Papa: Krishti është e vetmja përgjigje për dëshirat e zemrës

Më shumë se 60,000 besimtarë u mblodhën sot në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme të Leonit XIV, i cili në katekizmin e tij foli për "Jezusin e vdekur dhe të ringjallur" si Ai që bëhet "shoqërues" në udhëtimin "e lodhshëm, të dhimbshëm e misterioz" të jetës. Me Të, ne përjetojmë "të mbështetemi pavarësisht gjithçkaje", thotë Papa, "të shuar dhe të forcuar në sprovat dhe vështirësitë që, si gurë të rëndë, kërcënojnë të bllokojnë ose të nxjerrin nga shinat historinë tonë"

R.SH. / Vatikan

Pas katekizmave që "përshkruajnë jetën e Jezusit sipas Ungjijve, nga lindja deri në vdekje dhe në ringjallje", në audiencën e përgjithshme të mbajtur sot, më 15 tetor, në Sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV filloi pjesën e fundit të ciklit të Jubileut "Jezu Krishti, shpresa Jonë" dhe shfletoi kapitullin "Ngjallja e Krishtit e sfidat e botës së sotme" me reflektimin "I Ngjalluri, gurrë e gjallë e shpresës njerëzore".

"Do të lejojmë që misteri i Krishtit, kulmues në Ngjallje, të lëshojë dritën e tij shpëtimtare në kontakt me realitetin aktual njerëzor dhe historik, me pyetjet dhe sfidat e tij", kujtoi Papa nga tremja e Bazilikës së Vatikanit, pas gjiros së tij të zakonshme ndërmjet besimtarëve në xhipin e bardhë, më e gjatë se zakonisht sot, për t’i përshëndetur të gjithë nga afër. Prania e afërsisht 60,000 shtegtarëve e shtyu Papën përtej hemiciklit të Berninit, përgjatë Via della Conciliazione, ku e mirëpriste një turmë brohoritëse.

Pika arritjes në rrugën tonë

Duke depërtuar në shpirtrat dhe zemrat e njerëzve e duke analizuar atë kërkim të pafund për lumturi, atë boshllëk që mbetet për t'u mbushur pavarësisht nga qëllimet e arritura dhe etjes së pafundme që na shtyn gjithmonë drejt përtej, Papa Leoni shpjegoi se "pyetjet më të thella" mund të marrin përgjigje "vetëm nga Jezusi, i vdekur e i ringjallur". E se, kur pyesim veten nëse "vërtet ka një pikë mbërritjeje për ne", nëse "ekzistenca jonë ka kuptim" dhe "si mund të shpengohen vuajtjet e kaq shumë të pafajshmëve", Krishti "bëhet shoqëruesi ynë". Ai është në anën tonë, në "udhëtimin shpesh të lodhshëm, të dhimbshëm dhe misterioz" të ekzistencës. "Vetëm Ai mund ta mbushë shtamben tonë të zbrazët me ujë kur etja bëhet e padurueshme", theksoi Papa.

Ai është edhe caku i udhës sonë. Pa dashurinë e tij, udha e jetës do të bëhej e pa cak, gabim tragjik, me cak të humbur. Jemi krijesa të brishta. Gabimi është pjesë e njerëzimit tonë; është plaga e mëkatit që na bën të biem, të dorëzohemi, të dëshpërohemi. Megjithatë, të ngrihemi përsëri do të thotë të ngrihemi rishtas e edhe të qëndrojmë në këmbë. I Ngjalluri garanton mbërritjen tonë; na çon në shtëpi, ku jemi të pritur, të dashur, të shpëtuar. Të udhëtojmë me të përkrah do të thotë të kemi mbështetje, pavarësisht nga gjithçka: të shuar dhe të forcuar në sprova dhe vështirësi që, si gurë të rëndë, kërcënojnë të bllokojnë ose të prishin udhëtimin tonë.

