Leoni XIV: e diela, zemra e vitit liturgjik dhe vendi i takimit me Krishtin

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa ia kushton katekizmin e tij vitit liturgjik, i cili ripropozon në mënyrë ciklike “pedagogjinë e historisë së shëlbimit”, të realizuar në Krishtin. Themeli dhe bërthama e tij është e diela, dita në të cilën përkujtohet Ngjallja e Krishtit dhe që duhet shenjtëruar me kremtimin e Eukaristisë. Leoni XIV bëri thirrje “të kërkohen kushtet më të mira” që edhe ata që “nuk kanë mundësi të heqin dorë nga puna” të mund të marrin pjesë në Meshë.

Vatican News

Në audiencën e përgjithshme të 12 gushtit, mbajtur paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa e përqendroi katekizmin e tij te kuptimi dhe rëndësia e vitit liturgjik të Kishës në jetën e besimtarit. Duke vijuar ciklin e katekezave mbi Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, Sacrosanctum Concilium, Leoni XIV shpjegoi se viti liturgjik nuk është thjesht një përsëritje e përvitshme e ngjarjeve të së kaluarës, por një mënyrë përmes së cilës Kisha e bën të pranishëm misterin e Krishtit dhe veprën e tij të shëlbimit.

Viti liturgjik është ritmi në të cilin Kisha jeton misterin e fesë së saj. Në të ndërthuren kremtimet, kujtimet, pritja dhe gëzimi, duke e udhëhequr popullin e Zotit përmes historisë së shëlbimit. Papa Leoni XIV, duke iu referuar enciklikës Mediator Dei të Piu XII, theksoi se liturgjia nuk është “një paraqitje e ftohtë dhe e pajetë” e ngjarjeve të së kaluarës dhe as një kujtim i thjeshtë i një realiteti që nuk ekziston më. Përkundrazi, në vitin liturgjik është vetë Krishti që vazhdon të jetojë dhe të veprojë në Kishën e tij.

Kështu, çdo kohë liturgjike bëhet një hapësirë takimi me Zotin. Misteret e Krishtit nuk mbeten të mbyllura në të kaluarën, por bëhen të pranishme në jetën e Kishës, në mënyrë që besimtari të mund t’i përjetojë dhe të hyjë gjithnjë e më thellë në to. Viti liturgjik kishtar është, pra, një kujtesë e gjallë e veprës së shëlbimit: duke e përshkuar atë, Kisha qëndron në kontakt të vazhdueshëm me veprën e Jezu Krishtit dhe besimtarët marrin pjesë në hirin e tij.

Në qendër të këtij udhëtimi qëndron misteri i Pashkës. Për Kishën, çdo kremtim liturgjik e ka pikënisjen dhe qëllimin në takimin me Jezusin, i cili vdiq dhe u ringjall për ne. E pikërisht këtu merr kuptim të veçantë e diela, të cilën Etërit e Koncilit të Dytë të Vatikanit e kanë quajtur “themeli dhe bërthama e vitit liturgjik” dhe “dita fillestare e festës”.

E diela është dita e Ngjalljes, dita në të cilën Kisha kujton dhe kremton fitoren e Jezu Krishtit mbi vdekjen. Për këtë arsye e Diela nuk është thjesht një ditë pushimi, por një ditë që duhet shenjtëruar, mbi të gjitha përmes kremtimit të Eukaristisë. Në Meshën e së dielës, bashkësia e krishterë mblidhet si një trup i vetëm, dëgjon Fjalën e Zotit dhe ushqehet me Trupin e Krishtit. Në këtë bashkim të besimtarëve, Kisha shfaq në mënyrë të dukshme bashkimin e saj me Zotin dhe dëshmon se i përket Krishtit.

Leone XIV theksoi se kjo mbledhje e bashkësisë nuk mund të zëvendësohet nga një prani vetëm virtuale dhe as të reduktohet në një pjesëmarrje pasive. Liturgjia kërkon një popull të mbledhur, një bashkësi që së bashku i jep falënderime Zotit dhe që, përmes Krishtit të Ngjallur, e përjeton veten si popull i rilindur në hir.

