Papa dërgon pesë mijë antibiotikë për fëmijët e Gazës
R.SH. – Vatikan
Ndërsa "shkëndija e shpresës", që Papa e përmendi në Engjëllin e Tënzot të së dielës, bëhet më konkrete në Tokën Shenjte, afërsia e Leonit XIV bëhet e pranishme edhe në kujdesin për më të vegjlit. Nëpërmjet Lëmoshtarisë Apostolike, "dhoma e urgjencës së Papës", në Gaza janë dërguar 5.000 antibiotikë për fëmijët, ndër viktimat më të prekura nga konflikti dyvjeçar izraelito-palestinez. Ky gjest u bë i mundur falë hapjes së kalimeve kufitare, përmes të cilave mund të dorëzohet ndihma humanitare e destinuar për popullsinë e Rripit të Gazës.
Nga fjalët në vepra
"T’i vëmë në jetë fjalët e Nxitjes Apostolike ‘Dilexi te’, kushtuar të varfërve", pohon kardinali Konrad Krajewski, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë, "sepse është e nevojshme të veprojmë me fakte, t'u kushtohet vëmendje më nevojtarëve". Teksti papnor pasqyron qartë drejtimin që Kisha ka ndjekur gjithmonë, pasi "ajo e di se shpallja e Ungjillit është e besueshme vetëm kur kthehet në gjeste afërsie dhe mikpritjeje". Nëpërmjet Patriarkatit Latin të Jerusalemit, antibiotikët e dërguar tashmë u janë shpërndarë nevojtarëve. Lëmoshtari kujton se, gjatë viteve të luftës, u bënë përpjekje për të ndihmuar duke dërguar para për të blerë ushqime dhe naftë.
Afërsia me Ukrainën
Bamirësia e Papës nuk ndalet edhe përsa i përket konfliktit në Ukrainë. Pas misioneve të shumta për të shpërndarë ndihma, gjeneratorë elektrikë dhe veshje termike kundër të ftohtit, Lëmoshtaria apostolike vijon të mbështesë Bazilikën e Shën Sofisë në Romë, "kishën e ukrainasve", e cila mbledh ndihma humanitare për vendin e Evropës Lindore. Prej saj nisen rregullisht kamionë të ngarkuar me veshje, ilaçe dhe mallra të tjera. Ditët e fundit, në Kharkiv kanë mbërritur pako të bardha me flamuj të Vatikanit dhe Ukrainës, shkruar në gjuhën italiane dhe ukrainase: "Dhuratë e Papës Leoni XIV për popullin e Kharkiv-it". Brenda ka konserva, vaj, makarona, mish e madje, edhe produkte higjienike. Kjo është mënyra e Papës për t’u bërë i afërt me vuajtjet e dhimbjen e një populli, të lodhur nga vitet e luftës, që ende nuk mund ta shohë dritën e paqes.
