Kërko

Robert Francis Prevost, kur ishte Epror i Përgjithshëm i augustinianëve Robert Francis Prevost, kur ishte Epror i Përgjithshëm i augustinianëve

Në Panairin e Librit të Frankfurtit, një libër i pabotuar i Papës, shkruar kur ishte epror

Urdhri i Shën Augustinit dhe LEV, me rastin e panairit, që fillon sot, më 15 tetor, njoftojnë se në muajt e ardhshëm do të botohet një libër i Robert Francis Prevost, me titull "Të lirë, nën hirin e Tënzot. Shkrime dhe meditime 2001-2013", ku përfshihen fjalimet e Papës aktual të shkruara kur ishte Epror i përgjithshëm i Urdhrit Augustinian. Atë Farrell O.S.A., epror aktual: "Është një panoramikë temash shumë të rëndësishme"

R.SH. – Vatikan

Urdhri i Shën Augustinit dhe Shtëpia Botuese e Vatikanit, me rastin e Panairit të Librit në Frankfurt, i cili hapet sot, 15 tetor, njoftojnë se në muajt e ardhshëm do të botohet një libër i Robert Francis Prevost, me titull "Të lirë, nën hirin e Tënzot. Shkrime dhe meditime 2001-2013", ku përfshihen për herë të parë fjalimet e Papës aktual të shkruara kur ishte Epror i përgjithshëm i Urdhrit Augustinian.

Përshpirtëria e Papës Leoni XIV

Ky libër dëshiron të jetë një mjet për ta kuptuar më thellë përshpirtërinë e Papës Leoni XIV, falë faqeve të pabotuara më parë, që përmbajnë reflektime, meditime, predikime dhe fjalime të Robert Francis Prevost, para se të zgjidhej në fronin e Shën Pjetrit. Teksti do të botohet në italisht nga Shtëpia Botuese e Vatikanit LEV në pranverën e vitit 2026. Atë Joseph Lawrence Farrell, O.S.A., Eprori aktual i Përgjithshëm i Urdhrit Augustinian, komenton: "Ky libër, i cili mbledh shumë nga komunikimet e Eprorit të atëhershëm të Përgjithshëm Robert Francis Prevost, O.S.A., ofron një panoramë të disa prej temave të rëndësishme të trajtuara prej tij gjatë viteve si Epror i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit".

Një vëllim i shumëpritur

"Jemi vërtet të kënaqur që marrim pjesë në Panairin e Librit të Frankfurtit, duke ia paraqitur këtë libër të pabotuar të Robert Francis Prevost O.S.A. – tashmë, Leoni XIV - botuesve të mbarë botës", pohon Lorenzo Fazzini, drejtor editorial i Libreria Editrice Vaticana (Shtëpia Botuese e Vatikanit). "Ky tekst do t'u ofrojë lexuesve shkrimet e periudhës në të cilën Papa ishte një frat augustinian dhe epror i Urdhrit të tij. Është vëllim, që pritet me padurim nga lexuesit në mbarë botën".

15 tetor 2025, 12:17