Papa: bota ka nevojë për informacion të lirë, rigoroz, objektiv
R.SH. / Vatikan
"Bota ka nevojë për informacion të lirë, rigoroz, objektiv". Këtë e theksoi Papa Leoni XIV dgjatë audiencës me pjesëmarrësit e Konferencës së 39-të të Shoqatës së rrjetit të agjencive të lajmeve ‘Minds International’. Papa Prevost kujtoi paralajmërimin e historianes dhe filozofes amerikane Hannah Arendt, sipas së cilës "subjekti ideal i regjimit totalitar nuk është nazisti i bindur apo komunisti i bindur, por personi për të cilin nuk ka më dallim midis realitetit dhe falsiteti, midis të vërtetës dhe të rremes" (Origjinat e totalitarizmit).
"Me punën tuaj, të durueshme dhe rigoroze, ju mund të jeni një pengesë për ata që, përmes artit të lashtë të gënjeshtrës, synojnë të krijojnë kundërshtime për të komanduar duke ndarë; një bastion i civilizimit kundrejt rërës së lëvizshme të përafërsisë dhe post-të vërtetës", theksoi Papa. "Ekonomia e komunikimit nuk mund dhe nuk duhet të ndajë fatin e saj nga bashkëndarja e së vërtetës. Transparenca e burimeve dhe pronësisë, llogaridhënia, cilësia, objektiviteti janë çelësat për t'u kthyer qytetarëve rolin e tyre si protagonistë të sistemit, duke i bindur ata të kërkojnë një informacion të denjë për këtë emër". "Ju lutem: mos e shisni kurrë autoritetin tuaj!", është thirrja e Leonit drejtuar të pjesëmarrësve Konferencës së 39-të të Shoqatës ‘Minds International’.
Për Papën është një "paradoks që në epokën e komunikimit agjencitë e informacionit dhe të komunikimit shoqëror po kalojnë një periudhë krize", madje edhe përdoruesit e informacionit janë vetë në krizë, duke shkëmbyer shpesh të rremën me të vërtetën, atë që është autentike me atë që është artificiale. Megjithatë, askush sot nuk duhet të mund të thotë 'nuk e dija'", tha Leoni XIV, i cili inkurajoi rrjetin global të agjencive të lajmeve të vazhdojë shërbimin "kaq të rëndësishëm" duke nxitur gjithashtu edhe "momente takimi shoqërues", të cilat na ofrojnë "mundësinë të reflektojnë së bashku".
"Informacioni është një e mirë publike që të gjithë duhet ta mbrojmë. Për këtë arsye, ajo që është vërtet konstruktive është aleanca midis qytetarëve dhe gazetarëve në emër të angazhimit për përgjegjësinë etike dhe civile. Një formë e qytetarisë aktive është të vlerësosh dhe të mbështesësh operatorët dhe agjencitë e lajmeve që tregojnë seriozitet dhe liri të vërtetë në punën e tyre. Atëherë krijohet një rreth virtuoz që i bën mirë indit shoqëror social", tha Papa Leoni.
