Kërko

Madagascar protesters return to streets despite move to dissolve government

Papa: i trishtuar nga përleshjet në Madagaskar, të shmanget dhuna

Në fund të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV bëri thirrje për vendin e Afrikës Lindore, tronditur prej ditësh nga protestat e të rinjve kundër situatës së përkeqësuar ekonomike dhe sociale. Përleshjet e ashpra me policinë kanë çuar në vdekjen e mbi 20 vetëve dhe në qindra të plagosur. Papa u lut për viktimat dhe kërkoi që të nxitet "harmonia sociale" duke promovuar drejtësinë dhe të mirën e përbashkët

R.SH. – Vatikan

Papa Leoni XIV shprehu trishtimin e tij për lajmet nga Madagaskari, vendi i Afrikës Lindore i tronditur këto ditë nga dhuna, pas demonstratave të rinisë, për shkak të ndërprerjeve të ujit dhe të energjisë elektrike. Në thirrjen e tij, në fund të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa foli për "përleshje të dhunshme" ndërmjet forcave të rendit dhe protestuesve, të cilat kanë sjellë vdekje e plagosje. Sipas shifrave të fundit të publikuara nga OKB-ja, 22 vetë kanë humbur jetën dhe më se njëqind janë plagosur.

“T'i lutemi Zotit që të shmanget gjithmonë çdo formë dhune dhe të favorizohet kërkimi i vazhdueshëm i harmonisë shoqërore, përmes promovimit të drejtësisë dhe të mirës së përbashkët”.

Demonstratat

Të frymëzuara nga protestat e "Gjeneratës Z" në Kenia dhe Nepal, demonstratat në Madagaskar - më të mëdhatë që vendi ka parë ndonjëherë - lindën nga acarimi i miliona njerëzve, për shkak të keqësimit të kushteve ekonomike dhe shoqërore. Shërbimet që mungojnë, infrastruktura e pamjaftueshme, ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe korrupsioni në qeveri janë në rrënjë të kësaj pakënaqësie. Grupet rinore, duke përdorur mediat sociale, nisën një mobilizim, që kulmoi me protestat, të cilat e bënë presidentin Andry Rajoelina - i cili erdhi në pushtet për herë të parë përmes një grushti shteti në vitin 2009 - të shpërndante qeverinë e tij më 29 shtator. Sipas OKB-së, forcat e rendit kanë shkaktuar viktima edhe ndër kalimtarët e njerëz të tjerë janë vrarë nga banda kriminale. Manifestuesit kanë bërë thirrje për protesta të mëtejshme, të cilat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të ishullit.

01 tetor 2025, 11:34