Pikërisht për këtë arsye, Papa bëri një thirrje të veçantë që të krijohen kushtet që të gjithë besimtarët të kenë mundësi të marrin pjesë në Meshën e së dielës, edhe ata që për shkak të punës nuk mund të pushojnë atë ditë. “I nxis të gjithë të kërkojnë kushtet më të mira”, tha Ati i Shenjtë Prevost, “në mënyrë që të jetë e mundur të marrin pjesë në Meshën e Shenjtë edhe ata që të dielën nuk kanë mundësi të heqin dorë nga puna”.

Kjo thirrje e Papës lidhet drejtpërdrejt me kuptimin e së dielës si Dies Domini, Dita e Zotit. Edhe aty ku gjuhët e ndryshme e kanë lidhur emërtimin e saj me “ditën e diellit”, si në anglishten Sunday apo gjermanishten Sonntag, Papa sheh një simbolikë që të çon te Krishti, dielli i vërtetë i drejtësisë, që ndriçon çdo njeri.

E diela është “dita e Krishit", është "dita e Kishës” dhe “dita e njeriut”; është, siç kujton Papa Gjon Pali II në letrën apostolike Dies Domini, “dita e ditëve”. Ajo është Pashka që përsëritet çdo javë, dita në të cilën Ngjallja e Krishtit jo vetëm kujtohet, por bëhet e pranishme në misterin e kremtimit liturgjik. Prandaj e diela është edhe dita që i jep kuptim kohës: ajo e përshkon kohën njerëzore dhe e orienton drejt përmbushjes së saj përfundimtare, drejt ardhjes së dytë të Krishtit.

Nga ky kremtim i përjavshëm i Pashkës lindi dhe u zhvillua gradualisht i gjithë viti liturgjik i Kishës. Në të u përfshi kremtimi i Pashkës vjetore, solemniteti më i madh i krishterimit, i paraprirë nga Kreshmët dhe i ndjekur nga pesëdhjetë ditët që çojnë deri në Rrëshajë. Më pas u formua edhe cikli i Krishtlindjes, përmes të cilit Kisha na fton të rijetojmë misterin e Mishërimit të Fjalës së Hyjit, lindjen dhe shfaqjen e tij në botë.

Në këtë rrugëtim të shenjtë, Kisha ka vendosur edhe kremtimet kushtuar nderimit të Virgjërës Mari, e cila është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me veprën shëlbuese të Birit të saj Jezus, si dhe kujtimin e martirëve dhe shenjtorëve. Kështu, viti liturgjik bëhet një panoramë e gjallë e historisë së shëlbimit, në të cilën besimtari nuk është vetëm spektator, por udhëtar dhe pjesëmarrës.

Në këtë kuptim, viti liturgjik është pedagogjia e vetë Zotit. Ai e merr njeriun aty ku ndodhet dhe e udhëheq gradualisht drejt misterit të Krishtit: nga pritja e Mesisë, te lindja e Shëlbuesit, nga mundimi dhe vdekja, te Ngjallja, nga Ringjallja te dhurata e Shpirtit Shenjt dhe, së fundi, drejt shpresës së lavdisë së ardhshme.

Prandaj viti liturgjik i Kishës nuk është thjesht një kalendar festash. Ai është mënyra përmes së cilës Kisha e jeton kohën në dritën e Krishtit. Në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen takohemi me misterin e Krishtit, i cili vazhdon të jetë i pranishëm dhe veprues në Kishën e tij.

Në përfundim, Leone XIV kujtoi se në vitin liturgjik Kisha kremton “aktualitetin shëlbues të misterit të Krishtit” dhe u mundëson besimtarëve të hyjnë gjithnjë e më thellë në këtë mister feje. Për këtë arsye, viti liturgjik nuk është vetëm një element i jetës së Kishës, por “parimi frymëzues dhe kuadri thelbësor i çdo veprimi baritor”. Në qendër të tij qëndron e diela, zemra e ritmit të krishterë, dita e Ringjalljes dhe dita në të cilën Kisha, duke u mbledhur rreth Eukaristisë, e rigjen burimin, themelin dhe shpresën e saj në Krishtin e gjallë.

12 gusht 2026, 11:28

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >