Leoni XIV: shenjtorët e rinj, shenja të ndritshme të dashurisë ndaj vëllezërve
R.SH. – Vatikan
Burrat dhe gratë që dje i shpallëm shenjtorë janë për të gjithë ne shenja të ndritshme shprese, sepse e kanë ofruar jetën e tyre në dashurinë e Krishtit dhe të vëllezërve.
Papa Leoni XIV në italisht, anglisht dhe spanjisht, përshkruan kështu jetët e shtatë shenjtorëve të rinj, të kanonizuar dje paradite në Sheshin e Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan gjatë Meshës solemne. Jetë që u bënë të jashtëzakonshme falë dashurisë së Zotit që i ushqeu dhe i mbështeti në përkushtimin e tyre ndaj më të brishtëve, në mbrojtjen e të vërtetave të fesë, në dashurinë që nuk dorëzohet para vështirësive. Duke pritur sot paradite në Vatikan shtegtarët e ardhur për kanonizimin e martirëve Pietro To Rot dhe ipeshkvit Ignazio Choukrallah Maloyan, të motrave rregulltare Maria Troncatti, Vincenza Maria Poloni dhe Carmen Rendiles Martínez, dhe laikëve Bartolo Longo e José Gregorio Hernández Cisneros, Papa nxjerr nga secili një mesazh të vlefshëm për ditët tona, sidomos përballë padrejtësive sociale.
Fryte paqeje dhe pajtimi në Armeni
"Një bari sipas zemrës së Krishtit" është portreti që Papa Leoni bën për ipeshkvin martir armen Ignazio Choukrallah Maloyan. Një bari që mbrojti grigjën e tij, nuk e mohoi fenë në këmbim të lirisë, vdiq si martir për Zotin. Kjo më bën të mendoj me dashuri për popullin armen, që gdhend kryqin mbi gurë si shenjë e besimit të tij të fortë dhe të palëkundur. Ndërmjetësimi i Shenjtit të ri e ripërtëriftë zellin e besimtarëve dhe sjelltë fryte pajtimi dhe paqeje për të gjithë.
Mbrojtja e të vërtetave të fesë
"Një katekist i thjeshtë" me "një guxim të jashtëzakonshëm" në gjendje tëkëlthastë vërtetën edhe në fshehtësi. Është Shën Pjetri To Rot, shembull – pohon Papa – i fesë së thellë të popullit të Guinesë së Re, që sfidoi forcat pushtuese gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos atëherë kur e bënë të mundur poligaminë. Një njeri që i besonte plotësisht Zotit në lutje.
Shembulli i Shën Pjetrit To Rot na inkurajoftë të mbrojmë të vërtetat e fesë, edhe me çmimin e sakrificave personale, dhe t'i besojmë gjithmonë Zotit në provat tona.
Bij dhe vëllezër të së njëjtës Venezuelë
Për të kujtuar figurat e shën José Gregorio Hernández, mjekut të të varfërve, dhe shën Carmen Rendiles, themelueses së kongregatës së Motrave Shërbëtore të Jezusit, Papa Leoni XIV kujton një letër të ipeshkvijve të Venezuelës në të cilën, duke shprehur gëzimin për ngjarjen, uronin që të ishte "një nxitje e fortë që të gjithë venezuelianët të bashkohen dhe të dinë të njohin veten si bij dhe vëllezër të të njëjtit Atdhe, duke reflektuar kështu mbi të tashmen dhe të ardhmen, në dritën e virtyteve që këta shenjtorë kanë jetuar në mënyrë heroike".
Virtytet, dritë e re
Papa ndalet pikërisht te virtytet: feja, në radhë të parë, e aftë të transformojë një jetë normale në "një llambë që çdo ditë ndriçonte të gjithë me një dritë të re". Pastaj shpresa që nxit të jetosh duke arritur objektiva konkrete dhe jo "të përkohshme", "të padenja dhe degraduese". Së fundi dashuria "që na bën të gjejmë kuptimin e vërtetë të jetës dhe na kërkon ta ndërtojmë atë përmes shërbimit, si ndaj të sëmurëve, ndaj të varfërve si ashtu edhe ndaj më të vegjëlve".
Një vëlla për t'u respektuar dhe dashur
Papa shikon të sotmen, e fton t’i vëzhgojmë këta njerëz të ngjashëm me ne, me probleme që nuk na janë të huaja dhe të kuptojmë domethënien e shenjtërisë.
Duke u nisur nga supozimi se ai që jeton pranë meje – si unë, si ata – është i thirrur në të njëjtën shenjtëri, duhet ta shoh atë para së gjithash si një vëlla për t'u respektuar dhe dashur, duke bashkëndarë rrugën e ekzistencës, duke u mbështetur në vështirësi dhe duke ndërtuar së bashku mbretërinë e Zotit me gëzim.
Në shërbimin e më të brishtëve lulëzon shenjtëria
Shembuj të dashurisë dhe përkushtimit ndaj të tjerëve janë historitë e shenjtores saleziane motër Maria Troncatti që ia kushtoi jetën popullsive indigjene të Ekuadorit me kompetencë mjekësore dhe motër Maria Paoloni, themeluese e Motrave të Mëshirës, e nxitur nga dashuria për të sëmurët dhe të mënjanuarit. Për Papën motra Troncatti është "shembull i një dashurie që nuk dorëzohet para vështirësive, duke i transformuar ato më tepër në raste për një dhuratë të pakushtëzuar dhe totale të vetes". Motra Paoloni, që e ushqeu angazhimin e saj social me një spiritualitet të thellë marian, na mëson "të këmbëngulim në shërbimin e përditshëm ndaj më të brishtëve", thekson Leoni XIV. Dhe "pikërisht aty lulëzon shenjtëria e jetës!".
Apostulli i Rruzares
Së fundi, duke folur për Bartolo Longo, Papa kujton kthimin e tij nga një njeri larg Zotit në një jetë të jetuar me vepra mëshire dhe të mbështetur nga dashuria për Marinë Virgjër. Pastaj fton Shenjtëroren e Zojës Rruzare të Pompei, të cilën Longo e themeloi, të ruajë dhe të përhapë zellin e këtij "apostulli të Rruzares". Me gjithë zemër ua rekomandoj këtë lutje të gjithëve, meshtarëve, rregulltarëve, familjeve, të rinjve. Duke soditur misteret e Krishtit me shikimin e Zojës Mari, ditë pas dite asimilojmë Ungjillin dhe mësojmë ta praktikojmë.
Duke përshëndetur shtegtarët e ardhur me rastin e kakonizimit të shenjtorëve të ri, Papa Leoni uron të kthehen në vendet e tyre me zemër plot mirënjohje dhe me dëshirën e zjarrtë për të imituar shembullin e shenjtorëve të rinj.
