Papa: liria fetare nuk është privilegj, por kusht për paqen e vërtetë
R.SH. – Vatikan
Pajtimi i vërtetë nuk mund të ekzistojë pa garancinë e lirisë së fesë. Kjo e drejtë nuk është "privilegj" i dhënë nga institucionet, por kusht themelor për formimin e shoqërive të drejta, në të cilat ndërgjegjja njerëzore mund të ketë gjithë hapësirën e nevojshme për t'u formuar dhe për t’u shprehur konkretisht. Mbi këtë parim u bazua reflektimi i Papës Leoni XIV për delegacionin e fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan”, të cilin e priti në audiencë sot paradite, më 10 tetor, në Sallën e Papëve.
Mos i braktisni të krishterët e persekutuar
Fillimisht, Papa kujtoi dhunën në rritje kundër bashkësive të ndryshme fetare, përfshirë të krishterët. Në linjë me misionin e fondacionit - i themeluar në vitin 1947 për t'iu përgjigjur vuajtjeve të pasluftës - Papa theksoi: "Të mos i braktisim vëllezërit dhe motrat tona të persekutuara". Jehuan sërish fjalët e Shën Palit në Letrën e parë drejtuar Korintasve:
“Nëse një gjymtyrë vuan, të gjitha gjymtyrët vuajnë bashkë me të”.
Nevoja për të vërtetën dhe kuptimin
E drejta për lirinë e kultit buron nga një aksiomë themelore: "Çdo qenie njerëzore bart në zemrën e tij, ose të saj, nevojën e thellë për të vërtetën, kuptimin dhe bashkimin me të tjerët e me Zotin". Kjo nevojë lind nga thellësitë e shpirtit njerëzor dhe e bën shprehjen e lirë të fesë jo thjesht një mundësi ndërmjet shumë të tjerash, por një element thelbësor.
“E rrënjosur në dinjitetin e njeriut, e krijuar sipas shembëllimit me Zotin dhe e pajisur me arsye dhe vullnet të lirë, liria fetare u jep mundësinë individëve dhe bashkësive të kërkojnë të vërtetën, ta jetojnë atë lirisht dhe ta dëshmojnë atë hapur. Prandaj, ajo është gurthemeli i çdo shoqërie të drejtë, pasi mbron hapësirën morale në të cilën mund të formohet dhe të ushtrohet ndërgjegjja”.
Nuk ka paqe pa liri fetare
Liria fetare, vazhdoi Leoni XIV, "nuk është thjesht një e drejtë ligjore apo një privilegj i dhënë nga qeveritë". Për më tepër, ajo përbën "shtyllën e pajtimit autentik". Mohimi i saj i privon njerëzit nga aftësia për t'iu përgjigjur "thirrjes të së vërtetës" dhe çon në shpërbërjen e ngadaltë të lidhjeve etike dhe shpirtërore, që janë baza e bashkësive.
“Besimi ia lë vendin frikës, dyshimi zëvendëson dialogun dhe shtypja lind dhunën”.
Më pas, Papa citoi paraardhësin e tij, Françeskun:
“Nuk është e mundur paqja aty ku nuk ka liri fetare, ose ku nuk ka liri mendimi e fjale dhe respekt për opinionin e të tjerëve”.
Promovimi i lirisë së kultit në jetën e përditshme
Papa kujtoi edhe mbrojtjen e fuqishme të Kishës për lirinë fetare gjatë shekujve. Deklarata e Koncilit II të Vatikanit “Dignitatis Humanae” kërkonte njohjen e kësaj të drejte në kuadrin ligjor dhe institucional të çdo vendi.
“Mbrojtja e lirisë fetare, pra, nuk mund të mbetet abstrakte; ajo duhet të jetohet, të ruhet dhe të promovohet në jetën e përditshme të individëve dhe të bashkësive”.
Impenjimi i “Ndihmë për Kishën që Vuan”
Misioni i fondacionit “Ndihmë për Kishën që Vuan” hyn pikërisht në këtë kornizë: të promovojë faljen dhe pajtimin, të shoqërojë dhe t'i "japë zë" Kishës kudo ku është e nevojshme, kudo që ajo kërcënohet, ose vuan. Për më se 25 vjet, vërejti Papa, “Raporti mbi Lirinë Fetare” i përpiluar nga fondacioni u jep dëshmi dhe zë atyre që nuk kanë, duke zbuluar vuajtjet, shpesh të fshehura, të shumë njerëzve. Ai ndihmon sidomos bashkësitë e izoluara, të mënjanuara, ose nën presion, duke rindërtuar kisha, duke mbështetur ndonjë rregulltare, duke siguruar një stacion radiofonik, ose një automjet. Republika Qendrore Afrikane, Burkina Faso dhe Mozambiku janë vetëm disa nga vendet e veprimit të fondacionit papnor. Së fundi, Papa i nxiti të pranishmit të “mos lodhen kurrë duke bërë mirë”, pasi frytet e punës së tyre “shihen në jetë të panumërta dhe i japin lavd Atit tonë në qiell”.
