Kërko

Papa: më ndihmoni që t’i ndihmoj misionarët në të gjithë botën

Videomesazh i Leonit XIV me rastin e Ditës Botërore të Misionit, që kremtohet më 19 tetor. Papa i fton të gjithë të kontribuojnë për të mbështetur ata, që çojnë Ungjillin në pesë kontinentet: "Si meshtar e misionar në Peru, e kam parë me sytë e mi se si feja, lutja dhe bujaria e dëshmuar në këtë Ditë mund të ndryshojnë bashkësi të tëra"

R.SH. – Vatikan

Papa Leoni XIV kujton përvojën e tij personale si misionar në Peru për të dëshmuar sa të mira bëjnë misionarët në vendet ku shërbejnë, sidomos, duke shfrytëzuar donacionet e ndihmat e marra në Ditën Botërore, që u kushtohet. "Kur isha meshtar e, më pas, ipeshkëv misionar në Peru, e pashë me sytë e mi se si feja, lutja dhe bujaria e dëshmuar në këtë Ditë mund të ndryshojnë bashkësi të tëra", pohon Papa në një videomesazh të publikuar sot, para kremtimit të Ditës Botërore të Misionit, më 19 tetor, kur "e gjithë Kisha bashkohet në lutje për misionarët dhe për frytshmërinë e veprës së tyre apostolike".

Ndihmoni në përhapjen e Ungjillit

Papa e fton çdo famulli katolike në botë të “marrë pjesë” në Ditën Botërore, sepse "lutjet dhe ndihma juaj – vëren ai - shërbejnë për të përhapur Ungjillin, për të mbështetur programet baritore dhe katekistike, për të ndërtuar kisha të reja dhe për t'iu përgjigjur nevojave shëndetësore dhe edukative të vëllezërve dhe motrave tona në territoret e misionit".

Misionarë shprese ndërmjet popujve

Më 19 tetor, shton Leoni XIV, "ndërsa reflektojmë së bashku mbi thirrjen tonë të pagëzimit për të qenë 'misionarë shprese ndër popuj', të ripërtërijmë impenjimin tonë bujar e të gëzueshëm për ta çuar Jezu Krishtin, Shpresën tonë, deri në skajet më të largëta të tokës". "Faleminderit", përfundon Papa, "për gjithçka që do të bëni për të më ndihmuar t’i ndihmoj misionarët në çdo anë të botës".

13 tetor 2025, 08:53