Diçka na mungon gjithnjë

Për të treguar se një takim me Jezusin na ndryshon, Papa u përqendrua në jetën e secilit, "të shënuar nga ngjarje të panumërta, plot nuanca dhe përvoja të ndryshme", në gjendjet shpirtërore që përjeton secili person - "shpesh ndihemi të gëzuar, herë tjetër të trishtuar, ndonjëherë të kënaqur ose të trembur, të kënaqur ose të demotivuar" në përpjekjet e përditshme, "jetojmë të zënë, përqendrohemi në arritjen e rezultateve, madje arrijmë qëllime të larta dhe prestigjioze"; mbi pritjet - "mbetemi të pezulluar, të pasigurt, duke pritur suksese dhe njohje - të cilat mund të materializohen ose jo.

Do të dëshironim të ishim të lum, megjithatë është shumë e vështirë ta arrijmë këtë, vazhdimisht e pa hije. Pajtohemi me kufizimet tona e, në të njëjtën kohë, me dëshirën e papërmbajtshme për t'u përpjekur t'i kapërcejmë ato. E ndiejmë thellë brenda nesh se na mungon gjithmonë diçka. Sepse nuk u krijuam për zbrazësi, por për plotësi, për të shijuar jetën e jetën me plotësi, sipas Jezusit në Ungjillin e Gjonit.

Jezusi shuan etjen për plotësi

Por nuk është "në role", "në pushtet" ose "në zotërime" që kjo "dëshirë e thellë" e "zemrës" gjen "përgjigjen e saj përfundimtare", sqaron Papa, por përkundrazi "në sigurinë se është dikush që garanton" këtë "impuls" dhe "në dijeninë" se "pritja nuk do të zhgënjehet ose do të pengohet". Eshtë shpresa, që nuk duhet ngatërruar me optimizmin, i cili shpesh "na zhgënjen, shikon si shpërthejnë pritjet tona", saktësoi më tej Papa Leoni, duke shtuar se në vend të kësaj "shpresa premton - dhe e mban premtimin”.

Jezusi i Ringjallur është garancia e kësaj përmbushjeje! Ai është burimi që shuan etjen tonë të zjarrtë, etjen e pafundme për përkryerjet që Shpirti Shenjt mbjell në zemrat tona. Ngjallja e Krishtit nuk është ngjarje e thjeshtë në historinë njerëzore, por ngjarja që e shndërroi atë nga brenda.

Një gurrë e përhershme jete

 Pamja e "burimit të ujit", i cili "shuan etjen dhe freskon", "ujit tokën dhe bimët", duke e bërë "pjellore dhe të gjallë atë që përndryshe do të mbetej e thatë", i cili ofron freskim dhe është një "oazë freskie" për "udhëtarin e lodhur", shkurt, është "dhuratë falas për natyrën", "krijesat" dhe "qeniet njerëzore", sepse "pa ujë nuk mund të jetohet", për Leonin XIV   na lejon të kuptojmë më mirë se kush është Jezusi dhe dhuratën që ai na ofron.

I Ngjalluri është gurra e gjallë që nuk shterron as nuk pëson ndryshime. Mbetet gjithnjë e pastër, e gatshme për të gjithë ata që kanë etje. E sa më shumë shijojnë misterin e Zotit, aq më shumë tërhiqemi, pa e shuar kurrë etjen. Shën Augustini, në librin e “Rrëfimeve” përfshin të gjitha rrahjet e  zemrës sonë dhe i shpreh në Himnin e bukurisë. Jezusi, me Ngjalljen e tij, na siguroi ne, të gjallëve,  se do të na siguronte amshimin e përkryer”.

Shpresa e sigurt e paqes së pafundme

E, thënë me pak fjalë, Papa na lë një sintezë me cilën ia vlen të bësh thesar; është Ngjallja e Krishtit, “prej nga gurron shpresa, pavarësisht nga lodhja e të jetuarit, e është e tillë, që të bën ta parashijosh lodhjen e jetës, paqen e thellë gazmore “atë paqe që vetëm Ai mund të na e dhurojë në fundin e pafund”.

15 tetor 2025, 13:33

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >