Kërko

Papa: jo personalizëm në Kishë, por dëgjim, të gjithë duhet të shërbejmë

Në Meshën për Jubileun e ekipeve sinodale dhe organet e pjesëmarrjes, Papa inkurajon bashkimin dhe hapjen ndaj të tjetrit. Pretendimi për të qenë më i mirë se të tjerët, ashtu siç bën farizeu me tagrambledhësin në shëmbëlltyrën në Ungjillin e së dielës, "krijon përçarje dhe e transformon komunitetin në vend gjykues dhe përjashtues". Ndaj duhet të ecim së bashku dhe ta lëmë Shpirtin t’i shndërrojë tensionet "në mënyrë që ato të mos bëhen konflikte ideologjike dhe polarizime të dëmshme".

R.SH. / Vatikan

"Duhet të ëndërrojmë dhe të ndërtojmë një Kishë të përvuajur", që "përulet për të larë këmbët e njerëzimit" dhe "nuk gjykon", që "bëhet vend mikpritës për të gjithë", që "nuk mbyllet në vetvete, por mbetet e vëmendshme ndaj Zotit" dhe i dëgjon të gjithë. Papa Leoni XIV bëri thirrje për një Kishë "sinodale", “të tërhequr nga Krishti e, për këtë arsye, t’u përpjekur t’i shërbejë botës" gjatë Meshës që kryesoi sot, më 26 tetor, në Bazilikën e Shën Pjetrit, e bashkëkremtoi në Altarin e Rrëfimit me Kardinalin Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, dhe Nënsekretarin Luis Marín de San Martín, për Jubileun e ekipeve sinodale dhe organeve të pjesëmarrjes. Këshilloi, për këtë arsye, që të gjithë të ecin së bashku, të ketë dialog e asnjë klerikalizëm apo personalizëm. Sepse Kisha "nuk është institucion i thjeshtë fetar dhe as nuk identifikohet me hierarkitë dhe strukturat e saj", theksoi Papa, por është "shenjë e dukshme e bashkimit të Zotit me njerëzimin", e "planit" hyjnor për t’i mbledhur "të gjithë në një familje". 

Rregulli Suprem i Kishës: Dashuria

Frytet "e bashkimit kishtar, lindur dhe ruajtur nga Shpirti Shenjt" janë ekipe sinodale dhe organe pjesëmarrëse që "shprehin çka ndodh në Kishë, ku marrëdhëniet nuk i përgjigjen logjikës së pushtetit" - e cila, siç thoshte shpesh Papa Françesku, është "botërore" - por përkundrazi "asaj të dashurisë". Në bashkësinë e krishterë, "jeta shpirtërore" është parësore, "që na mundëson të zbulojmë se të gjithë jemi bij të Zotit, vëllezër dhe motra, të thirrur për t'i shërbyer njëri-tjetrit", theksoi Papa Leoni.

Rregulli suprem, në Kishë, është dashuria: askush nuk është i thirrur për të komanduar, të gjithë janë të thirrur për të shërbyer; askush nuk duhet të imponojë idetë e veta, të gjithë duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin; askush nuk është i përjashtuar, të gjithë jemi të thirrur të marrim pjesë; askush nuk e zotëron gjithë të vërtetën, të gjithë duhet ta kërkojmë atë me përvujtëri dhe ta kërkojmë së bashku.

Të ecësh së bashku

E së bashku do të thotë të jesh në "bashkësi në Kishë", "të ecësh së bashku", saktësoi Papa, duke kujtuar se paraardhësi i tij, në Mesazhin e fundit të Kreshmëve, e përcaktoi shprehjen "të ecësh së bashku", "të jesh sinodal", si "thirrjen e Kishës". E për këtë arsye, "të krishterët janë të thirrur të ecin së bashku", të "jenë endës të unitetit" si të gjithë "bijtë e Zotit".

Pretendimi për të qenë më të mirë se të tjerët

Leoni përdori shëmbëlltyrën e farizeut e të tagrambledhësit që shkojnë në Tempull për t'u lutur -  treguar në Ungjillin e së Dielës - për të shpjeguar se çfarë do të thotë në të vërtetë të "ecësh së bashku" në Kishë. Të dy drejtohen kah i njëjti vend, por "janë të ndarë e ndërmjet tyre nuk ka kurrfarë komunikimi", "ndarja e tyre nuk është ecje së bashku". Pastaj, në Tempull, "njëri zë vendin e parë dhe tjetri mbetet i fundit", vërejti Papa, "e të dy i luten Atit, por pa qenë vëllezër dhe pa ndarë asgjë". Veçanërisht, Ipeshkvi i Romës përqendrohet te farizeu, i cili në lutjen e tij "shikon veten, justifikon veten, lavdëron veten" dhe ndihet "më i mirë" se mbledhësi i taksave. Në praktikë, "i fiksuar pas egos së tij", farizeu sillet "rreth vetes" dhe nuk ka asnjë "marrëdhënie me Zotin ose me të tjerët".

