Papa: AI ndihmon, por një algoritëm nuk mund të zëvendësojë një mjek
R.SH. – Vatikan
"Dialogu, komunikimi dhe kontakti fizik duhet të jenë gjithmonë të pranishëm në marrëdhëniet terapeutike"; Inteligjenca Artificiale "nuk mund ta zëvendësojë kurrë mjekun" dhe "algoritmi nuk mund ta zëvendësojë kurrë një gjest afërsie, ose një fjalë ngushëllimi". Kështu u tha Papa Leoni XIV anëtarëve të Konfederatës Mjekësore Latino-Ibero-Amerikane dhe të Karaibeve (CONFEMEL), të cilët i ftoi të reflektojnë mbi rëndësinë themelore të marrëdhënieve njerëzore ndërmjet mjekëve dhe pacientëve në një botë ku marrëdhëniet mbështeten gjithnjë e më shumë në teknologji. Papa u takua me anëtarët e organizatës, e cila përfaqëson mbi dy milionë mjekë në të gjithë Amerikën Latine, në audiencën e paradites së sotme, 2 tetor, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik. Edhe pse Inteligjenca Artificiale "mund dhe duhet të jetë një ndihmë e madhe në përmirësimin e asistencës klinike", ajo nuk mund t'i zëvendësojë kurrë mjekët, theksoi Ati i Shenjtë, duke i inkurajuar të pranishmit "të thellohen në rëndësinë e marrëdhënieve mjek-pacient", që janë "marrëdhënie ndërmjet dy njerëzve me trup e shpirt, me historinë e tyre". Mjekët, kujtoi ai fjalët e Benediktit XVI, janë "‘rezerva dashurie’, të cilët u sjellin qetësi dhe shpresë të vuajturve".
Shembulli i shenjtit të ardhshëm José Gregorio Hernández
Më pas, Papa nxorri në pah një figurë latino-amerikane, që "dinte si t'ia kushtonte jetën e tij së mirës së pacientëve". Është "i Lumi José Gregorio Hernández, një nga mjekët më të njohur në Venezuelë në fillim të shekullit XX". Ai do të shpallet shenjt më 19 tetor nga Leoni XIV, në Sheshin e Shën Pjetrit, së bashku me të Lum të tjerë, përfshirë Nënën Carmen Rendiles, duke u bërë shenjtorët e parë venezuelianë. "E konsideroj një shembull të mirë për ju", pohoi Papa, "pasi diti ta kombinonte aftësinë e tij të madhe mjekësore me përkushtimin ndaj më nevojtarëve, gjë që i dha titullin 'mjeku i të varfërve'".
Rëndësia e "Fjalës" dhe e "Mishërimit"
Sot, dita në të cilën Kisha feston Engjëjt e Rojes, Papa vuri në dukje edhe se "marrëdhëniet mjek-pacient, që bazohen në kontaktin personal dhe në kujdesin për shëndetin", janë të ngjashme me atë të engjëjve, që "na ruajnë dhe na mbrojnë në udhëtimin e jetës". Pastaj, citoi fjalët e Shën Augustinit kur flet për Krishtin si shërues dhe kujdestar: "Ai është mjek, sepse është Fjala, si edhe ilaç, sepse është Fjala e mishëruar". Papa nënvizoi se "'Fjala' dhe 'Mishërimi' janë themelore në marrëdhëniet ndërmjet profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe atyre, që kanë nevojë për kujdes. Dialogu dhe afërsia fizike, vazhdoi ai, shkojnë "përtej mjeteve dhe pajisjeve të përdorura për të trajtuar sëmundjet". Gjithashtu, Ati i Shenjtë përmendi shërimin e lebrozit nga Jezusi, përshkruar në Ungjillin sipas Markut. "Ky nuk është gjest mekanik", shpjegoi Leoni XIV, "ndërmjet lebrozit dhe Jezusit janë vendosur marrëdhënie personale: ai, që nuk mund të prekej, gjen shëndetin dhe shpëtimin në përkëdheljen e Jezusit". Së fundi, Papa i falënderoi mjekët për punën e tyre dhe u vuri në dukje se “i presin sfida të mëdha dhe stimuluese, të cilat duhen përballuar me shpresë”, duke iu lutur Krishtit dhe Virgjërës Shenjte t’i shoqërojë.
