Leoni XIV: popujt indigjenë, një zë i pazëvendësueshëm brenda Kishës
R.SH. – Vatikan
Ne jemi një popull vëllezërish e motrash, një në Një – siç thoshte Shën Augustini duke komentuar Psalmin 127 – falë besimit, i cili në këtë vit jubilar na bën të kalojmë Portën e Shenjtë me dëshirën për të shkuar në burimin "e dashurisë hyjnore, në kraharorin e hapur të të Krishtit të Kryqëzuar". Dhe pikërisht "duke u nisur nga kjo e Vërtetë duhet ta rilexojmë historinë dhe realitetin tonë, për të përballuar të ardhmen me shpresën në të cilën na fton Viti i Shenjtë Jubilar, pavarësisht "mundimeve dhe vujatjeve". Me këtë inkurajim, Leoni XIV u drejtohet, në një mesazh, Rrjeteve të Popujve Indigjenë dhe Rrjetit të Teologëve të Teologjisë Indigjene me rastin e Jubileut, një "moment i takimit të gjallë dhe personal me Zotin Jezu Krisht, 'derë' e shpëtimit", shkruan Papa duke cituar bulën e shpalljes së dokumentit Spes non confundit të Papa Françeskut, "një rast pajtimi, kujtese mirënjohëse dhe shprese të përbashkët".
Popujt indigjenë zë i pazëvendësueshëm në bashkësinë kishtare
Leoni vëren se duke menduar për momentet jubilare, "Papa Françesku ka dashur të theksojë universalitetin e Kishës, i cili shfaqet në kaq shumë thirrje, mosha dhe situata jetësore", duke përfshirë "familjet, fëmijët, adoleshentët, të rinjtë, të moshuarit, ministrat e shuguruar dhe laikët", dhe se "nuk uniformizon, por përkundrazi mirëpret, dialogon dhe pasurohet me diversitetin e popujve" dhe prandaj përfshin "popujt indigjenë, historia, spiritualiteti dhe shpresa e të cilëve përbëjnë një zë të pazëvendësueshëm brenda bashkësisë kishtare". Dhe në vazhdim të mesazhit Papa Leoni XIV shpjegon se "Një është origjina dhe qëllimi i universit, i Pari në gjithçka; origjina e çdo mirësie, dhe për këtë, burimi kryesor i gjithçkaje që është e mirë, edhe në popujt tanë". Papa kujton se Zoti "na ka zgjedhur në Krishtin para krijimit të botës për të qenë bijtë e Tij", "të gjithë", megjithatë "historia e gjatë e ungjillëzimit që kanë njohur" "popujt indigjenë, siç kanë theksuar shumë herë ipeshkvijtë e Amerikës Latine dhe Karaibeve, është plot me 'drita dhe hije'".
Pajtohuni për të qenë një popull i vetëm
Duke huazuar fjalët e Shën Augustinit, i cili në Letrën 105 i nxiste të gjithë të kishin "të njëjtën bindje" dhe të "eliminonin skizmat mes nesh", Papa thekson se "Jubileu, kohë e çmuar për faljen" na fton "'të falim me gjithë zemër vëllezërit tanë, të pajtohemi me historinë tonë dhe të falënderojmë Zotin për mëshirën e Tij ndaj nesh", dhe atëherë "duke njohur si dritat ashtu edhe plagët e së kaluarës sonë" ne mund të kuptojmë "se do të mund të jemi popull i vetëm nëse i dorëzohemi vërtet fuqisë së Zotit, veprimit të Tij në ne". Leoni vëren më pas se "në dialog dhe takim, mësojmë nga mënyrat e ndryshme të shikimit të botës, të vlerësojmë atë që është specifike dhe origjinale për çdo kulturë" dhe në këtë mënyrë, "së bashku" mund të zbulojmë "jetën e begatshme që Krishti u ofron të gjithë popujve".
Përhapja e gëzimit të takimit me Krishtin
Së fundi, siç ka bërë shpesh Papa Françesku, Leoni inkurajon "parresinë, atë guxim ungjillor, atë dalje nga vetja për të shpallur Ungjillin pa frikë dhe me liri zemre", duke nxitur popujt indigjenë të "paraqesin me guxim dhe liri pasurinë e tyre njerëzore, kulturore dhe të krishterë". "Kisha dëgjon dhe pasurohet me zërat e tyre të veçantë", thotë Papa Prevost, i cili kujton "thirrjen e Ungjillit për të shmangur tundimin për të vendosur në qendër atë që nuk është nga Zoti - pushteti, dominimi, teknologjia dhe çdo realitet tjetër i krijuar - në mënyrë që zemra jonë të mbetet gjithmonë e orientuar drejt Zotit të vetëm, burim i jetës dhe i shpresës". Për të krishterët çdo "dallim historik, social, psikologjik apo metodologjik gjen kuptimin e tij përfundimtar në mandatin suprem për të bërë të njohur Jezu Krishtin", përfundon Leoni, i cili kërkon të angazhohemi për këtë "duke përhapur gëzimin që lind nga takimi me Zemrën e Tij Hyjnore".