Kjo mund të ndodhë edhe në bashkësinë e krishterë. Ndodh kur "Unë" mbizotëron mbi "ne", duke lindur personalizma, që i pengojnë marrëdhëniet autentike dhe vëllazërore; kur pretendimi për të qenë më i mirë se të tjerët, siç bën fariseu me mbledhësin e taksave, krijon përçarje dhe e transformon bashkësinë në një vend gjykues dhe përjashtues; kur roli i dikujt përdoret për të ushtruar pushtet dhe për të pushtuar hapësira.

Ta ndjejmë nevojën për Zotin e për njëri-tjetrin

Nga ana tjetër, mbledhësi i taksave tregon përvujtëri dhe, me të njëjtën përvujtëri, të gjithë në Kishë duhet ta ndjejmë veten "në nevojë për Zotin dhe në nevojë për njëri-tjetrin", nxiti Leoni. E duhet ta praktikojmë edhe "dashurinë e ndërsjelltë, dëgjimin e ndërsjelltë, gëzimin dhe të ecurit së bashku", me vetëdijen se, siç shkroi Shën Klementi i Romës, "Krishti u përket atyre që dëgjojnë përvujtërisht", jo atyre që naltohen "përmbi grigjën".

Ekipet sinodale dhe trupat e pjesëmarrjes janë shembëlltyrë e kësaj Kishe që jeton në bashkësi. Dhe sot do të doja t'ju këshilloja: duke dëgjuar Shpirtin, në dialog, në vëllazëri dhe në parresi, na ndihmoni ta kuptojmë s, në Kishë, përpara çdo dallimi, ne jemi të thirrur të ecim.

E vërteta kërkohet së bashku 

Nëse Kisha është hapësirë ​​kolegjiale dhe mikpritëse ku ekziston bashkësia, atëherë është gjithashtu e mundur të adresohen "me besim dhe frymë të re tensionet" që ekzistojnë "ndërmjet unitetit dhe diversitetit, traditës dhe inovacionit, autoritetit dhe pjesëmarrjes", pohon Papa, dhe kështu të lejohet "Shpirti t'i transformojë ato, në mënyrë që të mos bëhen konflikte ideologjike dhe polarizime të dëmshme", dhe t'i bëjë ato të frytshme në mënyrë që të harmonizohen dhe të udhëheqin "drejt një dallimi të përbashkët".

Aftësia dalluese kishtare kërkon "liri të brendshme, përvujtëri, lutje, besim të ndërsjellë, hapje ndaj gjërave të reja dhe lëshim në vullnetin e Zotit. Nuk është kurrë pohim i një pikëpamjeje personale ose grupore, as nuk zgjidhet thjesht nga shuma e opinioneve individuale". Të jesh Kishë sinodale do të thotë të pranosh se e vërteta nuk zotërohet, por kërkohet së bashku, duke lejuar veten të udhëhiqemi nga një zemër e shqetë, në dashuri e me Dashurinë.

Maria ushqeftë bashkimin në Kisha

Homelia e Papës përfundoi me një lutje nga ipeshkvi italian don Tonino Bello, drejtuar Marisë, duke i kërkuar asaj ta ushqejë bashkimin në Kisha, t'i ndihmojë ato "të kapërcejnë përçarjet e brendshme" dhe t'i ndalojë "kur vendosin të veprojnë vetë, duke neglizhuar konvergjencën në projektet e përbashkëta", të ndërhyjë kur "demoni i mosmarrëveshjes futet brenda", të shuajë "vatra të fraksioneve", të zgjidhë "mosmarrëveshjet" dhe të shuajë "rivalitetet". Së fundmi, një lutje e fundit drejtuar Zotit, në mënyrë që njerëzimi të jetë "i rrënjosur në dashurinë e Zotit", të jetojë "në bashkësi" dhe "si Kishë" të jetë "dëshmitarë të unitetit dhe të dashurisë".

26 tetor 2025, 14:51