Kërko

Leoni XIV drejtuar të kushtuarve: zgjoni botën dhe sillni paqen e nevojshme sot

Të jesh përhapës i harmonisë përmes fjalës dhe shembullit, ndërtues i urave dhe përhapës i një kulture takimi: këtë kërkon Papa nga pjesëmarrësit në Jubileun e Jetës së Kushtuar, të pritur sot në audiencë në Vatikan. "Është e rëndësishme për të gjithë ju të jeni të rrënjosur në Krishtin. Vetëm në këtë mënyrë, në fakt, do të mund ta kryeni misionin në mënyrë të frytshme", tha Papa, i cili fton të kthehemi në zemër, të kujdesemi për brendësinë dhe të kultivojmë sinodalitetin

R.SH. – Vatikan

Ju mirëpres me një përqafim që nis nga zemra dhe që dëshiroj të arrijë deri në viset më të largëta të tokës, ku e di se mund t'ju gjej. Është një mirëseardhje e dashur dhe e ngrohtë ajo që Leoni XIV u drejton grave dhe burrave të kushtuar, rregulltarëve e rregulltareve, të mbledhur sot, më 10 tetor, në Sallën Pali VI në Vatikan dhe të ardhur në Romë nga pjesë të ndryshme të botës për Jubileun e tyre.

Kthimi te zemra

Duke bërë të tijat fjalët e Papa Françeskut në Mesazhin për Ditën Botërore të Jetës së Kushtuar të vitit 2023, Papa thekson se Kisha ka nevojë për ata që zgjedhin të dhurohen plotësisht për Mbretërinë e Zotit "dhe për të gjithë shumëllojshmërinë dhe pasurinë e formave të kushtimit dhe të shërbimit", sepse të rregulltarët me "vitalitetin e tyre dhe me dëshminë e një jete ku Krishti është qendra dhe Zoti" mund të "kontribuojnë për të 'zgjuar botën'". Dhe për këtë duhet "të jesh i rrënjosur në Krishtin", pasi vetëm kështu është e mundur "të kryesh misionin në mënyrë të frytshme". Të jesh "i bashkuar" me Zotin "dhe në Të mes jush", nxit Papa, duke theksuar gjithashtu kujdesin për jetën e brendshme.

Juve, bija dhe bij të Themeluesve dhe Themelueseve, ju drejtoj një nxitje të ngrohtë për t'u "kthyer te zemra", si vendi ku mund të rizbuloni shkëndijën që gjallëroi fillimet e historisë suaj, duke i dorëzuar atyre që ju paraprinë një mision specifik që nuk kalon dhe që sot u është besuar ju.

Leoni specifikon se pikërisht në zemër "prodhohet" ajo që Papa Françesku, në Dilexit nos, e ka quajtur "lidhja paradoksale midis vlerësimit të vetvetes dhe hapjes ndaj të tjerëve, midis takimit shumë personal me vetveten dhe dhurimit të vetvetes ndaj të tjerëve", dhe shton se "në brendësi, e kultivuar në lutje dhe në bashkësi me Zotin" kanë origjinën "frutat më të mira të së mirës sipas rendit të dashurisë, në promovimin e plotë të unicitetit të secilit, në vlerësimin e karizmës së vet dhe në hapjen universale të dashurisë".

Përhapës të harmonisë

Por është drejt botës që Papa projekton të rregulltarët, në mënyrë që të mbillen të mirat.

Ekziston një nevojë e thellë për shpresë dhe paqe që banon në zemrën e çdo burri dhe gruaje të kohës sonë dhe ju, gra dhe burra të kushtuar, dëshironi të bëheni bartës dhe dëshmitarë të saj me jetën tuaj, si shpërndarës të harmonisë përmes fjalës dhe shembullit, dhe para së gjithash si persona që mbartin në vetvete, me hirin e Zotit, vulën e pajtimit dhe të unitetit. Vetëm kështu do të mund të jeni, në mjediset e ndryshme ku jetoni dhe veproni, ndërtues të urave dhe përhapës të një kulture takimi, në dialog, në njohje reciproke, në respekt për dallimet, me atë besim që ju bën të njihni në çdo njeri një fytyrë të vetme të shenjtë dhe të mrekullueshme: atë të Krishtit.

