Kërko

Leoni XIV me Motrat Rregulltare Bijat e Shën Palit Leoni XIV me Motrat Rregulltare Bijat e Shën Palit

Leoni XIV Motrave Paoline: "zhytuni në histori në dëgjim të njerëzimit të sotëm”

Papa pret në audiencë pjesëmarrëset e Kapitullit të XII të Përgjithshëm të Bijave të Shën Palit dhe kujton rëndësinë e shpalljes së Ungjillit jo në mënyrë abstrakte, por duke u zhytur në histori, duke dëgjuar njerëzimin e sotëm. Falënderimet për “shërbimin e çmuar” të ofruar botës dhe Kishës në fushën e botimeve

R.SH. – Vatikan

“Të lindura për të komunikuar Fjalën”: Leoni XIV i përkufizon kështu Bijat e Shën Palit, të pritura në audiencë sot paradite, më 2 tetor, me rastin e Kapitullit të tyre të XII të Përgjithshëm. Fjalë që, shton Papa, nuk duhet shpallur në mënyrë të përgjithshme apo abstrakte, por duke pranuar “pyetjet dhe shqetësimet e ngritura nga jeta reale”, duke përdorur “gjuhët e grave dhe burrave të kohës sonë”.

Të shikosh lart

Dy, në veçanti, janë “qëndrimet e rëndësishme” të sugjeruara nga Papa: të shikosh lart dhe të zhytesh brenda. E para shërben për “të qenë të nxitura nga Shpirti Shenjt”, sepse thirrja dhe misioni vijnë nga Zoti. Karizmat dhe zelli i apostullimit, pra, “nuk duhet të bien kurrë në iluzionin dhe prezumimin e vetëmjaftueshmërisë”:

Shpirti është protagonist i misionit, Shpirti është ai që na shtyn përpara duke shumëfishuar talentet tona, duke na freskuar në mundime, duke ngrohur zemrat tona kur ftohet gëzimi i Ungjillit, duke ndriçuar hapat tanë dhe duke na ofruar intuita krijuese, që të bëhemi të afta të hapim udhë të reja për komunikimin e fesë

Të zhytesh në histori

Qëndrimi i dytë është plotësues i të parit, në mënyrë që, të zhytura në situata, rregulltaret të mund të bëhen “një kraharor mikpritës për vuajtjet dhe shpresat e grave dhe burrave” të sotëm.

Kështu, të shtyra nga Shpirti, jeni të thirrura edhe ju të zhytuni në histori, pikërisht duke dëgjuar njerëzimin e sotëm; bëhet fjalë për të banuar kulturën aktuale dhe për t'u mishëruar në jetën reale të njerëzve që takoni.

Botimet janë shërbimi i çmuar

Një theks të veçantë Leoni XIV e vë te “shërbimi i çmuar” që motrat Paoline i ofrojnë botës dhe Kishës “duke punuar në prodhimin editorial, në universin dixhital, në menaxhimin e librarive, në projektet radio-televizive dhe në animacionin biblik”.

Apostullimi të mos ndahet nga jeta

Një detyrë jo e lehtë, thekson Ati i Shenjtë, e shënuar nga nevoja për “zgjedhje të guximshme dhe impenjative” që mbajnë në ekuilibër formimin profesional të cilësisë së lartë me forcat personale dhe materiale, si dhe pasurinë e historisë së kaluar me dhuratat aktuale të çdo rregulltareje, “në një aleancë pjellore ndërmjet brezave”.

Bashkësia e gjeneruar nga kjo perspektivë me siguri do t'ju ndihmojë të kapërceni rrezikun e ndarjes midis jetës dhe apostullimit. Në fakt, ju keni lindur për të komunikuar Fjalën e Zotit, por është e nevojshme që ky komunikim, i transmetuar në fushën baritore, të jetë edhe stili i jetës komunitare. Duhet të vigjëlohet që të mos ketë ndarje midis asaj që predikojmë dhe përditshmërisë sonë.

Metoda e integralitetit

Për më tepër, thekson Papa, pikërisht kjo është “metoda e integralitetit” të gjithë Familjes rregulltare Paoline: “Rruga, e vërteta dhe jeta, mendja, vullneti dhe zemra”. Vetëm kështu ky propozim unifikues, “profetik në një botë të fragmentuar”, do të jetë koherent dhe i besueshëm.

Të sjellësh shpresë për të gjithë, veçanërisht për më të brishtët

Së fundi, Papa i nxiti motrat rregulltaret të shikojnë “zjarrin e Shën Palit Apostull” dhe “gëzimin e tij të palodhur për të shpallur Krishtin edhe në mes të vështirësive dhe persekutimeve”, duke sjellë shpresë për të gjithë, “veçanërisht për më të brishtët”.

Eprorja e re e përgjithshme

E themeluar në vitin 1915 nga i Lumi Giacomo Alberione me të nderuarën Tecla Merlo, Instituti rregulltar femëror i Bijave të Shën Palit është aktualisht i mbledhur në Kapitullin e XII të Përgjithshëm. Takimi, i cili filloi më 7 shtator në Ariccia, pranë Romës, do të vazhdojë deri më 7 tetor, duke reflektuar mbi temën “Të shtyra nga Shpirti, duke dëgjuar njerëzimin e sotëm, komunikojmë Ungjillin e shpresës”. Dje, më 1 tetor, Kapitulli zgjodhi Eproren e re të Përgjithshme për gjashtëvjeçarin 2025-2031: bëhet fjalë për Motrën Mari Lucia Kim. Me origjinë nga Koreja, ku deri dje ishte Eprore provinciale, Lucia Kim pason Anna Caiazzën, e cila ka përfunduar mandatin e saj.

02 tetor 2025, 12:24