Papa: Jubileu, për të çliruar njerëzit dhe popujt nga kthetrat e fajdes
R.SH. / Vatikan
Mëkat "shumë i rëndë", që mund t'i çojë familjet në krizë e ta lodhë mendjen dhe zemrën deri në atë pikë, sa "ta nxisë njeriun në vetëvrasje". E edhe "barrë mbytëse", që prek "njerëzit, e veçanërisht të prekshmit, siç janë viktimat e lojërave të fatit", por edhe ata që kanë nevojë për "kujdes të jashtëzakonshëm mjekësor". Për Papën Leoni XIV, fajdeja fillimisht paraqitet si ndihmë, por në plan afatgjatë "bëhet stërmundim". Kështu e përshkroi Papa problemin, me "ndikim shkatërrues në jetën e shumë individëve dhe të familjeve", para 150 anëtarëve të Këshillit Kombëtar kundër fajdesë "Shën Gjon Pali II", të cilët sot paradite, 18 tetor, u mblodhën në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, me rastin e tridhjetëvjetorit të themelimit të tij.
Kjo është arsyeja pse puna e atyre si ju, të cilët janë të përkushtuar për ta dekurajuar fajdenë dhe kërkojnë t'i japin fund kësaj praktike, është kaq e vlefshme. Puna juaj është veçanërisht në përputhje me frymën dhe praktikën e Jubileut dhe mund të llogaritet ndërmjet shenjave të shpresës që karakterizojnë këtë Vit Shenjt Jubilar.
Fajdeja është e lidhur "me korruptimin e zemrës njerëzore".
Papa Prevost kujtoi se fenomeni i fajdesë "të çon tek tema e korruptimit të zemrës njerëzore", e historia e saj "është e dhimbshme dhe e lashtë": që në Bibël profetët e denoncuan, "njëherësh me shfrytëzimin dhe çdo formë padrejtësie kundër të varfërve". Ndaj e përcaktuan larg Zotit qëndrimin e atyre që "i shtypin njerëzit deri në pikën e skllavërisë".
Bëhet fjalë për një mëkat mortar, ndonjëherë shumë i rëndë, sepse nuk mund të reduktohet në çështje të thjeshtë kontabiliteti; fajdeja mund të sjellë krizë në familje, mund të lodhë mendjen dhe zemrën deri në atë pikë, sa ta çojë dikë të konsiderojë vetëvrasjen si të vetmen rrugëdalje.
Mund të duket si ndihmë, por bëhet barrë mbytëse
Në fjalimin e tij, Leoni XIV theksoi se ekziston një lloj fajdeje që në dukje "të krijon idenë se dëshiron t’i ndihmojë ata që janë në vështirësi financiare", por që shpejt zbulohet se është "barrë mbytëse".
Më të prekshmit, si viktimat e bixhozit, vuajnë pasojat. Megjithatë, prek edhe ata që duhet të përballojnë kohë të vështira, siç janë trajtimet e jashtëzakonshme mjekësore ose shpenzimet e papritura përtej mundësive të tyre e edhe të familjes së tyre. Ajo që fillimisht duket si ndihmë, në të vërtetë bëhet mundim në planin afatgjatë.
Sistemet financiare të fajdesë i gjunjëzojnë mbarë popujt
Në nivelin e Vendeve anembanë botës, vazhdoi Papa, "sistemet financiare të fajdesë mund të gjunjëzojnë popuj të tërë". E në vijim dhe ai citoi Katekizmin e Kishës Katolike i cili, në numrin 2269, denoncon përgjegjësinë e rëndë, që "ushqen strukturat e padrejta të mëkatit", të atyre "që përdorin praktika fajdeje dhe tregtie, të cilat shkaktojnë urinë dhe vdekjen e vëllezërve dhe motrave të tyre në njerëzim".
"Pyetja që përsëritet gjithmonë, është e njëjtë: a nuk janë qeniet njerëzore më pak të talentuara? A nuk kanë të ligshtit të njëjtin dinjitet si ne? A janë ata që lindin të ligshtë më pak të denjë si qenie njerëzore; a duhet thjesht të mbijetojnë?".
Rëndësia e kthesës së atyre, që praktikojnë fajdenë
Këto pyetje përmbahen në Nxitjen Apostolike Dilexi te mbi dashurinë për të varfrit, të cilën Papa Leoni XIV e citoi për të na kujtuar se vlera e shoqërive tona varet nga përgjigjja e këtyre pyetjeve, e edhe e ardhmja jonë gjithashtu varet nga ajo. Ose rifitojmë dinjitetin tonë moral dhe shpirtëror, ose biem si në një gropë ndyrësie". Së fundi, Ati i Shenjtë Prevost na fton të meditojmë mbi qëndrimin e Jezusit ndaj Zakeut, kryetaksambledhësit të Jerikos, siç përshkruhet në Ungjillin e Lukës. Një njeri i mësuar me abuzimin dhe ngacmimin, i shfrytëzonte të tjerët dhe fitonte para duke "i rrënuar më të ligshtit". Por Jezusi e thërret dhe i thotë se dëshiron të shkojë në shtëpinë e tij: ky "bakshish" e zhvendos Zakeun, i cili vjen në vete, e kupton gabimin e tij dhe vendos ta shlyejë "me interes". Vetëm bujaria, komenton Papa, "është aq efektive, sa të na zbulojë kuptimin e humanizmit tonë".
“Kur mbizotëron ndjekja e fitimit, të tjerët nuk janë më njerëz, nuk kanë më fytyrë, janë thjesht objekte për t'u shfrytëzuar; e kështu ne përfundojmë duke humbur veten e edhe vetë shpirtrat tanë. Kthimi i atyre që njollosen me fajde është po aq i rëndësishëm, sa afërsia jonë me ata që pësuan prej saj”.
Angazhim komunitar, i mbështetur nga barinjtë e Kishës
Fjalët e fundit të Leonit XIV janë inkurajim "për të çuar përpara misionin" që shpreh "angazhim komunitar, të mbështetur nga barinjtë e Kishës".
Pas audiencës, në orën 12.00, njëri prej tyre, Kryeipeshkvi i Bari-Bitontos, Giuseppe Satriano, kryesoi Meshën për vullnetarët e 35 fondacioneve anëtare të Konsultës kombëtare italiane kundër fajdes, me presidentin Luciano Gualzetti, pranë Altarit të Katedrës në Bazilikën e Shën Pjetrit.
