Kërko

shoqata vullnetare 'Venezia Pesce di Pace' shoqata vullnetare 'Venezia Pesce di Pace'

Papa i shkruan shoqatës: "Qytetet që integrohen, janë të bukura"

"Sa të bukura janë qytetet që kapërcejnë mosbesimin e pashëndetshëm dhe integrojnë ata që janë të ndryshëm": të papritura, të vërteta, të thella. Këto janë fjalët që përmbahen në letrën e dërguar, në mënyrë të papritur, nga Papa Leoni XIV drejtuar Nadia De Lazzari-t, kryetares së shoqatës vullnetare ‘Venecia Pesce di Pace’.

R.SH. - Vatikan

Papa Leoni XIV i dërgoi një letër Nadia De Lazzari-t, drejtuese e shoqatës vullnetare Pesce di Pace, me rastin e projektit "Ta pikturojmë lirinë në Venecia". I nisur në burgun e grave Giudecca, (lagje e banuar nga hebrenj ose kryesisht nga hebrenj në Venecia) për të përkujtuar 300-vjetorin e lindjes së Giacomo Casanova-s, projekti tani është ngjarje e hapur për qytetin. Ekspozita do të mbahet në Scuola Grande di San Teodoro nga e enjtja, 13 nëntor në orën 14:00, deri të hënën, 17 nëntor në orën 14:00.

"Sa të bukura janë qytetet që kapërcejnë mosbesimin e pashëndetshëm, që i pranojnë të ndryshmit dhe që e bëjnë këtë integrim faktor të ri zhvillimi" - shkruan Papa Leoni XIV, duke theksuar bukurinë e angazhimit të dyzet grave që, me rreth njëqind studente, krijuan një shtegtim kulturor e edhe njerëzor, që flet për liri, rilindje dhe përfshirje.

Papa shpreson se "ngjarja do të frymëzojë angazhimin e ripërtërirë të të burgosurave femra, që të sigurojnë mundësitë e tyre për riintegrim shoqëror, duke respektuar dinjitetin e secilit". Së fundmi, "ndërsa inkurajon përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e ndërgjegjësimit në mënyrë që të gjithë të mund të bashkëpunojnë në rrugën e rilindjes integrale për ata që ndihen të refuzuar dhe të margjinalizuar nga shoqëria, u jep bekimin e tij apostolik".

Nadia De Lazzari, përgjegjëse e shoqatës vullnetare 'Venezia Pesce di Pace', komenton: "Ishte thellësisht prekëse. Kjo letër nuk është vetëm njohje e vlerës më të lartë morale, por edhe përqafim drejtuar atyre që shpesh ndodhen në kushte të vështira. Të burgosurat femra dhe të rinjtë besuan në këtë projekt, duke i dhuruar zemrat dhe frymën krijuese të tyre. Mesazhi na inkurajon të ecim përpara dhe ta bëjmë të dukshme atë që shpesh mbetet e padukshme".

Projekti edukativ dhe kulturor, lindur në burg, nisi me një kurs mbi Casanova-n dhe punëtorinë e artit, u realizua nga 'Venezia Pesce di Pace', në bashkëpunim me Scuola Grande di San Teodoro, Burgu i Grave Giudecca, me Shkollën e Artit Marco Polo, Institutin Gjithëpërfshirës Francesco Morosini dhe me mbështetjen e disa institucioneve, duke përfshirë Fondacionin e Arkivit Giorgio Cini, BCC Veneta dhe Photo Know How.

30 tetor 2025, 10:54