Kërko

2025.10.04 Giuramento della Guardia Svizzera Pontificia

Papa: dëshmia e Rojeve Zvicerane, shembull për të rinjtë

Dëshmia e Rojes Zvicerane u vlerësua nga Papa Leoni XIV, i cili mori pjesë në ceremoninë e betimit të 27 rekrutëve të rinj në Oborrin e Shën Damazit, në Vatikan. Prania e një pape në ceremoni daton gati 50 vjet më parë, në kohën e Palit VI, që mori pjesë në vitin 1968. Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë e disiplinës, të sakrificës, të asaj mënyre për ta jetuar fenë, që u flet të rinjve për vlerën e dhurimit të jetës, të shërbimit dhe të kujdesit për të tjerët

R.SH. – Vatikan

         Oborri i Shën Damazit në Vatikan, zbukuruar për festë me flamujt e kantoneve zvicerane, priti sot pasdite rojet zvicerane papnore për ceremoninë e betimit të 27 rekrutëve të rinj. Klerikë dhe anëtarë të botës politike dhe ushtarake, familjarë dhe miq, si dhe bamirës dhe ish-roje ishin të pranishëm në një ceremoni, veçoria e së cilës sot, 4 tetor, ishte pjesëmarrja e Papës, diçka që nuk ndodhte që nga koha e Palit VI.

Fjalët e Leonit XVI

Në festën e Shën Françeskut të Asizit, i cili, siç tha komandanti Graf, dëshmon se "madhështia e vërtetë nuk qëndron në pasuri a pushtet, por në përvujtëri, thjeshtësi dhe dashuri për të gjitha krijesat", Leoni XIV i përshëndeti rojet e autoritetet në përfundim të ceremonisë, duke e quajtur atë "hermosa" – një fjalë në spanjisht, që do të thotë ‘e bukur’.

“Për të gjithë ju, që bëtë këtë betim: kjo është dëshmi shumë e rëndësishme në botën e sotme. Na mëson rëndësinë e disiplinës, të sakrificës, na mëson ta jetojmë fenë në një mënyrë, që u flet vërtet gjithë të rinjve për vlerën e dhurimit të jetës, të shërbimit dhe të mendimit për të tjerët. Ju falënderoj në emrin tim dhe në emër të të gjithë Selisë së Shenjtë për shërbimin tuaj. Zoti ju bekoftë. I bekoftë familjet tuaja dhe qoftë gjithmonë me ju”.

  (@Vatican Media)

Ceremonia e betimi

Të 27 rekrutët u thirrën një nga një për t'iu afruar flamurit të Gardës dhe për të bërë betimin e lexuar nga kapelani. "Jemi krenarë për ju dhe mirënjohës që keni pranuar thirrjen për këtë shërbim të nderuar, të cilin tani betoheni ta kryeni me ndërgjegje dhe besnikëri", deklaroi kapelani. Më pas, ai shqiptoi formulën:

“Betohem t'i shërbej me fe, besnikëri dhe nder Shenjtërisë së Tij Leonit XIV dhe pasardhësve të tij legjitimë, si edhe t'u përkushtohem atyre me të gjitha forcat e mia, duke flijuar - nëse është e nevojshme - edhe jetën time në mbrojtjen e tyre. Gjithashtu, marr përsipër këto detyra ndaj Kolegjit të Kardinajve për kohëzgjatjen e Selisë vakante. Përveç kësaj, i premtoj Komandantit dhe eprorëve të tjerë respekt, besnikëri dhe bindje. Betohem. Më ndihmofshin Zoti dhe Shenjtorët tanë Pajtorë”.

  (@VATICAN MEDIA)

Rëndësia e veprimit paqtues të Shën Nikollës së Flüe-s

"Me këtë betim, çdo roje zotohet t'Ju shërbejë me të gjitha forcat dhe, nëse rrethanat e kërkojnë, të flijojë edhe jetën". Kështu deklaroi koloneli Christoph Graf, komandant i Rojes Papnore Zvicerane që prej dhjetë vitesh, në fjalimin e tij (mbajtur sipas traditës në italisht, gjermanisht dhe frëngjisht) në prani të Papës Leoni XIV, duke kujtuar figurat që frymëzuan punën e Gardës, si komandantin shenjt Nikolla nga Flüe, i cili ishte kapiten, politikan dhe gjykatës. Falë ndërmjetësimit të tij, kujtoi Graf, u parandalua ndarja me dhunë e konfederatave zvicerane, shkaktuar nga një luftë vëllavrasëse e vetë ai hyri në histori si paqtues i madh. Kjo dëshmi është tejet aktuale "në botën e sotme, karakterizuar nga luftëra brutale, mosmarrëveshje dhe trazira". Ai shtoi se thirrjet e shenjtit për paqe janë sot "më aktuale se kurrë dhe na nxisin të kërkojmë mirëkuptimin e të jetojmë në paqe me njëri-tjetrin".

  (@VATICAN MEDIA)

Një shërbim besnikërie ndaj Krishtit, duke u kujdesur për nevojtarët

Krahas shenjtit pajtor të Zvicrës, komandati kujtoi edhe dy të tjerë: Shën Martinin e Turit dhe Shën Sebastianin. I pari, oficer romak që ndau mantelin e tij me një lypës për ta mbrojtur nga i ftohti, tregon se "shërbimi i vërtetë nuk është vetëm detyra ndaj institucioneve, ose eprorëve, por edhe e, mbi të gjitha, ndaj më të brishtëve, nevojtarëve dhe të gjithë atyre, që hasim në udhën e në shërbimin tonë të përditshëm". Ky është shembull për t'u kujtuar gjithmonë, pasi disiplina dhe rigoroziteti i kërkuar nga misioni i rojeve duhet të kuptohen pikërisht në kuadrin e shërbimit bujar për Krishtin e vëllezërit. Ky tipar është qartësisht i dukshëm në shenjtin tjetër, i përshkruar si "shok tejet i veçantë", edhe ai ushtar romak në shërbim të perandorit. Si i krishterë, "e dinte se besnikëria e tij duhej të ishte për Krishtin. Kur Kisha e re persekutohej - shpjegoi komandanti - ai i mbeti besnik pa u lëkundur fesë dhe dashurisë së tij për Krishtin. Pasoja ishte martirizimi". Edhe pse asnjë nga rojet sot nuk kërkon martirizimin, gjithsesi, secili prej tyre premton solemnisht se do të bëjë gjithçka të nevojshme për të qenë gati në orën e duhur. E kjo bëhet, theksoi Graf, "duke e peshuar mirë situatën, me seriozitet dhe kurrë me mendjelehtësi".

04 tetor 2025, 18:34