Leoni XIV pret kryeministrin e Libanit
R.SH. / Vatikan
Në pritje të udhëtimit të ardhshëm apostolik të Papës në Liban, i planifikuar nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor 2025, sot paradite, më 25 tetor, Leoni XIV priti në audiencë në Vatikan kryeministrin libanez, Nawaf Salam, dhe zëvendëskryeministrin Tarek Mitri. Më pas u zhvillua takimi me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i shoqëruar nga kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Gjatë bisedimeve – thuhet në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – “u shpreh pritshmëria e përbashkët për Udhëtimin Apostolik të Atit të Shenjtë”. Më pas, “gjatë takimit u fol për shpresat e popullit libanez në procesin e reformave dhe stabilizimit të vendit dhe biseda u zgjerua në kontekstin rajonal, me shpresën e përbashkët që të arrihet shpejt një paqtim i plotë i të gjithë Levantit”.
