Papa Leoni XIV takon për herë të parë viktimat e abuzimeve
R.SH. – Vatikan
Takimi i parë i Papës Leoni XIV me një grup viktimash të abuzimit, dje, më 20 tetor, pati jehonë në të gjithë botën. Ati i Shenjtë priti në audiencë aktivistë të shoqatës ndërkombëtare ECA (Ending Clergy Abuse – Fund Abuzimeve të Klerit), një rrjet veçanërisht aktiv në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm pak ditë më parë, Komisioni Papnor për Mbrojtjen e të Miturve paraqiti Raportin e tij vjetor, duke vënë në dukje se në disa dioqeza, trajtimi i plagës së abuzimeve ecën me ritme të ngadalta.
Takimi i djeshëm nuk është vetëm i pari ndërmjet Papës Leoni XIV dhe një grupi viktimash, por edhe takimi i parë i një Pape me një shoqatë, që merret me këtë çështje. Paraardhësit e tij, nga Benedikti XVI te Françesku, janë takuar gjithnjë me viktimat e abuzimeve, por asnjëherë me rrjete të organizuara për të mbrojtur viktimat e pedofilisë dhe për t'i raportuar ato. Në veçanti, ECA ka ndjekur pothuajse të gjitha udhëtimet e Papës Françesku, me protesta dhe mobilizime, veçanërisht në vendet ku plaga e abuzimit ishte më e thellë. Por vetëm dje, shoqata arriti të kalonte pragun e Vatikanit.
"Ishte një bisedë tejet e thellë", pohoi më pas kryetarja e Këshillit të ECA-s, Gemma Hickey, kanadeze, ajo vetë e mbijetuar nga abuzimet e klerit. "Kjo pasqyron impenjimin e përbashkët për drejtësi, shërim dhe ndryshim të vërtetë. Të mbijetuarit kanë kërkuar prej kohësh një vend në tryezën e bisedimeve dhe tani", theksoi Hickey, "e ndiejmë se dikush na dëgjoi". ECA e quajti takimin e djeshëm "një hap historik dhe shpresëdhënës drejt një bashkëpunimi më të madh".
Audienca u realizua pas një letre, dërguar nga ECA për Papën e sapozgjedhur, i cili u përgjigj pozitivisht. "Erdhëm jo vetëm për të shprehur shqetësimet tona, por edhe për të parë si mund të bashkëpunojmë për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve dhe të rriturve të brishtë në të gjithë botën", nënvizoi zv.kryetarja e Këshillit Drejtues të ECA-s, Janet Aguti, nga Uganda. "Besojmë se bashkëpunimi është i mundur dhe i nevojshëm".
Gjatë takimit me Papën, ECA Global i foli Leonit XIV për Iniciativën e saj Toleranca Zero, duke theksuar rëndësinë e "standardeve globale koherente dhe të politikave, që përqendrohen tek të mbijetuarit".
