Papa: migrantët trajtohen si plehra dhe popujt grabiten, duhet drejtësi e solidaritet
R.SH. - Vatikan
Popuj të zhveshur, të grabitur, të plaçkitur, të detyruar në varfëri; migrantë të cenueshëm viktima të abuzimeve dhe të trajtuar si "plehra". Pastaj droga të vjetra dhe të reja (si fentanili) që përhapen; përmbytje, cunami, tërmete që bëjnë të qartë krizën klimatike; fitimi që bëhet gjithnjë e më shumë idhujtari, ashtu si kulti i trupit dhe i mirëqenies fizike. E akoma: drejtësia që duket se dështon; teknologjitë e reja që rrisin progresin aq sa edhe pabarazitë; papunësia, margjinalizimi, shfrytëzimi; një tendencë e përgjithshme "çnjerëzuese" e padrejtësive sociale dhe zgjerimi eksponencial i hendekut midis një "pakice të vogël" – 1% e popullsisë – të pasurve dhe shumicës dërrmuese të të varfërve. Është një portret i mbushur me realizëm të hidhur ai që Papa Leoni XIV bën për këtë epokë aktuale në fjalimin e tij drejtuar Lëvizjeve Popullore, të pritura sot pasdite në Sallën Pali VI, në Vatikan, me rastin e Takimit të V Ndërkombëtar në Romë.
Mësimi i Françeskut dhe i Leonit XIII
Një fjalim i gjatë, i mbushur me referenca ndaj mësimit të Papës paraardhës, Françeskut, i cili ishte nismëtar i këtyre takimeve, dhe të Papës që ishte autori i enciklikës së parë sociale, Leoni XIII dhe Rerum Novarum. Një fjalim ku denoncimeve dhe thirrjeve, PapaLeoni XIV u shton inkurajimin për veprim, për profeci, për "poezi" dhe mbi të gjitha për shpresë: në një ndryshim, në një rrugëtim të ripërtërirë të "drejtësisë, dashurisë dhe paqes", në "gjëra të reja". Pikërisht Rerum novarum. Si një "gjë e re" dhe gjithashtu edhe "e mirë" ishte mbjellja dhjetë vjet më parë, në Vatikan, e flamurit me shkrimin "Tierra, techo, trabajo", "Tokë, çati dhe punë". "Duke i bërë jehonë kërkesave të Françeskut, sot them: toka, shtëpia dhe puna janë të drejta të shenjta, ia vlen të luftosh për to, dhe dua të më dëgjoni të them "Jam dakord!", "jam me ju"!".
Rëndësia profetike
Rreth dy mijë persona janë të pranishëm në Sallën Pali VI në Vatikan për të dëgjuar Papa Leonin XIV. Ka përfaqësues të "periferive" nga çdo kontinent, të varfër, migrantë, campesinos (fshatarë), cartoneros(mbledhës kartoni). Ata kanë ardhur në "procesion" nga Spin Time Lab, ndërtesa në zonën Esquilino të Romës e okupuar për qëllime banimi dhe sociale nga rreth 400 persona në emergjencë dhe e kthyer në selinë qendrore të Lëvizjeve Popullore në Romë. Nesër do të jetojnë shtegtimin e tyre jubilar me ipeshkvij ose përfaqësues të tjerë të dioqezave të tyre. Kjo ishte "ëndrra" e Papa Françeskut, i cili dëshironte që kjo shtresë sociale, shpesh e refuzuar ose e mënjanuar nga institucionet, të mirëpritej në zemër të Kishës. Ëndrrën e realizon Leoni XIV, i cili, siç pohon në fillim të fjalimit të tij, synon të vazhdojë rrugën e nisur nga Jorge Mario Bergoglio, i cili "në këto vite, ka dialoguar shpesh me realitetin tuaj, duke nxjerrë në pah rëndësinë profetike të tij në kontekstin e një bote të shënuar nga probleme të ndryshme".
Abuzime dhe çnjerëzime ndaj migrantëve
Probleme dramatike, duke filluar nga ato të migrantëve. "Shtetet kanë të drejtën dhe detyrën të mbrojnë kufijtë e tyre, por kjo duhet të balancohet me detyrimin moral për të ofruar strehim", thotë Leoni XIV. Ati i Shenjtë dënon "abuzimin e migrantëve të cenueshëm", përballë të cilit "nuk shohim ushtrimin legjitim të sovranitetit kombëtar, por më tepër krime të rënda të kryera ose të toleruara nga Shteti".
Po merren masa gjithnjë e më çnjerëzore – madje të festuara politikisht – për t'i trajtuar këta "të padëshiruar" sikur të ishin plehra dhe jo qenie njerëzore.
Nevojat themelore të paplotësuara
Me të njëjtin forcë, Papa Leoni XIV flet kundër ndikimit negativ të zhvillimit teknologjik në shëndetësi, arsim, punë, transport, urbanizim, komunikim, siguri, mbrojtje. Para së gjithash, Ati i Shenjtë thekson "paradoksin" e mungesës së tokës, ushqimit, strehimit, punës për miliona njerëz, ndërsa "telefonat celularë, rrjetet sociale e madje edhe inteligjenca artificiale janë në dispozicion të miliona njerëzve". Përfshirë të varfrit. Le të sigurohemi që, kur plotësohen nevoja më të sofistikuara, ato themelore të mos neglizhohen.
