Kërko

TOPSHOT-CUBA-WEATHER-HURRICANE-MELISSA

Leoni XIV: lutem për viktimat e Uraganit Melissa e për ata që presin zhvillime

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa shprehu afërsinë me të prekurit nga stuhia "katastrofike" në Xhamajka dhe në Kubë. I inkurajoi autoritetet civile të "bëjnë gjithçka është e mundur" për të mbështetur popullsinë dhe i falënderoi bashkësitë e krishtera dhe vullnetarët për ndihmën e tyre

R.SH. - Vatikan

Linja të rrëzuara të energjisë, grumbuj mbeturinash dhe automjete të zhytura në ujë të baltosur: këto janë disa nga pamjet që vijnë nga Xhamajka, vendi i shkatërrimit shkaktuar nga Uragani Melissa. Sot, 29 tetor, në fund të audiencës së përgjithshme, mendimet e Papës Leoni XIV u drejtuan nga Karaibet, të goditura nga stuhia "katastrofike", që shkaktoi "përmbytje të dhunshme". Uragani shfryu në Kubë, pranë Chivirico, në provincën e Santiago de Kuba, ku shkaktoi mijëra zhvendosje e dëmtoi shtëpi, infrastruktura dhe disa spitale.

Papa i siguroi të gjithë për afërsinë dhe lutjet kushtuar viktimave, të zhvendosurve dhe atyre që presin zhvillimet e stuhisë me "ankth e shqetësim". Shpreh edhe mendimet e tij për autoritetet civile, që po përpiqen të bëjnë gjithçka është e mundur për të  përballuar dëmet. E i falënderon edhe bashkësitë e krishtera për ndihmën e tyre, së bashku me organizatat vullnetare.

Dëmet nga Uragani Melissa

Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness, pas kalimit të uraganit, e deklaroi ishullin "zonë fatkeqësie", ku shfrynë erëra të tërbuara rreth 300 kilometra në orë.

"Raportet që morëm deri tani përfshijnë dëme në spitalet, dëme të konsiderueshme në banesat, në shtëpitë e madje edhe në pronat komerciale"- pohoi Holness, duke përshkruar "ndikimet shkatërruese" të uraganit.

Sipas Desmond McKenzie, nënkryetar i Këshillit të Menaxhimit të Rrezikut të Fatkeqësive në Xhamajkë, stuhia dëmtoi katër spitale dhe e la një pa energji, duke i detyruar autoritetet të evakuojnë 75 pacientë. Që mbrëmë më shumë se gjysmë milioni njerëz mbetën pa energji.

Stuhia u quajt fajtore për vdekjen e shtatë vetëve në Karaibe: tre në Xhamajka, tre në Haiti dhe një në Republikën Dominikane, ku një tjetër vijon të mbetet ende i zhdukur.

29 tetor 2025, 12:46