Papa katolikëve rusë: jini shembull vëllazërie dhe solidariteti për të tjerët
R.SH. – Vatikan
Me “monumentet e saj të qytetërimit të lashtë romak”, Bazilikat, Kishat, “manastiret dhe shumë shenja të tjera të prekshme të fesë së gjallë, të rrënjosur në zemrat e njerëzve, të aftë për të transformuar ndërgjegjet dhe për të motivuar drejt së mirës”, Roma, e vizituar këtë vit nga mijëra shtegtarë për Vitin e Shenjtë Jubilar të Shpresës, “mund të jetë një simbol i ekzistencës njerëzore”. Leoni XIV e thekson këtë para një grupi katolikësh nga Rusia, të cilët i priti sot në audiencë në Sallën Klementine në Vatikan, duke u shpjeguar atyre se në jetën e secilit prania e “‘rrënojave’ të përvojave të kaluara, anktheve, pasigurive dhe shqetësimeve, së bashku me besimin që rritet çdo ditë dhe bëhet veprues në dashuri, dhe me shpresën që nuk zhgënjen” është një inkurajim për të konsideruar se “pavarësisht mëkatit dhe armiqësive, Zoti mund të ndërtojë botën e re dhe jetën e ripërtërirë”.
Gurë të gjallë në ndërtesën e Kishës
Papa ndalet te kuptimi i shtegtimit jubilar dhe vëren se “mijëra njerëz” gjatë këtyre muajve përshkojnë “rrugët e Qytetit të Përjetshëm, Romës, për të kaluar Portën e Shenjtë, për të qëndruar pranë varreve të Apostujve dhe Martirëve dhe për të mbushur zemrat me shpresë përgjatë shtigjeve të shumta të fesë”. “Prania juaj përfshihet në udhëtimin e shumë brezave që kanë dashur të vizitojnë këto vende”, shpjegon Papa Leone meshtarëve, motrave rregulltare, rregulltarëve dhe laikëve rusë, duke shtuar se në Romë “rreh zemra e shpirtit të krishterë” dhe aty “ndërthuren ngjarjet e fesë – e marrë dhe e transmetuar që nga kohët apostolike dhe nga e cila shumë popuj e kombe kanë marrë me begati dhe nga e cila jetojnë ende sot – me shqetësimet dhe angazhimet e jetës së përditshme”.
Ndërtesat e shenjta të Romës evokojnë realitetin shpirtëror: se përmes sakramentit të Pagëzimit edhe ne jemi “përdorur si gurë të gjallë për ndërtimin e një ndërtese shpirtërore, për një meshtari të shenjtë, për të ofruar flijime shpirtërore të pëlqyeshme para syve të Hyjit, nëpërmjet Jezu Krishtit”. Të dashur vëllezër dhe motra, po, është e vërtetë, secili prej nesh është një gur i gjallë në ndërtesën e Kishës. Çdo gur, edhe pse i vogël, i vendosur nga Zoti në vendin e duhur, luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin e gjithë ndërtesës.
Shpresa vjen nga takimi me Zotin
Së fundi, Leoni XIV kujton dhuratën e Papa Françeskut për Kishën Katolike Ruse, rreth një vit më parë, të ikonës së Zojës Mari ‘Salus Populi Romani’, të bekuar prej tij, që "të bëhej shenjë e Vitit të Shenjtë". Urimi i Papës Prevost është që shtegtimi i kësaj ikone të Zojës Bekuar "në dioqezat katolike të Rusisë të jetë arsye ngushëllimi" për të gjithë dhe "në veçanti për personat e sëmurë dhe të vuajtur". "Qoftë edhe një ftesë për të nxjerrë shpresë nga takimi me Zotin përmes lutjes, leximit të Shkrimit të Shenjtë - Biblës, ndihmës ndaj nevojtarëve dhe fjalëve të ngushëllimit", përfundon Leone, i cili siguron lutjen e tij për besimtarët rusë dhe i lutet së "Lumes Mari Virgjër, Nënë e Zotit dhe Mbretëreshë e Paqes", që të mbështesë jetën e tyre të krishterë.
