Leoni XIV Meksikës së përmbytur: jam pranë jush, lutem për familjet dhe të ndjerët
R.SH. / Vatikan
Jam pranë, me dashuri, me njerëzit e Meksikës lindore prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit. Lutem për familjet dhe të gjithë ata që vuajnë nga kjo katastrofë! E ia besoj Zotit, me ndërmjetësimin e Marisë, shpirtrat e të ndjerëve.
Pas lutjes së Engjëllit të Zotit nga dritarja e Pallatit Apostolik, në Vatikan, Papa Leoni XIV shprehu solidaritetin e tij për meksikanët, që po jetojnë kohë të vështira për shkak të pasojave të reshjeve të rrëmbyeshme. E për të gjithë kombin amerikan, i cili tani po përballet me një katastrofë të madhe humanitare: 65 të vdekur, dhjetëra të zhdukur dhe dëme të shumta në shtëpi dhe infrastrukturë. Papa shprehu afërsinë, duke i siguruar për lutjet e tij.
Meksika në gjunjë
Shirat jashtëzakonisht të dendur goditën kombin për një javë. Veracruz, Querétaro, San Luis Potosí dhe Hidalgo janë shtetet më të dëmtuara. Fshatra të tëra u përmbytën në baltë dhe mbeturina, duke lënë mijëra meksikanë pa ujë dhe pa energji elektrike. Ngjarja e jashtëzakonshme meteorologjike besohet të jetë shkaktuar nga mbivendosja e dy sistemeve tropikale, që u formuan në brigjet perëndimore të vendit: Uragani Priscilla dhe Stuhia Tropikale Raymond.
Duke kontribuar në paqe përmes lutjes
Me fjalët e Papës në fund të lutjes mariane me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë mendoi edhe për ata që vuajnë nga konflikti dhe armiqësia:
Lutja jonë për paqe vazhdon pa pushim, veçanërisht përmes Rruzares Shenjte. Duke soditur misteret e Krishtit së bashku me Virgjërën Mari, i bëjmë tonat vuajtjet dhe shpresën e fëmijëve, nënave, baballarëve dhe viktimave të moshuara të luftës. E nga ky ndërmjetësim i përzemërt vijnë shumë gjeste bamirësie ungjillore, afërsie konkrete dhe solidariteti.
Papa, siç ka bërë në shumë raste publike, fton për vazhdimin me zell të lutjeve për paqen në botë. Ndaj u drejtohet "të gjithë atyre që çdo ditë, me këmbëngulje feje" punojnë për harmoninë ndërmjet popujve, me thirrjen e përdorur nga Jezusi gjatë “Predikimit në Mal”.
"Juve ju përsëris" tha Ipeshkvi i Romës, "Lum veprimtarët e paqes!"
Një përvjetor i rëndësishëm
Së fundmi, ndërmjet shtegtarëve të pranishëm në lutjen e Engjëllit, Papa përshëndeti me dashuri të veçantë Motrat e Shpërblimit të Zemrës së Krishtit, të cilat aktualisht po festojnë 150-vjetorin e themelimit. E themeluar në Napoli, me inkurajimin dhe miratimin e Kryeipeshkvit të atëhershëm, Kardinalit Sisto Riario Sforza, familja fetare ia detyron vazdimësinë Isabella de Rosis, me origjinë nga Kozenca, më 24 tetor 1875. Emri i kongregacionit mishëron kuptimin e plotë të misionit të saj: t’i shlyejë, nëpërmjet dhurimit të jetës, lutjes, veprimit dhe sakrificës, fyerjet e plagët shkaktuar Zemrës së Krishtit.
