Kërko

Papa pret në audiencë pjesëmarrësit në Kongresin e dytë Ndërkombëtar të Pastoralit të të Moshuarve (@Vatican Media) Papa pret në audiencë pjesëmarrësit në Kongresin e dytë Ndërkombëtar të Pastoralit të të Moshuarve (@Vatican Media)

Papa: asnjë i moshuar të mos braktiset, askush të mos ndihet i padobishëm

“Pleqtë janë një dhuratë, një bekim për t’u mirëpritur, dhe zgjatja e jetës është një nga shenjat e shpresës së kohës sonë”. Kështu tha Leoni XIV në audiencën e sotme, 3 tetor, me pjesëmarrësit e Kongresit II Ndërkombëtar të baritorisë së të moshuarve, të cilët i nxiti të shpallin Krishtin në çdo moshë dhe stinë të jetës.

R.SH.– Vatikan

Fjalët e Papa Leonit janë ngushëllim dhe shpresë për shumë të moshuar që, të mbërritur në moshë të thyer, ndiejnë se nuk mund t'u ofrojnë më asgjë të tjerëve, ndërsa gjithnjë e më shumë, thonë statistikat, janë mirëqenia e shumë vendeve, prani të çmuara në familjet e fëmijëve të tyre. Papa, duke takuar sot, 3 tetor, pjesëmarrësit e Kongresit II Ndërkombëtar të baritorisë së të moshuarve me temën: “Të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra”, organizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, deri nesër, 4 tetor, në Kurien e Përgjithshme të Jezuitëve, në Romë, kujton vlerën e veprimtarisë baritore për moshën e tretë që duhet të jetë “ungjillëzuese dhe misionare”.

Aty ku pleqtë janë vetëm dhe të flakur, duhet t'u sjellim lajmin e mirë të butësisë së Zotit, për të mposhtur, së bashku me ta, errësirën e vetmisë, armikun e madh të jetës së të moshuarve. Askush të mos braktiset! Askush të mos ndihet i padobishëm!

Jetëgjatësia nuk është faj

Fjalimi i Leonit XIV është gjithashtu edhe një kujtesë e vazhdueshme e magjisterit të Papa Françeskut, i cili shpesh ka propozuar aleancën ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve, kryqëzimin e së ardhmes dhe urtësisë. Papa Prevost kujton se “në kohën tonë, fatkeqësisht, marrëdhëniet ndërmjet brezave shpesh shënohen nga thyerje dhe kundërshtime, që i vënë njëri kundër tjetrit”. Vizione pesimiste dhe konfliktuale – pohon Leoni XIV – . Të moshuarve u kundërshtohet fakti se “nuk u lënë hapësirë të rinjve në botën e punës, ose se thithin shumë burime ekonomike dhe sociale në dëm të brezave të tjerë, sikur jetëgjatësia të ishte një faj”.

Të moshuarit janë një dhuratë, një bekim për t’u mirëpritur, dhe zgjatja e jetës është një fakt pozitiv, madje, është një nga shenjat e shpresës së kohës sonë, në çdo pjesë të botës. Sigurisht, kjo është gjithashtu edhe një sfidë, sepse numri në rritje i të pleqve është një fenomen historik i paprecedentë, që na thërret në një ushtrim të ri të shqyrtimit dhe kuptimit.

Brishtësia, urë drejt qiellit

“Mosha e thyer – pohon Papa – është para së gjithash një thirrje e dobishme për dinamikën universale të jetës”. Një jetë e cila shpesh vlerësohet vetëm nëse prodhon pasuri ose sukses, nëse arrin pushtetin ose nëse ka autoritet. Brishtësia në fakt “fshihet ose largohet nga ata që kultivojnë iluzione botërore, për të mos pasur para syve imazhin e asaj që pashmangshmërisht do të jemi”.

Është përkundrazi e shëndetshme të kuptosh se plakja «është pjesë e mrekullisë që jemi». Kjo brishtësi, «nëse kemi guximin ta njohim», ta përqafojmë dhe të kujdesemi për të, «është një urë drejt qiellit».

Shpëtimi është në përvujtëri

Brishtësia, dobësia nuk duhet të jenë burim turpi, por shtysë për të kërkuar ndihmë nga vëllezërit dhe nga Zoti. “Të moshuarit – thekson Papa – na mësojnë se shpëtimi nuk qëndron në autonomi, por në njohjen me përvujtëri të nevojës së vet dhe në aftësinë për ta shprehur lirshëm”, prandaj “masa e humanitetit tonë nuk jepet nga ajo që mund të fitojmë, por nga aftësia për të lejuar veten të duhemi dhe, kur është nevoja, edhe të ndihmohemi”.

Të rinjtë e moshuar”

Duke kujtuar se shpesh pleqëria na zë të papërgatitur, Papa pohon se “Kisha është e thirrur të ofrojë kohë dhe mjete për ta deshifruar atë, në mënyrë që ta jetojë atë në mënyrë të krishterë, pa pretenduar të mbetet gjithmonë e re, pa u lënë të kapet nga dëshpërimi”. Në këtë drejtim ndihmojnë katekizmat e Papa Françeskut të vitit 2022, të cilat përshkruajnë me saktësi “aspektin e vërtetë shpirtëror të të moshuarve: prej tyre mund të mësojmë si të vendosim një veprimtari baritore të dobishme”. “Të rinjtë e moshuar”, persona që janë në shëndet të mirë e që kanë kohë të lirë, shpesh janë të angazhuar në frekuentimin e rregullt të liturgjisë në Kishë, në “kryerjen e aktiviteteve famullitare, si katekizmi dhe forma të ndryshme të shërbimit baritor” por është e nevojshme që ata të jenë subjekte aktive.

Është e rëndësishme të identifikohet për ta një gjuhë si dhe propozime të përshtatshme, duke i përfshirë jo si marrës pasivë të ungjillëzimit, por si subjekte aktive, dhe për t'iu përgjigjur së bashku me ta, dhe jo në vend të tyre, pyetjeve që na shtron jeta dhe Ungjilli.

Një veprimtari baritore ungjillëzues dhe misionare

Edhe pse jetojnë përvoja të ndryshme: ka nga ata që e njohin Zotin në moshë të shtyer; nga ata që kthehen në Kishë pas një periudhe largimi; nga ata që kanë qëndruar në jetën e krishterë, dëshira për Zotin duhet ushqyer edhe me “një lutje të thjeshtë, të recituar me besim në shtëpi”.

Për të gjithë, veprimtaria baritore e të moshuarve duhet të jetë ungjillëzuese dhe misionare, sepse Kisha është gjithmonë e thirrur të shpallë Jezusin, Krishtin shpëtimtar, çdo burri dhe çdo gruaje, në çdo moshë dhe stinë të jetës.

Të moshuarit, dëshmitarë të shpresës

“Kumtimi i Ungjillit është angazhimi kryesor i baritorisë tonë: duke i përfshirë personat e moshuar – thekson Papa Leoni – në këtë dinamikë misionare, ata do të jenë gjithashtu dëshmitarë të shpresës, veçanërisht me urtinë, devotshmërinë dhe përvojën e tyre”.

03 tetor 2025, 12:20