Papa drejtuar nuncit të ri në Irak: mbroni farët e shpresës e të paqes
R.SH. / Vatikan
"Mbroni farët e shpresës" dhe "inkurajoni bashkëjetesën paqësore", duke dëshmuar se "diplomacia e Selisë së Shenjtë lind nga Ungjilli dhe ushqehet nga lutja". Këto janë gurët themelorë të misionit të çdo nunci apostolik, veçanërisht në një tokë "të përshkuar nga dhimbja dhe dëshira për rilindje" si Iraku, të cilin Papa Leoni XIV ia kujtoi përfaqësuesit të ri papnor në Bagdad, Imzotit polak Mirosław Stanisław Wachowski, në homelinë e Meshës së shugurimit ipeshkvnor, kryesuar prej tij dje pasdite, më 26 tetor, në Bazilikën e Vatikanit.
Iraku: Kisha e Fetë e tjera, për Paqen
Në shugurimin e tij të parë të një ipeshkvi, Leoni XIV theksoi se Iraku është tokë "me prani të lashtë të krishterë", dikur e quajtur Mesopotami, të cilën dhuna e egër e dekadave të fundit "nuk qe në gjendje ta shuajë" dhe ku Abrahami dëgjoi thirrjen e Zotit. Këtu, nunci apostolik është i thirrur të vazhdojë rrugën e treguar nga Papa Françesku me shtegtimin e tij historik, si i pari Papë, në mars 2021. Për këtë arsye kujtojmë se "Kisha Katolike dëshiron të jetë mike e të gjithëve dhe, përmes dialogut, të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me fetë e tjera, për kauzën e paqes", siç u kujtoi Françesku autoriteteve gjatë vizitës së tij.
Sot jeni të thirrur të vazhdoni atë udhëtim: të mbroni farat e shpresës, të inkurajoni bashkëjetesën paqësore, të tregoni se diplomacia e Selisë së Shenjtë lind nga Ungjilli dhe ushqehet nga lutja. I dashur Kryeipeshkëv Mirosław, uroj të jini gjithmonë njeri i bashkimit dhe i heshtjes, i dëgjimit dhe i dialogut.
Motoja: Lavdia e Zotit le të shkëlqejë në paqe
Gjatë kremtimit Eukaristik në Altarin e Katedrës në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa e nisi homelinë me moton ipeshkvnore të zgjedhur nga kryeipeshkvi i ri: "Gloria Deo Pax Hominibus", jehonë e këngës së Krishtlindjes së engjëjve në Betlehem: "Lavdi Zotit në qiejtë më të larta e paqe ndërmjet njerëzve vullnetmirë mbi tokë ". Është programi i një jete: të kërkosh gjithmonë që lavdia e Zotit të shkëlqejë në paqe ndërmjet njerëzve. Ky është kuptimi i thellë i çdo thirrjeje të krishterë, dhe veçanërisht i asaj episkopale: të bësh të dukshme, përmes jetës së dikujt, lavdërimin e Zotit dhe dëshirën e tij për ta pajtuar botën me veten.
Ipeshkvi, i përulur si mbledhësi i taksave në Tempull
Papa Leoni XIV reflektoi, në vijim, mbi Fjalën e Zotit të së dieles, e cila ofron disa "karakteristika themelore të shërbesës ipeshkvnore".
E para është përvujtëria, si ajo e taksambledhësit në Tempull, së bashku me farizeun, në shëmbëlltyrën e Jezusit, rrëfyer në Ungjillin e Lukës të kësaj së diele të 30-të gjatë vitit kishtar. Është ai - theksoi Papa - që e quan veten mëkatar, që kërkon mëshirën e Zotit e që e merr hirin dhe shpëtimin e Atij të lumit, sepse "kushdo që e larton veten, do të përulet, e kushdo që e përul veten, do të lartohet. Përvujtëria e Bariut - shpjegoi në vijim - nuk është ajo e fjalëve, por ajo "që banon në zemrën e atij, i cili e di se është shërbëtor, jo zotëri; Bari, jo pronar i grigjës". E Papa preket nga mendimi për lutjen e përvuajtur të kaq shumë besimtarëve lindorë, të cilët vazhdojnë të thonë: “O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin”.
Ipeshkvi, Kujdestar me Durim, Respekt e Shpresë
Pastaj ai e ftoi Kryeipeshkvin e ri Mirosław të studiojë rrënjët e tij, një familje fshatare në Poloninë e liqeneve dhe pyjeve. Nga kontakti me tokën, Papa Leoni kujtoi fjalët që përcaktojnë edhe shërbesën ipeshkvnore: "keni mësuar se fryti vjen nga pritja dhe besnikëria".
“Ipeshkvi është i thirrur të mbjellë me durim, të kultivojë me respekt, të presë me shpresë. Është kujdestar, jo pronar; njeri i lutjes, jo i zotërimit. Zoti ju beson një mision në mënyrë që të kujdeseni për të me të njëjtin përkushtim me të cilin fermeri kujdeset për arën: çdo ditë, me këmbëngulje, me besim”.
Bari në një tokë të përshkuar nga dhimbja dhe nga dëshira për rilindje
Lufta e mirë e Shën Palit, në letrën drejtuar Timoteut, përfaqëson udhëtimin e shërbimit të nuncit 55-vjeçar Wachowski në shërbim të Kishës: në Përfaqësitë Papnore në Senegal dhe në Poloninë e tij të lindjes, në Organizatat Ndërkombëtare në Vjenë dhe në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, si hartues dhe nënsekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Atje imzot Wachowski e jetoi "diplomacinë si bindje ndaj së vërtetës së Ungjillit, me kujdes dhe kompetencë, me respekt dhe përkushtim".
"Tani Zoti kërkon që kjo dhuratë të bëhet atësi baritore: të jetë baba e bari”.
