të çon te Krishti, dielli i vërtetë i drejtësisë, që ndriçon çdo njeri.
E diela është “dita e Krishit", është "dita e Kishës” dhe “dita e njeriut”; është, siç kujton Papa Gjon Pali II në letrën apostolike Dies Domini, “dita e ditëve”. Ajo është Pashka që përsëritet çdo javë, dita në të cilën Ngjallja e Krishtit jo vetëm kujtohet, por bëhet e pranishme në misterin e kremtimit liturgjik. Prandaj e diela është edhe dita që i jep kuptim kohës: ajo e përshkon kohën njerëzore dhe e orienton drejt përmbushjes së saj përfundimtare, drejt ardhjes së dytë të Krishtit.
Nga ky kremtim i përjavshëm i Pashkës lindi dhe u zhvillua gradualisht i gjithë viti liturgjik i Kishës. Në të u përfshi kremtimi i Pashkës vjetore, solemniteti më i madh i krishterimit, i paraprirë nga Kreshmët dhe i ndjekur nga pesëdhjetë ditët që çojnë deri në Rrëshajë. Më pas u formua edhe cikli i Krishtlindjes, përmes të cilit Kisha na fton të rijetojmë misterin e Mishërimit të Fjalës së Hyjit, lindjen dhe shfaqjen e tij në botë.
Në këtë rrugëtim të shenjtë, Kisha ka vendosur edhe kremtimet kushtuar nderimit të Virgjërës Mari, e cila është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me veprën shëlbuese të Birit të saj Jezus, si dhe kujtimin e martirëve dhe shenjtorëve. Kështu, viti liturgjik bëhet një panoramë e gjallë e historisë së shëlbimit, në të cilën besimtari nuk është vetëm spektator, por udhëtar dhe pjesëmarrës.
Në këtë kuptim, viti liturgjik është pedagogjia e vetë Zotit. Ai e merr njeriun aty ku ndodhet dhe e udhëheq gradualisht drejt misterit të Krishtit: nga pritja e Mesisë, te lindja e Shëlbuesit, nga mundimi dhe vdekja, te Ngjallja, nga Ringjallja te dhurata e Shpirtit Shenjt dhe, së fundi, drejt shpresës së lavdisë së ardhshme.
Prandaj viti liturgjik i Kishës nuk është thjesht një kalendar festash. Ai është mënyra përmes së cilës Kisha e jeton kohën në dritën e Krishtit. Në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen takohemi me misterin e Krishtit, i cili vazhdon të jetë i pranishëm dhe veprues në Kishën e tij.
Në përfundim, Leone XIV kujtoi se në vitin liturgjik Kisha kremton “aktualitetin shëlbues të misterit të Krishtit” dhe u mundëson besimtarëve të hyjnë gjithnjë e më thellë në këtë mister feje. Për këtë arsye, viti liturgjik nuk është vetëm një element i jetës së Kishës, por “parimi frymëzues dhe kuadri thelbësor i çdo veprimi baritor”. Në qendër të tij qëndron e diela, zemra e ritmit të krishterë, dita e Ringjalljes dhe dita në të cilën Kisha, duke u mbledhur rreth Eukaristisë, e rigjen burimin, themelin dhe shpresën e saj në Krishtin e gjallë.
