Papa: Kisha nuk e toleron antisemitizmin dhe e lufton atë për hir të Ungjillit
R.SH. - Vatikan
Të gjithë paraardhësit e mi e dënuan qartë antisemitizmin. E kështu edhe unë pohoj se Kisha nuk e toleron antisemitizmin dhe e lufton, për hir të vetë Ungjillit.
Papa Leoni XIV, në katekizmin e Audiencës së sotme të përgjithshme, të mërkurën, më 30 tetor, në Sheshin e Shën Pjetrit, përsëriti papajtueshmërinë e plotë ndërmjet Ungjillit, mësimeve të Kishës dhe antisemitizmit. Audienca e sotme, siç e njoftoi vetë Papa Leoni në fillim të katekizmit, i kushtohet "dialogut ndërfetar", në vazhdën e festimeve për gjashtëdhjetëvjetorin e Deklaratës Nostra Aetate, miratuar nga Koncili II i Vatikanit më 28 tetor 1965. Ky dokument ripërcaktoi marrëdhënien ndërmjet Kishës Katolike dhe feve jo të krishtera, veçanërisht Judaizmit.
Rrënjë të përbashkëta
Kisha, shtoi Leoni XIV duke cituar Nostra Aetate, ka "trashëgimi të përbashkët" me Judaizmin. Me këtë dokument, shpjegoi më tej Papa, Gjoni XXIII, më në fund, kishte siguruar një themel të fortë që vendosi "për herë të parë në historinë e Kishës" rrënjët hebraike të Krishterimit.
Miqësi e patundur
Nuk mund ta mohojmë se gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe keqkuptime, vështirësi e konflikte, por këto nuk e kanë penguar kurrë vazhdimin e dialogut. As sot nuk duhet të lejojmë që rrethanat politike dhe padrejtësitë e disave të na ndajnë nga miqësia, veçanërisht pasi kemi arritur kaq shumë deri më tani.
Në fjalët e Papës pasqyrohen, si kundër-dritë, fërkimi që lindi ndërmjet përgjigjes së vendosur ushtarake të Izraelit ndaj sulmeve dhe rrëmbimeve të Hamasit të 7 tetorit 2023 - të cilat çuan në vdekjen e afërsisht 65,000 palestinezëve - dhe thirrjeve të palodhura të Papës Françesku, së pari, dhe të Leonit XIV më pas, për të rivendosur paqen sa më shpejt të jetë e mundur në Rripin e Gazës së munduar. Një dialektikë, pranon Papa, që nganjëherë është e tensionuar, por kurrë nuk e ka rrezikuar "dialogun" dhe "miqësinë" ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve.
Një model dialogu
Papa ofroi një model shembullor dialogu, atë ndërmjet Jezusit dhe samaritanes te pusi i Siharit. Episod i rrëfyer nga Gjoni në kapitullin IV të Ungjillit të tij. "Ky takim," shpjegoi Papa, "zbulon thelbin e dialogut të vërtetë fetar". Është shkëmbim ndërmjet njerëzve që "ia hapin zemrën njëri-tjetrit me sinqeritet, dëgjim të vëmendshëm dhe pasurim të ndërsjellë". Ky takim lind nga një "etje" e dyfishtë, argumentoi Leoni XIV: nga "etja e Zotit për zemrën njerëzore" dhe nga "etja njerëzore për Zotin". Në dialogun e tij me gruan samaritane, Jezusi "kapërcen barrierat e kulturës, të gjinisë e të fesë", duke e ftuar gruan “drejt një kuptimi të ri të adhurimit", jo të lidhur me një vend, si tempulli! Apo me një qytet, si Jerusalemi. "Ky çast", përfundon Ipeshkvi i Romës "prek thelbin e dialogut ndërfetar: zbulimin e pranisë së Zotit përtej të gjithë kufijve dhe ftesën për ta kërkuar së bashku, me nderim dhe përvujtëri".
Të veprojmë së bashku për njerëzimin
Ashtu si ky fragment Ungjillor, "Nostra Aetate" na kujton se dialogu i vërtetë është i rrënjosur në dashuri, themel i vetëm i paqes, i drejtësisë dhe i pajtimit, shpjegoi Papa.
Prej këndej vjen ftesa e Leonit XIV për të "vepruar së bashku" mbi një axhendë të gjerë çështjesh, themelore për vetë ekzistencën e njerëzimit.
Së pari, tema e kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët, Krijimin, temë e dashur për Papën Françesku i cili, në vitin 2015, i kushtoi Letrën Enciklike Laudato Si'. Papa depërton në zemër të çdo feje dëshirën e përbashkët për të mbrojtur mjedisin dhe të gjitha krijesat e tij.
Secila prej feve tona mund të kontribuojë për lehtësimin e vuajtjeve njerëzore dhe për kujdesin e shtëpisë sonë të përbashkët, planetin tonë Tokë. Traditat tona përkatëse mësojnë të vërtetën, dhembshurinë, pajtimin, drejtësinë dhe paqen.
Por ne mund të punojmë edhe së bashku, për të parandaluar shfrytëzimin e emrit të Zotit, duke e bërë atë pronë vetjake dhe duke e përdorur si pretekst për të luftuar fetë e tjera:
Duhet ta riafirmojmë shërbimin ndaj njerëzimit, në çdo çast. Së bashku duhet të jemi vigjilentë kundër shpërdorimit të emrit të Zotit, të fesë dhe të vetë dialogut, si dhe kundër rreziqeve që paraqesin fundamentalizmi dhe ekstremizmi fetar.
Së fundmi, çështja e inteligjencës artificiale, e cila mund të kërcënojë dinjitetin njerëzor e të shkaktojë rreziqe të panumërta dhe ndoshta ende të paparashikueshme, kundër të cilave fetë, për fat të mirë, kanë kundërhelme të fuqishme:
Duhet ta përballojmë me përgjegjësi edhe zhvillimin e inteligjencës artificiale, sepse, po të konceptohet si alternativë ndaj njerëzimit, mund ta shkelë rëndë dinjitetin e saj të pafund dhe të neutralizojë përgjegjësitë e saj themelore. Traditat tona kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për të dhënë në humanizimin e teknologjisë, e kështu të frymëzojnë rregullimin e saj, për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut.
Rruga drejt paqes dhe unitetit
Paqja është e vetmja mënyrë që mund t’i përballojë kaq shumë sfida të rënda. Prandaj themi se feja mund të bëjë pjesën e saj për ta mbjellë dhe për ta kultivuar atë në shpirtrat e njerëzve.
Siç e dinë të gjithë, fetë tona na mësojnë se paqja fillon në zemrën e njeriut. Në këtë kuptim, feja mund të luajë rol themelor. Kjo shpresë bazohet në bindjet tona fetare, në besimin se një botë e re është e mundur.
Shpresa për dialog dhe bashkëpunim ndërmjet feve, e përhapur pas Luftës II Botërore nga Nostra Aetate, shton Leoni XIV, sot duhet të "rithemelohet" në botën tonë "të shkatërruar nga lufta dhe në mjedisin tonë natyror të degraduar". "Të bashkëpunojmë", është thirrja e fundit e Papës drejtuar të gjitha feve të botës, "sepse po të jemi të bashkuar, gjithçka është e mundur. Të sigurohemi, pra, që asgjë të mos na ndajë".
