Kërko

2025.09.30 Papa Leone XIV Incontro giornalisti Castel Gandolfo

Papa: plani i Trump për Gazën është realist, shpresojmë që Hamasi ta pranojë

Plani i paqes në Gazë duhet të miratohet, lëvizjet e Flotiljes duhet të shmangin dhunën, fjalët mbi përgatitjen për luftë thënë nga SHBA-ja shpresojmë të jenë vetëm një mënyrë të foluri: këto, temat që preku Papa në bisedën e tij të mbrëmshme me gazetarët në Castel Gandolfo, para se të kthehej në Vatikan

R.SH. – Vatikan

Papa iu përgjigj mbrëmë (30 shtator) pyetjeve të gazetarëve, që e prisnin jashtë rezidencës së Castel Gandolfo-s, ku e kaloi ditën e ku u kthye edhe sot pasdite (1 tetor), për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare, organizuar nga Lëvizja “Laudato sì” për çështjen e ndryshimeve klimatike. Leoni XIV komentoi planin me njëzet pika për Gazën të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, paraqitur me miratimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. “Deri tani duket një propozim realist”, nënvizoi ai, duke vënë në pah se "ka elemente shumë interesante". "Shpresojmë që Hamasi ta pranojë brenda kohës së caktuar”, uroi Ati i Shenjtë.

Respekt për njerëzit

Lidhur me situatën e Flotiljes, që po i afrohet Gazës për të ofruar ndihmë humanitare, në një atmosferë tensioni të vazhdueshëm, Papa komentoi se "vihet re dëshira e qartë për t'iu përgjigjur një emergjence të vërtetë humanitare". Leoni XIV shpreson se "nuk do të ketë dhunë dhe se njerëzit do të respektohen".

Duhet të punojmë për paqen

Pastaj, çështja e takimit, të kërkuar nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, me të gjithë gjeneralët në gatishmëri për luftë, madje të gatshëm për të përdorur armë bërthamore. "Kjo mënyrë të foluri", komentoi Papa, "është shqetësuese", sepse tregon se po shkallëzohen tensionet. Lidhur me vendimin e presidentit të SHBA-së, Trump, për ta ndryshuar emrin e Departamentit nga "i Mbrojtjes" në "i Luftës", Leoni XIV vërejti: "Të shpresojmë se është vetëm një mënyrë të foluri"; sigurisht që tregon një stil qeverisjeje, i cili "përdor forcën për të ushtruar presion. Shpresojmë të funksionojë, por të mos ketë luftë; ne duhet të punojmë për paqen".

01 tetor 2025, 09:16