Kërko

Audienca e Papës me eremitët italianë që marrin pjesë në Jubileun e Jetës së Kushtuar (@Vatican Media) Audienca e Papës me eremitët italianë që marrin pjesë në Jubileun e Jetës së Kushtuar (@Vatican Media)

Papa oshënarve: në një botë të tjetërsuar, nevojitet "frymëmarrja shpirtërore"

Leoni XIV takon grupin e rregulltarëve, në Romë për Jubileun e Jetës së Kushtuar, dhe i inkurajon ata të vazhdojnë të jetojnë thirrjen e tyre për të ndihmuar Kishën dhe të gjithë besimtarët të rizbulojnë rëndësinë e intimitetit me Zotin. "Kjo kohë e jona e trazuar ju kërkon," thotë Ati i Shenjtë, "të hyni në misterin e ndërmjetësimit të Krishtit në favor të gjithë njerëzimit, duke pranuar të 'vendoseni në mes' midis krijesës, të brishtë dhe të kërcënuar nga e keqja, dhe Atit të mëshirshëm".

R.SH. – Vatikan

Papa Leoni takon sot një grup eremitësh në Romë për Jubileun e Jetës së Kushtruar dhe i inkurajon ata të vazhdojnë të jetojnë thirrjen e tyre, duke ndihmuar Kishën dhe të gjithë besimtarët të rizbulojnë rëndësinë e intimitetit me Zotin. "Në një botë gjithnjë e më të tjetërsuar në eksterioritetin mediatik dhe teknologjik" ka "më shumë se kurrë nevojë" për "thirrjen drejt interioritetit dhe heshtjes, për të jetuar në kontakt me veten, me të afërmin, me krijimin dhe me Zotin". 

Rregulltarët ndodhen në Romë me rastin e Jubileut të Jetës së Kushtuar, që u zhvillua nga 8 deri më 9 tetor. Për Papën "vokacioni i oshënave dëshmon në Kishë "bukurinë e jetës kontemplative" dhe "nuk është ikje nga bota, por rigjenerim i zemrës, në mënyrë që të jetë e aftë të dëgjojë, burim i veprimit krijues dhe frytdhënës i dashurisë që Zoti na frymëzon. Largimi juaj nga bota nuk ju ndan nga të tjerët, por ju bashkon në një solidaritet më të thellë", tha Leoni XIV.

Rëndësia e eremitëve për Kishën

Papa thekson se si “nga miqësia intime me Zotin” që oshënarët janë thirrur ta jetojnë, rilind “gëzimi i jetës, mahnitja e fesë dhe shija e bashkësisë kishtare”. Ati i Shenjtë Prevost nënvizoi se si këta persona të kushtuar janë figura të rëndësishme në jetën e Kishës, veçanërisht në “zonat e brendshme të vendit” dhe në “kontekste rurale ku meshtarët dhe rregulltarët bëhen gjithnjë e më të rrallë dhe famullitë kishtare varfërohen nga mundësitë e shërbimeve liturgjike e shpirtërore”. “Edhe në kontekstet urbane, anonime dhe komplekse, të shënuara nga vetmia e keqe”, vazhdon Papa, “prania eremitike janë oaza bashkësie me Zotin dhe me vëllezërit”.

Prania juaj e thjeshtë dhe dëshmia juaj lutëse, përmes bashkësisë me peshkopin dhe marrëdhënies vëllazërore me famullitarët, bëhen të çmuara dhe frytdhënëse, pasi rrisin “frymëmarrjen shpirtërore” të bashkësisë së krishterë.

Ndihmoni të tjerët të gjejnë qendrën e zemrës

Leoni XIV shpjegon më pas se ndërsa oshëarët mbeten "besnikë ndaj trashëgimisë së marrë nga Etërit e Kishës në ruajtjen e Fjalës së Zotit, përmes lectio divina dhe shërbimit të lavdërimit dhe ndërmjetësimit me lutjen e psalmeve", ata janë gjithashtu "të thirrur edhe t’i interpretojnë sfidat e reja shpirtërore me krijimtarinë e Shpirtit Shenjt". "Është Shpirti Shenjt Ngushëllues, në fakt, ai që ju hap dialogut me të gjithë kërkuesit e kuptimit dhe të vërtetës, duke ju edukuar të bashkëndani dhe të orientoni kërkimin e tyre shpirtëror, shpesh të ngatërruar", sqaron Papa.

Të gjithë mund të stimuloni të tjerët të kthehen në vetvete, të gjejnë qendrën e zemrës, siç na ka mësuar Papa Françesku në Enciklikën Dilexit nos.

"Atje, në thellësinë e shpirtit, secili mund të zbulojë zjarrin e dëshirës për Zotin që digjet dhe nuk shuhet kurrë", vazhdon Leoni XIV, duke shtuar se eremitët janë "kujdestarë dhe dëshmitarë" të kësaj dëshire që "banon në çdo person", "në mënyrë që secili të mund ta zbulojë dhe ta ushqejë në vetvete".

11 tetor 2025, 15:25