Kërko

Papa: bota ka etje për paqe, lufta nuk është kurrë e shenjtë

R.SH. / Vatikan

Një thirrje e re për të punuar me guxim paqen, për t'i dhënë fund luftërave të ndryshme që gjakosin botën dhe për të hapur një epokë të re në historinë e njerëzimit. Papa Leoni XIV, të martën pasdite, mori pjesë në takimin e promovuar nga Komuniteti i Sën Egjidit pranë amfiteatrit romak Koloseum në Romë. Fillimisht lutja me përfaqësuesit e feve të tjera, mes tyre i dërguari i Patriarkut Kirill, Mitropoliti i Volokolamsk dhe përgjegjës i Marrëdhënieve të Jashtme të Patriarkatit të Moskës, Antonij.

Më pas fjalimi i Papës me paqen në qendër. "Bota ka etje për paqe - tha Leoni XIV -: ka nevojë për një epokë të vërtetë dhe të qëndrueshme pajtimi, që t'i japë fund shkeljes, shfaqjes së forcës dhe indiferencës ndaj ligjit.

Mjaft me luftëra, me grumbullimet e tyre të dhimbshme të të vdekurve, shkatërrimeve, të dëbuarve!". "Konfliktet - tha pohoi Papa - janë të pranishme kudo ku ka jetë, por nuk është lufta ajo që ndihmon për t'i përballuar, as për t'i zgjidhur. Paqja është rruga e përhershme e pajtimit". Një pajtim që mund të ndodhë përmes lutjes për t'u kundërvënë "fjalëve të bërtitura", "sjelljeve të shfaqura" dhe "sloganeve fetare të përdorura kundër krijesave të Zotit".

"Kurrë lufta nuk është e shenjtë, vetëm paqja është e shenjtë, sepse është e dëshiruar nga Zoti!", theksoi Papa Prevost, i cili u shpreh i bindur: "Kultura e pajtimit do të fitojë globalizimin aktual të pafuqisë, që duket se na thotë se një histori tjetër është e pamundur". Në fund thirrja drejtuar qeveritarëve: "Kjo është thirrja që ne liderët fetarë u drejtojmë me gjithë zemër qeveritarëve. I bëjmë jehonë dëshirës së popujve për paqe. Bëhemi zëri i atyre që nuk dëgjohen dhe nuk kanë zë. Duhet kërkuar me guxim paqja! Dhe nëse bota do të ishte e shurdhët ndaj kësaj thirrjeje, jemi të sigurt se Zoti do të dëgjojë lutjen tonë dhe vajtimin e shumë të vuajturve. Sepse Zoti dëshiron një botë pa luftë. Ai do të na çlirojë nga kjo e keqe që është lufta".

Pas fjalimit, Papa Leoni XIV ndezi një qiri në shenjë shprese me liderët e tjerë të pranishëm. Një takim që u mbajt në kujtim të takimit historik ndërfetar të promovuar nga Shën Gjon Pali II në Asizi në vitin 1986. Pikërisht në qytetin e Shën Françeskut, vitin e ardhshëm, në kujtim të 40-vjetorit të atij takimi, do të mbahet takimi i ardhshëm i Shën Egjidit. Pas takimit në Koloseum, Papa mori pjesë në Përkujtimin e 60-vjetorit të Deklaratës Konciliare 'Nostra Aetate' në Vatikan.

28 tetor 2025, 21:18