Papa, për klimën të kalojmë nga fjalët në një konvertim ekologjik
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV, pasi u largua mbrëmë nga Castel Gandolfo, kthehet sot në qytetin e Lazios për të marrë pjesë në takimin ndërkombëtar "Raising Hope" në dhjetëvjetorin e Enciklikës Laudato si'. Konferenca që përkujton Enciklikën e Papa Françeskut Laudato si' mbahet në Qendrën Mariapoli në Castel Gandolfo.
Papa Leoni XIV flet në takim në skenën e Qendrës Mariapoli (qendër kongresesh e Lëvizjes Fokolare). Në fjalimin e tij, në gjuhën angleze, Ati i Shenjtë Prevost falënderoi së pari organizatorët, folësit dhe të gjithë pjesëmarrësit dhe "ata që bënë të mundur zhvillimin e konferencës. Më pas, Leoni XIV hyn menjëherë në thelbin e Laudato Si, një enciklikë që "ka stimuluar fuqishëm Kishën Katolike dhe shumë njerëz me vullnet të mirë, duke u bërë pikënisje për dialogë dhe grupe reflektimi, programe shkollore dhe universitare, bashkëpunime dhe projekte të ndryshme në çdo kontinent", thekson Papa.
Ati i Shenjtë flet për gjuhën e dokumentit papnor Laudato Si: një gjuhë e "kujdesit për shtëpinë e përbashkët" që "është përfshirë në debatet akademike, shkencore dhe politike. Shqetësimet dhe rekomandimet e Papa Françeskut janë vlerësuar dhe pranuar jo vetëm nga katolikët. Shumë, edhe jashtë Kishës, janë ndjerë të kuptuar, të përfaqësuar dhe të mbështetur në këtë periudhë të saktë historike", thotë Papa Leoni XIV. Kujtimi shkon te Papa Françesku që hartoi Enciklikën Laudato Si: një "faleminderit Atit tonë që është në qiej për këtë dhuratë dhe këtë trashëgimi të Papa Françeskut!" kujton Leoni XIV.
Së fundi, nxitja: "Jini bartës të asaj shprese që lind nga njohja e pranisë së Zotit që tashmë vepron në histori". Dhe tregon - duke kujtuar fjalët përshkruese të Papës Françesku për Shën Françeskun e Asizit - "katër drejtime" për të jetuar në harmoni: të jetosh "me Zotin, me të tjerët, me natyrën dhe me veten, në një qëndrim të vazhdueshëm kthimi".
"Ekologjia integrale - përfundon Leoni XIV - jeton nga të gjitha këto përmasa: duke u angazhuar në to mund të rrisim shpresën, duke zbatuar qasjen ndërdisiplinore të Laudato si' dhe thirrjen për unitet e bashkëpunim që rrjedh prej saj. Jemi një familje e vetme, me një At të përbashkët që bën të lindë dielli dhe të bjerë shiu mbi të gjithë; banojmë në të njëjtin planet, për të cilin duhet të kujdesemi së bashku. Prandaj, ripërtërij një thirrje të fortë për unitet rreth ekologjisë integrale dhe për paqe!".
Më pas, vështrimi i Leonit XIV drejtohet nga shoqëria që "përmes organizmave joqeveritare dhe shoqatave të ndërmjetme, duhet të ushtrojë presion mbi qeveritë që të zhvillojnë rregullore, procedura dhe kontrolle më të rrepta. Nëse qytetarët nuk mbikëqyrin pushtetin politik – kombëtar, rajonal dhe komunal –, nuk është e mundur të luftohen dëmet mjedisore".
Shpresa dhe urimi i Papës është që samitet e ardhshme ndërkombëtare (Ati i Shenjtë përmendi Konferencën e tridhjetë të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike (COP30), sesionin e Komitetit për sigurinë ushqimore të FAO-s dhe samitin mbi ujin që OKB-ja po organizohet për vitin 2026) "të mund ta dëgjojnë thirrjen e Tokës dhe thirrjen e të varfërve, thirrjen e familjeve, të popujve indigjenë, të migrantëve të pavullnetshëm, të besimtarëve të gjithë botës".
PapaPrevost përfundoi me këto fjalë: "Zoti do të na kërkojë llogari dhe do të na pyesë nëse e kemi kultivuar dhe ruajtur mirë këtë botë që Aie ka krijuar, në dobi të të gjithëve dhe të brezave të ardhshëm, dhe nëse jemi kujdesur për vëllezërit e motrat tona". Dhe atëherë Papa bën pyetjen: "Çfarë do të përgjigjemi?".
