Kërko

Një grua filipinase në lutje Një grua filipinase në lutje

Leoni XIV: çdo hapësirë e Kishës duhet të jetë shtëpi për më të cenuarit

Papa i ka dërguar një mesazh Konferencës Kombëtare për Mbrojtjen e të Miturve, e cila mbyllet sot në Clark-Angeles, Filipine: duhet të promovohen politika dhe praktika që garantojnë transparencën në trajtimin e rasteve të abuzimit, duke promovuar një kulturë parandalimi sidomos për më të vegjlit

R.SH. - Vatikan

Ideja themelore, motori i çdo përpjekjeje është të ndjekësh, siç thotë titulli, "një rrugë shprese dhe dhembshurie". Në nivel praktik, siç u prezantua gjatë punimeve, ka një sërë programesh për të rrënjosur në Kishën e Filipineve një kulturë sigurie, veçanërisht përmes "Institutit Katolik të Mbrojtjes", i cili synon të ofrojë shërbime edukimi, trajnimi, kërkimi, shoqërimi dhe këshillimi. Dhe mbi të gjitha bekimin dhe inkurajimin e Leonit XIV, për të cilin "çdo famulli kishtare dhe veprimtari baritore duhet të jetë një hapësirë ku të lavdërohet Zoti dhe të kujdesemi për të tjerët, veçanërisht për fëmijët dhe personat e cenueshëm".

Papa: transparenca është imperativ

Pak ditë pas raportit të ri të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, prezantuar më 16 tetor, Kisha filipinase u mblodh nga e hëna e kaluar deri sot, 23 tetor, mbi të njëjtën temë në një konferencë në Clark-Angeles, në provincën e Luzonit qendror, organizuar nga Zyra Episkopale për Mbrojtjen e të Miturve dhe Personave të Cenueshëm, organ i ipeshkvijve vendas. Për më shumë se 300 delegatë - me personalitete kishtare, ekspertë dhe përfaqësues të Kishave të Malajzisë, Singaporit, Bruneit dhe Vietnamit - presidenti i Zyrës filipinase për mbrojtjen e të miturve, kryeipeshkvi i San Fernando Florentino Lavarias, lexoi sot mesazhin e Papës në të cilin Leoni XIV shpreson që punimet "të çojnë në zbatimin e politikave dhe praktikave thelbësore që garantojnë transparencën në trajtimin e rasteve, promovojnë një kulturë parandalimi dhe mbrojnë 'këta të vegjël' të Zotit".

Monsinjor Alì: çdo aktivitet i përqendruar te viktimat

Ndër ndërhyrjet, është edhe ajo e ipeshkvit Luis Manuel Ali Herrera, sekretar i Komisionit Papnor të Mbrojtjes, i cili theksoi shërbimin e mbrojtjes duke e treguar atë si një rrugë të përbashkët sinodaliteti, solidariteti dhe shprese. "Duhet të jemi të sinqertë", tha prelati në hapje të konferencës se, "rruga e Kishës në çështjen e mbrojtjes është shënuar nga dështime të dhimbshme dhe plagë të thella. "Mbrojtja - tha më tej ai - është shenjë e këtij ndryshimi e kthimi: përfaqëson kalimin nga heshtja tek e vërteta, nga mohimi te drejtësia, nga frika te shpresa", duke cituar më pas Letrën drejtuar popullit të Zotit të Papës Françesku të vitit 2018, e cila njihte gravitetin e abuzimeve dhe bënte thirrje për një përgjigje komunitare. Pra, tha përsëri monsinjor Alì, "mbrojtja nuk duhet të reduktohet në një detyrim administrativ: është, thelbësisht, një imperativ teologjik, një mandat ungjillor që duhet të përshkojë qeverisjen tonë kishtare, shërbesat tona, hapësirat tona fizike e dixhitale, dhe të gjitha iniciativat baritore që ndërmarrim". Qasja, theksoi ai, duhet të shikojë viktimat, ku siguria dhe mirëqenia e të mbijetuarve janë prioritare.

23 tetor 2025, 12:07