Kërko

Një motër rregulltare e Misionareve të Dashurisë në famullinë e Familjes së Shenjtë në Gaza (AFP ose licencuesit) Një motër rregulltare e Misionareve të Dashurisë në famullinë e Familjes së Shenjtë në Gaza (AFP ose licencuesit)

Papa falënderon rregulltarët në Gaza për "dëshminë e guximshme dhe të palodhur"

Leoni XIV dërgoi një mesazh në ceremoninë e Çmimit Silvestrini, duke shprehur fjalë mirënjohjeje për rregulltarët e Kishës së Familjes së Shenjtë në Gaza. Në prani të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, dëshmitë e rrëfimet e meshtarëve dhe motrave rregulltare që kanë jetuar në Rrip.

R.SH. - Vatikan

Një "vlerësim vëllazëror" për "dëshminë e guximshme dhe të palodhur në një kontekst veçanërisht të rëndë dhe të rrezikshëm, pranë njerëzve më të cenueshëm dhe atyre që kanë humbur gjithçka". Kështu pohon Papa Leoni XIV në një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, lexuar nga profesori Carlo Felice Casula, përgjegjës kulturor i "Shoqatës Ndërkombëtare të Çmimit Achille Silvestrini për dialogun dhe paqen" (Apias), i cili në edicionin e tij të tretë iu dha dje, 15 tetor, Atë Gabriel Romanelli, motrave rregulltare misionare të Karitasit dhe motrave rregulltare të Familjes së Fjalës së Mishëruar që veprojnë në Famullinë e Qytetit të Gazës.

Ceremonia e dorëzimit të çmimit u zhvillua dje në mbrëmje, në Romë, në Kolegjin Universitar të Meritës Villa Nazareth, ku Kardinali Silvestrini ka qenë president.

Papa, thuhet në mesazh, "siguron lutjen e tij që famullia e Familjes së Shenjtë në Gaza të mund të vazhdojë misionin e saj në shërbim të më të dobëtve, për t’u dhënë ngushëllim dhe për të kultivuar te secili shpresën për një të nesërme në drejtësi dhe paqe".

Në ceremoninë e dorëzimit të ‘Çmimit Ndërkombëtar Achille Silvestrini për dialogun dhe paqen’, që iu dha, dje në mbrëmje, më 15 tetor, Atë Gabriel Romanelli, famullitar i famullisë së Familjes së Shenjtë në Gaza, si dhe meshtarëve dhe motrave rregulltare të Kishës së vetme katolike në Gaza, ishin të pranishëm edhe vetë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, patriarku latin i Jeruzalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa e shumë personalitete tjera.

Motivimi i Çmimit

Në motivimin e Çmimit theksohet se "që nga fillimi dhe në realitetin tragjik të barbarisë së konfliktit, famullitari dhe motrat rregulltare me frymë bujare shërbimi, angazhim personal dhe përkushtim" janë "përpjekur të mirëpresin, ndihmojnë dhe mbrojnë një numër të madh refugjatësh dhe nevojtarësh, duke dhënë një dëshmi të jashtëzakonshme të vlerave të solidaritetit, dialogut dhe paqes". Dhe këtë e kanë bërë pa asnjë dallim etnik, fetar apo social, duke e kthyer famullinë kishtare të Gazës në një pikë strehimi, humaniteti, "vend mikpritjeje, vëllazërie dhe shprese".

16 tetor 2025, 09:45