Kërko

Papa: Kisha duhet të kapërcen rezistencën, frikën, keqkuptimet

Në Sallën Pali VI, Leoni XIV dialogon lirshëm, pa tekst, me pjesëmarrësit e Jubileut të ekipeve sinodale e të organizmave të pjesëmarrjes, duke iu përgjigjur shtatë pyetjeve të delegatëve nga të gjitha kontinentet. Papa thekson thirrjen misionare të Kishës, e cila duhet të "dëgjojë klithmën e tokës" dhe të punojë që karizmat e të gjithëve të respektohen. Por edhe të jetë "urë midis kulturave dhe feve" dhe të ndërtojë paqe dhe bashkim. Nga Azia dhe Afrika, kujton ai, kemi shumë për të mësuar

R.SH. / Vatikan

Ishte një takim i pritur ai që u mbajt, dje pasdite në Sallën Pali VI, salla Nervi, në Vatikan. 200 anëtarë të ekipeve sinodale dhe të organeve pjesëmarrëse, të mbledhur për Jubileun e tyre (nga 24 deri më 26 tetor), e pritën Papën me një duartrokitje të madhe, të gjatë dhe të ngrohtë. Dëgjohen shumë thirrje: "Rroftë Papa!". Duartrokitje e madje edhe disa këngë. Papa Leoni XIV u prit nga kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sekretarisë së Përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve, i cili kishte hapur punimet në orët e para të pasdites së djeshme, në orën 15:00.

Ky moment takimi-dialogu me Papa Leonin XIV ishte shumë i pritur: një moment në të cilin shtatë përfaqësues nga shtatë zona gjeografike paraqitën një raport mbi sfidat e ndryshimeve të prezantuara për zbatimin e sinodalitetit të Kishës në territoret e tyre. Sinodaliteti i Kishës universale është i gjithë i përfaqësuar: ngjyrat përzihen; gjuhët ndërthuren dhe duket se të gjithë flasin të njëjtën gjuhë. Temat janë të shumta dhe të ndryshme. Pyetjet drejtuar Papës ishin më shumë një hyrje në vizionet e ndryshme që Papa dëshironte të bashkëndante me audiencën e Sallës Nervi.

Takimi fillon me një raport të përfaqësuesit të Afrikës. Dhe nga pyetja që i bëhet, Papa përgjigjet me një vizion të Afrikës shumë të favorshëm për Kishën, sepse - tha Papa - "Afrika ka shumë për të na ofruar", edhe pse thekson se ka "shumë sfida që mund e duhet të shndërrohen në shumë mundësi". Në rrugën sinodale, deklaron Papa Leoni XIV,  mbi të gjitha është i rëndësishëm dëgjimi. Një dëgjim edhe i njerëzve që janë në "kërkim" të takimit me Zotin. Më pas thekson sa e rëndësishëm është misioni për Kishën: në këtë drejtim kujton paraardhësin e tij, Papa Françeskun. Lidhur me këtë edhe për Papa Leonin XIV: "Kisha është misionare" dhe duhet, pra, të shpallë Ungjillin, "Lajmin e Mirë" deri "në fund të botës", pohoi Leoni XIV duke cituar vetë Ungjillin. Së fundi, u kujtua se sinodaliteti nuk mund të interpretohet si "një model i ngurtë": "duhet të jetë një kthim", përfundoi Ati i Shenjtë.

Pastaj është momenti i Oqeanisë. Në këtë rast, Papa Leoni flet për situatën klimatike. Një situatë për të cilën "është e nevojshme një përgjigje urgjente". Duke iu referuar enciklikës Laudato si' të Papa Françeskut, Prevost thekson se duhet t'i përgjigjemi "thirrjes" për t’u kujdesur për shtëpinë tonë të përbashkët (e quan "thirrje" Papa Leoni XIV) që është e pranishme në dokumentin papnor të paraardhësit të tij. Leoni XIV thekson, në fakt, me forcë: "Nuk mund të mbetemi pasivë" por "duhet të merremi me këto çështje" për "ta bërë botën një vend më të mirë".

Përfaqësuesit të Amerikës së Veriut (të Kanadasë-Quebec) që pyet "Çfarë do t'u thoshte meshtarëve që kanë frikë se sinodaliteti mund të zvogëlojë autoritetin e barinjve?", Papa përgjigjet se jo të gjithë mund të "vrapojnë me të njëjtën shpejtësi" dhe shumë shpesh "rezistencat vijnë nga frika". Si ta zgjidhim këtë pyetje? Për Papën Leoni XIV rruga është: "Hapja e zemrës". Dhe më pas i kushton vëmendje rëndësisë së "formimit": "nëse nuk ka formim të duhur në të gjitha nivelet" do të ketë gjithmonë probleme.

