Kërko

2025.10.23 Membri dell'Ordine Equestre del Santo Sepolcro di Gerusalemme

Papa: të dëshmojmë dashuri e falje në një botë arrogance dhe dhune

Në fjalimin e tij për më se tre mijë kalorës dhe dama të Urdhrit Kalorësiak të Varrit të Shenjtë të Jerusalemit, mbledhur në Sallën e Palit VI për Jubileun e tyre, Leoni XIV i falënderoi për ndihmën, që u dhanë bashkësive të Tokës Shenjte gjatë Covid-it dhe luftës, si edhe për rolin e tyre si "mbrojtës të fesë" në vendet ku jetoi Jezu Krishti

R.SH. – Vatikan

Falënderimi për "ndihmën e jashtëzakonshme", dhënë bashkësive të Tokës Shenjte, përmes mbështetjes për veprimtaritë e Patriarkatit Latin të Jerusalemit, e cila ishte themelore gjatë Covid-it "dhe në ditët tragjike të luftës". Ftesa për të qenë gjithnjë "mbrojtës të fesë" për ata, që ndalen te varri i Krishtit, me "pritje besimplotë, me zellin e bamirësisë dhe me hovin e gëzueshëm të shpresës". Papa Leoni XIV u drejtoi këto fjalë 3.600 kalorësve dhe damave të Urdhrit Kalorësiak të Varrit të Shenjtë të Jerusalemit, pritur në Sallën Pali VI në përfundim të shtegtimit të tyre jubilar.

Në Tokën Shenjte, mbështesni Kishën e gurëve të gjallë

Pas përshëndetjes së Mjeshtrit të Madh të Urdhrit, kardinalit Fernando Filoni, Papa kujtoi se ruajtja e Varrit të Krishtit, kujdesi për shtegtarët dhe mbështetja për Kishën e Jerusalemit janë në zanafillën e historisë së institucionit. Ky shërbim vazhdon edhe sot për gjithë të krishterët që banojnë në Vendet e Shenjta, theksoi ai e, siç thoshte Shën Gjon Pali II, bëhet pa "bujë" e "reklamë", duke përkrahur "seminarin, shkollat, veprat bamirëse dhe të ndihmës, projektet humanitare dhe arsimore, universitetin dhe Kishat, me ndërhyrje të veçanta në kohë krizash më të mëdha".

“Në të gjitha këto, ju dëshmoni se kujdesi për Varrin e Krishtit nuk do të thotë thjesht ruajtje e një trashëgimie historike, arkeologjike apo artistike, sado e rëndësishme qoftë, por mbështetja e një Kishe të bërë nga gurë të gjallë, e cila lindi rreth tij dhe jeton ende sot, si shenjë autentike e shpresës së Pashkëve”.

  (@Vatican Media)

Dëshmoni se falja mposht hakmarrjen

Në Jubileun kushtuar pikërisht kësaj shprese, Leoni XIV theksoi tri përmasa. E para është "pritja besimplotë" e atyre, që ndalen te Varri i Krishtit dhe e ripërtërijnë besimin në Zotin, "që i mban premtimet e tij".

“Në një botë ku arroganca dhe dhuna duket se mbizotërojnë mbi bamirësinë, ju jeni të thirrur të dëshmoni se jeta e mposht vdekjen, se dashuria e mposht urrejtjen, se falja e mposht hakmarrjen dhe se mëshira e hiri e mposhtin mëkatin”.

Për të vazhduar "mbrojtjen e fesë" në Vendet e Shenjta, Papa i ftoi damat dhe kalorësit t’i ushqejnë zemrat "me një jetë intensive sakramentore, me dëgjimin dhe meditimin mbi Fjalën e Zotit, me lutje personale e liturgjike dhe me formimin shpirtëror, për të cilin ka kujdes të veçantë në Urdhër".

  (@Vatican Media)

Shërbimi për të afërmin dhe bashkimi me Hyjin

Përmasa e dytë e shpresës, për Papën, është "fytyra e shërbimit", për të cilën, veprimtaria e urdhrit kthehet në dritë “për individë, familje dhe bashkësi të tëra, në rrezik të përfshihen nga tragjedi të tmerrshme në çdo nivel, veçanërisht në vendet ku jetoi Jezusi”. Së fundi, përmasa e tretë është rrugëtimi drejt takimit me Zotin, shtegtim në kërkim të "kuptimit përfundimtar të jetës". Ati i Shenjtë u kërkoi pjesëmarrësve në audiencë t’ua dëshmojnë këtë të tjerëve, duke i ftuar t’i jetojnë gjërat e kësaj bote “me lirinë dhe gëzimin e atyre, që e dinë se po udhëtojnë drejt horizontit të pafund të amshimit”. Duke ia besuar Urdhrit të Varrit Shenjt, në emër të Kishës, detyrën për të qenë roje të Varrit të Krishtit, Papa përmendi ftesën e Shën Augustinit drejtuar të krishterëve të kohës së tij: "Shkoni përpara, shkoni përpara drejt së mirës. Mos dilni nga rruga, mos u ktheni prapa, mos u ndalni!"

23 tetor 2025, 11:16