Kërko

Papa: dialogu ekumenik duhet të çojë në një model të bashkimit të plotë midis Kishave

Papa pret në audiencë "vëllain e dashur në Krishtin" dhe kujton përparimet e dialogut zyrtar ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Asiriane të Lindjes. Mirënjohje e thellë teologëve të komisionit të përbashkët "pa të cilët marrëveshjet doktrinore dhe baritore nuk do të ishin të mundura". Me shpresën që të krishterët e Lindjes së Mesme të mbeten dëshmitarë të Krishtit të Ngjallur, Papa kujton sfidën për bashkimin e plotë: nuk është dominim, por shkëmbim dhuratash

R.SH.- Vatikan

Lutja e përbashkët e Atë Ynë-s hap fjalimin e Papa Leonit drejtuar sot, më 26 tetor, Shenjtërisë së tij Mar Awa III, Katolikos Patriarkut të Kishës Asiriane të Lindjes, dhe anëtarëve të Komisionit të Përbashkët për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Asiriane të Lindjes, të cilët kthehen në Vatikan pas vizitës së fundit, vitin e kaluar, me rastin e tridhjetëvjetorit të dialogut zyrtar ndërmjet dy Kishave. Duke mos harruar gjendjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme, dhe duke parë 1700 vjetorin e Koncilit Kishtar të Nikesë, Papa Leoni XIV uron të zhvillohet një model bashkimi i plotë ndërmjet të krishterëve që nuk nënkupton "përthithje ose dominim", por që promovon shkëmbimin e dhuratave të Shpirtit Shenjt.

Takimi vëllazëror dhe dialogu teologjik janë rruga drejt unitetit

Duke iu referuar vizitave të përbashkëta ndërmjet përfaqësuesve të Kishave përkatëse, Papa thotë se është një shenjë se sa "takimi vëllazëror dhe dialogu teologjik janë elemente reciprokisht thelbësore në rrugën drejt unitetit". I gëzuar për përparimet e bëra kohët e fundit në dialogun zyrtar - të cilat i vlerëson si "domethënëse" -, Leoni XIV thekson se ato janë fryt i një aderimi besnik ndaj mandatit dhe metodologjisë së vendosur nga paraardhësit. Dhe saktëson:

"Dialogu i së vërtetës" është një shprehje e dashurisë që tashmë bashkon Kishat tona, ndërsa "dialogu i dashurisë" duhet të kuptohet edhe teologjikisht.

Të zhvillojmë së bashku një model të bashkimit të plotë

Papa shpreh falënderimet e tij të sinqerta teologëve të Komisionit të Përbashkët, për kontributin e tyre të çmuar dhe vendimtar për arritjen e marrëveshjeve doktrinore dhe baritore. Ati i Shenjtë Prevost citon shprehimisht konsensusin mbi "fenë kristologjike" me të cilin u zgjidh "një polemikë që zgjati 1500 vjet". Kështu, vëren Leoni XIV, "dialogu ynë ka përparuar me njohjen reciproke të sakramenteve, duke lejuar njëfarë ‘communicatio in sacris’ ndërmjet Kishave tona". Në pritje të hapave të ardhshëm të frymëzuar nga enciklika e Gjon Palit II ‘Ut Unum Sint’, Papa Leoni sqaron se sfida kryesore e momentit aktual: [...]

qëndron në zhvillimin e përbashkët të një modeli të bashkimit të plotë, të frymëzuar nga mijëvjeçari i parë, duke iu përgjigjur në të njëjtën kohë me vëmendje sfidave të së tashmes. Siç kanë theksuar vazhdimisht paraardhësit e mi, një model i tillë nuk duhet të nënkuptojë asimilimin apo dominimin; përkundrazi duhet të promovojë shkëmbimin e dhuratave ndërmjet Kishave tona, të marra nga Shpirti Shenjt për ndërtimin e Trupit të Krishtit.

Praktikimi i sinodalitetit për të arritur të kremtojmë në të njëjtin altar

Fjalimi i Papës vazhdon me një referencë ndaj aspektit të sinodalitetit të Kishës, i cili, thotë ai, është "një rrugë premtuese për të ecur përpara", duke qenë i lidhur ngushtë me temën ekumenike. Në frymën e Sinodit mbi sinodalitetin e Kishës, shpresa e Leonit XIV është që 1700-vjetori i Koncilit Kishtar të Nikesë - jemi një muaj nga udhëtimi i parë ndërkombëtar i Papës, i cili do ta çojë pikërisht në Turqi për të kremtuar këtë përvjetor - të çojë në "vënien në praktikë të formave të sinodalitetit ndërmjet të krishterëve të të gjitha traditave" dhe të frymëzojë praktika të reja sinodale ekumenike. Pasardhësi i Pjetrit fton t’i lutemi ndërmjetësimit të të gjithë shenjtorëve, në veçanti shën Isakut të Ninivës, i cili vitin e kaluar është shtuar edhe në Martirologun Romak, dhe në mbylle të fjalimin ia kushton recitimin së bashku të lutjes së Atë Ynë-s për të krishterët në Lindjen e Mesme:

qofshin gjithmonë dëshmitarë besnikë të Krishtit të ngjallur dhe dialogu ynë e përshpejtoftë ardhjen e ditës së bekuar në të cilën do të kremtojmë së bashku në të njëjtin altar, duke marrë pjesë në të njëjtin Trup dhe Gjak të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, "që bota të besojë".

27 tetor 2025, 11:32