Kërko

2025.10.24 Docenti e Studenti del Pontificio Istituto Teologico Giovanni Paolo II per e Scienze del Matrimomio e della Famiglia

Papa: cilësia e një vendi matet nga mënyra se si jetojnë familjet e tij

Në audiencën me profesorët dhe studentët e Institutit Teologjik Papnor Gjon Pali II për Shkencat e Martesës dhe Familjes, Leoni XIV bëri thirrje për "promovimin e aksioneve organike dhe të bashkërenduara" për të mbështetur familjet, për të nxitur përgatitjen për sakramentin e martesës, për të nxitur dëshirën e të rinjve për përshpirtëri dhe për të mbrojtur gratë, që e përjetojnë shtatzëninë në kushte vetmie, ose mënjanimi

R.SH. – Vatikan

“Në një shoqëri, që shpesh thekson produktivitetin dhe shpejtësinë, në dëm të marrëdhënieve, është urgjente t'i rikthejmë kohë dhe hapësirë dashurisë së mësuar në familje, ku ndërthuren përvojat e para të besimit, dhurimit dhe faljes, të cilat formojnë strukturën e jetës shoqërore”.

Në fjalimin e tij për pedagogët dhe studentët e Institutit Teologjik Papnor Gjon Pali II për Shkencat e Martesës dhe Familjes, pritur në audiencë sot paradite, më 24 tetor, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, Papa Leoni XIV vuri në qendër atë që Koncili II i Vatikanit e quajti "shkolla zanafillore dhe themelore e njerëzimit", "qeliza e parë e shoqërisë": familjen.

Vlera e martesës

Papa i bëri thirrje bashkësisë akademike ta mbështesë, ta mbrojë dhe ta promovojë atë “përmes një stili jetese në përputhje me Ungjillin", në kontekstet e ndryshme "sociale, ekonomike dhe kulturore", ku "sfidat" janë të shumta. Ai theksoi se angazhimi i Institutit, "për të mirën e çifteve të fejuara që bëhen bashkëshortë, për të mirën e bashkëshortëve, që bëhen prindër dhe për të mirën e fëmijëve të tyre" është vëmendja ndaj "brishtësisë" dhe "vlerës" së familjes, "parë në dritën e fesë e të arsyes së shëndoshë". Por, në veçanti, Ati i Shenjtë u përqendrua në vlerën e lidhjes martesore.

“Nuk mund t'i injorojmë prirjet, në rajone të shumta të botës, për të mos e vlerësuar e, madje, edhe për ta refuzuar martesën. Dua t'ju ftoj që, në reflektimin tuaj mbi përgatitjen për sakramentin e Martesës, të tregoni kujdes për veprimin e Hirit të Tënzot në zemrën e çdo burri dhe të çdo gruaje. Edhe kur të rinjtë marrin vendime, që nuk përkojnë me rrugët e propozuara nga Kisha, sipas mësimeve të Jezu Krishtit, Zoti vazhdon të trokasë në portën e zemrës së tyre, duke i përgatitur të dëgjojnë një thirrje të re të brendshme”.

Politika e baritoria e duhur

Ati i Shenjtë këshillon të tregohet kujdes për etjen e të rinjve për përshpirtëri, vërtetësi e drejtësi, por edhe të "promovohen veprime organike dhe të bashkërenduara për ta mbështetur familjen", pasi, theksoi Papa, "cilësia e jetës shoqërore dhe politike të një vendi" matet nga mënyra se si "u mundëson familjeve të jetojnë mirë, të kenë kohë për veten e tyre dhe të kultivojnë lidhjet, që i mbajnë të bashkuara". Nga ana tjetër, Leoni XIV kërkoi t’i kushtohet vëmendje e veçantë jetës së palindur dhe grave, që bëhen nëna në situata të vështira.

“Jeta njerëzore është dhuratë dhe duhet të mirëpritet gjithmonë me respekt, kujdes dhe mirënjohje. Prandaj, para realitetit të sa e sa nënave, që e jetojnë shtatzaninë në kushte vetmie, ose mënjanimi, e ndiej për detyrë të kujtoj se bashkësia civile dhe bashkësia kishtare duhet të impenjohen vazhdimisht për t’ia kthyer amësisë dinjitetin e saj të plotë. Për këtë qëllim, nevojiten nisma konkrete: politika, që garantojnë kushte të përshtatshme jetese dhe pune; iniciativa edukative dhe kulturore, që njohin bukurinë e lindjes së fëmijëve; një baritori, që i shoqëron gratë dhe burrat me afërsi dhe vëmendje. Amësia dhe atësia, të vlerësuara në këtë mënyrë, nuk janë aspak barrë për shoqërinë, por përkundrazi, janë shpresë, që e forcon dhe e rinovon atë”.

Profecia e një Instituti

Instituti Teologjik Papnor Gjon Pali II, lindi “nga vizioni profetik i Shën Gjon Palit II pas Sinodit të vitit 1980 mbi Familjen". Detyra e tij në situatën aktuale është t’u përgjigjet nevojave të formimit familjar, në të gjithë botën, duke mbetur sa më afër bashkëshortëve dhe familjeve e duke u bazuar në traditën dhe në doktrinën shoqërore të Kishës. Në praktikë, siç nënvizoi Leoni XIV, ai trajton çështje, "që ndikojnë në vendimin për t'u martuar dhe për të pasur fëmijë", "si paqja, kujdesi për jetën dhe shëndetin, zhvillimi i gjithanshëm njerëzor, punësimi i të rinjve, qëndrueshmëria ekonomike dhe mundësitë e barabarta për burrat dhe gratë". Instituti "kontribuon kështu në kuptimin e magjisterit papnor dhe në përditësimin e vazhdueshëm të dialogut ndërmjet jetës familjare, botës së punës dhe drejtësisë shoqërore".

24 tetor 2025, 15:11