Angazhimi i përditshëm i rregulltarëve

Në përditshmërinë e çdo të kushtuari është i rëndësishëm "angazhimi për vëllazërinë universale, vëmendja për personat më të varfër, kujdesi për krijimin" dhe për këtë secili duhet "të krijojë dhe të promovojë mjedise dhe struktura vëllazërie, ku mposhtet varfëria, vendoset në qendër dinjiteti i personit njerëzor dhe dëgjohet thirrja e 'shtëpisë së përbashkët'", vazhdon Leoni XIV, i cili fton rregulltarët të bëhet pikërisht "kujdestarë dhe promovues" të këtyre "fushave të shërbimit".

Kujdesi për sinodalitetin

Përveç kësaj, Papa u kërkon të kushtuarve, pra rregulltarëve dhe rregulltareve të mos e harrojnë sinodalitetin dhe të "mbeten besnikë ndaj rrugës që të gjithë po ndjekim në këtë drejtim". Ati i Shenjtë Prevost kujton, në këtë drejtim, Letrën Enciklike Ecclesiam suam të Pali VI dhe rekomandimin e tij për "dialogun e brendshëm", që duhet jetuar "në plotësi feje, dashurie, veprash", në mënyrë "intensive dhe familjare", "të ndjeshëm ndaj të gjitha të vërtetave, të gjitha virtyteve, të gjitha realiteteve të trashëgimisë sonë doktrinore dhe shpirtërore", "të gatshëm për të mbledhë zërat e shumtë të botës bashkëkohore", "të aftë për t'i bërë katolikët njerëz vërtet të mirë, njerëz të urtë, njerëz të lirë, njerëz të qetë dhe të fortë". Ky "dialog i brendshëm", "për një rinovim të vazhdueshëm të Trupit të Krishtit në marrëdhënie, në procese, në metoda", u është "besuar" sot veçanërisht të kushtuarve, thekson Papa, duke vënë në dukje "kushtin e tyre të privilegjuar për të jetuar përditë vlera si dëgjimi reciprok, pjesëmarrja, bashkëndarja e opinioneve dhe aftësive, kërkimi i përbashkët i rrugëve sipas zërit të Shpirtit".

Kisha dëshiron që të kushtuarit të jeni "dëshmitarë të veçantë" të këtyre vlerave, dhe kjo "duke ecur në bashkësi me të gjithë familjen e madhe të Zotit, duke e ndjerë atë si Nënë dhe Mësuese, duke bashkëndarë në të gëzimin" e "thirrjes", "duke kapërcyer ndarjet, duke falur padrejtësitë e pësuara, duke kërkuar falje për mbylljet e diktuara nga vetëvlerësimi".

Punoni për t'u bërë, dita ditës, gjithnjë e më shumë "ekspertë të sinodalitetit", për të qenë profetë në shërbim të popullit të Zotit. Për të përfunduar, tha Papa, do të doja t'ju drejtoja një ftesë për të shikuar drejt së nesërmes me qetësi dhe besim, dhe për të mos pasur frikë të bëni zgjedhje të guximshme.

Të shkruajmë një histori të madhe në të ardhmen

Së fundi, Leoni kujton se Zoti është "Ai në të cilin kemi vendosur besimin tonë dhe për të cilin 'asgjë nuk është e pamundur'", dhe prandaj Hyji është "shpresë që nuk zhgënjen dhe që do t'i mundësojë jetës së kushtuar të vazhdojë të shkruajë një histori të madhe në të ardhmen". Nga këtu nxitja për të kushtuarit të vazhdojnë "me këtë besim" "udhëtimin" e tyre dhe premtimi i "një kujtimi të veçantë në lutje".

10 tetor 2025, 14:16