Pastaj, Lindja e Mesme: një "shije delikate" së cilës Papa i kushton fjalë shprese. Mendohet për udhëtimin e ardhshëm në Liban. Pyetja ka të bëjë me ndryshimet e nevojshme në Kishat lindore për të jetuar plotësisht frymën sinodale. Dhe te fryma, por në veçanti te Shpirti Shenjt, shikon Papa: fton të lutemi, në fakt, për territorin e Lindjes së Mesme dhe, pra, për Kishat lindore. Dhe, pastaj, deklaron: "Duhet të bashkohemi për të qenë shenjë shprese". Në vazhdim të takimit ndiqet një pauzë muzikore e interpretuar nga At Cristobal Fones S.J., Drejtor i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës.

Pjesa e dytë e ndërhyrjeve-pyetjeve-çështjeve, gjatë takimit të djeshëm me Papën, fillon me një vështrim mbi Amerikën Latine dhe Karaibet. Papa, në këtë rast, thekson edhe një herë rëndësinë e dëgjimit të Shpirtit Shenjt Zot, në mënyrë që të bëhemi "gjithëpërfshirës". Theksi i pyetjes, në fakt, ishte se si mund ta jetojmë gjithëpërfshirjen përmes sinodalitetit të Kishës. Dhe, edhe një herë, Leoni XIV flet për formimin, thelbësor për fjalën tjetër kyçe të sinodalitetit. Ati i Shenjtë gjithashtu hedh  edhe një vështrim mbi Jubileun, i cili kujton se sa i rëndësishëm është momenti i "konvertimit dhe pajtimit" për jetën tonë. Në këtë drejtim Papa kujton edhe "spiritualitetin e Ungjillit": "Ky mund të na frymëzojë për të ndjekur rrugët e përfshirjes".

Një nga pikat kryesore të Dokumentit të udhës sinodale ishte pa dyshim çështja e rolit të gruas në Kishë. Pikërisht mbi këtë temë qe pyetja e përfaqësuesit të Evropës, i cili pyet Papën "çfarë shprese mund të ushqejnë gratë në Kishën universale"? Papa Leoni XIV në përgjigjen e tij prek, pra, disa çështje. Duke filluar, ndër të tjera, nga përvoja e tij familjare: "Babai im dhe nëna ime ishin shumë aktivë në famulli". Ati i Shenjtë Prevost flet për vitet '70 kur filloi një diskutim mbi barazinë midis burrit dhe gruas. Nëna, kur u pyet nëse donte apo jo këtë barazi, u përgjigj: "Jo, sepse ne kështu jemi më mirë". Një shaka e Papës që më pas shndërrohet në një diskutim më të gjerë.

Leoni XIV kujton, në fakt, se jo të gjithë ipeshkvijtë "i lejojnë gratë të luajnë rolin e duhur në Kishë" e flet për kulturën, mbi të gjitha: sidomos për ato vende që ende nuk e njohin rëndësinë e gruas në Kishë. Për këtë "ka ende disa pengesa", pranon Papa. Roli i Kishës, pra, është të jetë në gjendje - në një farë mase - të transformojë kulturat ende të largëta në çështjen e barazisë midis burrit dhe gruas. Nuk bëhet fjalë - saktëson Papa - vetëm për një çështje brenda Kishës, por flet mbi të gjitha edhe për aspekte kulturore, sociale. Ka ende vende ku ndryshimi social ndihet e ndikon. Madje edhe shumë. Diskutimi, pra, zgjerohet për Papën. Ashtu siç zgjerohet kur flitet për Azinë, vendi i fundit që u përmend në takimin e djeshëm gjatë ndërhyrjeve dhe pyetjeve. Ati i Shenjtë Leoni XIV e lavdëron Azinë për "ndjenjën e saj të veçantë të misterit" të pranishëm në shumë fe të kontinentit aziatik. Dhe është në këtë skenar që Papa shikon për të ripohuar sa e rëndësishëm është dëgjimi i Shpirtit Shenjt: "Mund të mësojmë shumë nga Lindja".

Takimi përfundon me recitimin e lutjes së "Atë Ynë-së" dhe Bekimin përfundimtar për të pranishmit, dhënë nga Papa. Takimi, i cili përfshiu 200 anëtarët e Sesionit të hapjes së Jubileut, filloi në orën 15:00 me një lutje dhe një fjalim nga kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sekretarisë së Përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve. Më pas, fjalimet u alternuan nga kardinali Grzegorz Ryś, kryeipeshkëv i Łódź në Poloni; Miguel De Salis Amaral, portugez, profesor i jashtëm i Eklesiologjisë në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit Papnor të Kryqit të Shenjtë; Mariana Aparecida Venâncio, anëtare e Komisionit Kombëtar të Animacionit për fazën zbatuese të Sinodit në Brazil. Fjalimet u moderuan nga ipeshkvi augustinian Luis Marín De San Martín, nënsekretar i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit.

25 tetor 2025, 11:05