Kërko

Papa Leoni XIV gjatë Meshës së 25 tetorit, në Sallën e Bekimit, në Vatikan, për Jubileun e Zyrave Ceremoniale Institucionale Italiane Papa Leoni XIV gjatë Meshës së 25 tetorit, në Sallën e Bekimit, në Vatikan, për Jubileun e Zyrave Ceremoniale Institucionale Italiane

Papa: De Gasperi, D'Acquisto dhe Livatino, shembuj të shkëlqyer të shpresës e të drejtësisë

Në Meshën që kryesoi të shtunën, më 25 tetor, në Sallën e Bekimit të Bazilikës së Shën Pjetrit për ceremonitë e organeve kushtetuese italiane, që festojnë Jubileun, Leoni XIV theksoi se Shteti ndërtohet duke "punuar me ndershmëri" dhe duke u kujdesur për të mirën e përbashkët. Shprehu edhe besimin se jeta e burrit të shtetit, karabinierit dhe gjykatësit do të inkurajonte kthesen, në të cilin na fton Jezu Krishti.

R.SH. / Vatikan

Përballë "vuajtjeve dhe sprovave të historisë", ekzistojnë dy rrugë të mundshme: "të mbetemi të palëvizshëm", të sigurt për t'u zhdukur, ose "ta ndryshojmë jetën tonë me shpresën që Krishti na ngjall, duke ndezur "në zemrat tona dritën e të Ngjallurit". Kjo vlen "për gjithë Kishën, për çdo qytetar e, për këtë arsye, edhe për Shtetin", i cili, nëse "nuk heq dorë nga padrejtësitë që e kërcënojnë dhe korrupsioni që e rrënon, rrezikon të vdesë". Papa Leoni XIV e theksoi këtë gjatë Meshës  kryesuar të shtunën e kaluar, më 25 tetor, në Sallën e Bekimit, në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e Jubileut të Ceremonive të Organeve Kushtetuese Italiane. Në predikimin e tij, Papa shpjegoi se "përballë përsëritjes së trishtueshme të së keqes", i Plotfuqishmi "është gjithmonë  gati të na ofrojë shpëtim dhe të na shpengojë nga e keqja, nëse e dëshirojmë", dhe shtoi se "drejtimi i ri" drejt të cilit Zoti po na prin, "është  udhëtim që shkon nga vendi ku jemi" në "amshim".

Shteti ndërtohet duke punuar me ndershmëri.

Duke iu drejtuar zyrtarëve të ceremonisë, të thirrur të ofrojnë "ekspertizën e tyre në mënyrë që organet publike të mund të ruajnë marrëdhënie të mira dhe të funksionojnë në mënyrën më të mirë", Papa theksoi se "po punon me ndershmëri që të ndërtohet Shteti, duke u kujdesur për të mirën e përbashkët". Më pas tregoi "tre shembuj të shkëlqyer të shpresës dhe të drejtësisë, përvujtërisë dhe përkushtimit ndaj Shtetit", në mënyrë që kujtimi i tyre të mund të "nxisë kthesën": Alcide De Gasperi, Salvo D'Acquisto dhe Rosario Livatino.

Shembulli i Alcide De Gasperi

Shërbëtor i Zotit, lumnimi i të cilit është në proces, De Gasperi, një nga etërit themelues të Republikës Italiane, e kombinoi me sukses "besimin e tij - me përgjegjësinë politike në rritje". Gjatë viteve "të trazuara nga dy luftëra botërore", u angazhua "për të ndërtuar ura" që i rezistuan "rrymave të ideologjive kundërshtare". Kjo është përmbledhja e Papës për portretin e burrit të shtetit. Përmes shembullit të tij - shtoi - ai na mëson "se politika, diplomacia dhe mbrojtja kombëtare bëhen instrumente të bamirësisë së mirëfilltë, kur jetohen me shpirt të përvuajtur".

Dëshmia e Salvo D'Acquisto

Lidhur me Salvo D'Acquisto, i nderuar dhe afër lumnimit, "duke dhënë jetën për bashkëqytetarët e tij", ai "e përmbushi plotësisht misionin si Karabinier", deklaroi Papa Leoni, duke lavdëruar guximin e D'Acquistos, i cili "në një kohë lufte dhe urrejtjeje" u bë "profecia e një paqeje" me përkushtim të plotë. "Janë njerëz si ai, ata që i ndriçojnë vështirësitë, të cilat rëndojnë ende mbi shumë e shumë popuj, edhe sot", vërejti Papa.

Udha e Livatinos drejt shenjtërimit

Së fundmi, në lidhje me "të Lumin Rosario Livatino, gjykatësin e parë në histori, që u njoh si martir", Papa theksoi "angazhimin e tij të palëkundur ndaj drejtësisë", me të cilin "dëshmoi se ligjshmëria", më shumë sesa "një sërë rregullash", është "mënyrë jetese dhe, për këtë arsye, rrugë e mundshme drejt shenjtërimit". Për Papën, ajo Sub tutela Dei që Livatino "shkroi në krye të shënimeve të tij" na nxit të vihemi me besim "nën mbrojtjen hyjnore" dhe të punojmë "çdo ditë si shërbëtorë të së vërtetës dhe endës të unitetit".

"Shteti transformohet për mirë, nëse të gjithë ndihen përgjegjës për të, përfundoi Leoni XIV, duke ushqyer ndjenjën e tyre qytetare dhe detyrën institucionale me vlerat më të larta shpirtërore".

27 tetor 2025, 13:55