Kërko

2025.10.03 Guardie Svizzere Pontificie in occasione della cerimonia del Giuramento

Papa, Rojeve Zvicerane: jini mesazh uniteti për Kurien Romake

Me rastin e betimit të rekrutëve, Leoni XIV pret në audiencë gardën e lashtë ushtarake, duke falënderuar për përkushtimin dhe angazhimin, që e dallon shërbimin e saj. "Secili mund të jetë model për të tjerët me fjalët dhe sjelljen, me bamirësinë dhe me fenë e tij", pohon Papa, i cili i fton rekrutët e rinj të shkojnë "në shkollën e Krishtit të përvuajtur dhe të bindur", të jenë "misionarë të shpresës" dhe "të kontribuojnë së bashku në qytetërimin e dashurisë"

R.SH. – Vatikan

 Një “shërbim besnik” i kryer “me vetëmohim dhe zell të madh”, falë të cilit “Pasardhësi i Pjetrit mund ta plotësojë misionin e tij në shërbim të Kishës dhe të botës”, pasi mund të rrijë i qetë se dikush kujdeset për “sigurinë e tij”. Me këto fjalë, Leoni XIV vlerësoi punën e përditshme të Rojes Papnore Zvicerane, të cilën e priti në audiencë sot paradite, më 3 tetor, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, me rastin e betimit të rekrutëve të rinj. Ai i falënderoi për “përkushtimin” dhe “angazhimin” e tyre.

Krijimi i lidhjeve të miqësisë

Në fjalimin e tij, Papa theksoi prejardhjen e rojeve nga rajone të ndryshme të Zvicrës, duke i nxitur të formojnë “një gardë të bashkuar, me lidhje të forta dhe të shëndetshme miqësie", sepse "të vetëm" nuk mund të realizohen plotësisht në jetë. "Kemi nevojë për njëri-tjetrin për të mësuar, për të përparuar, për të shërbyer në një botë gjithnjë e më të tunduar nga përçarja dhe izolimi", vërejti Leoni XIV.

“Mirësia, ndershmëria, solidariteti dhe respekti i ndërsjellë janë shtyllat mbi të cilat mund të ngrihet një jetë e harmonishme. Secili mund të jetë model për tjetrin me fjalët dhe sjelljen, me bamirësinë dhe fenë e tij. E ju mund të jeni mesazh uniteti për gjithë Kurien Romake”.

  (@Vatican Media)

Në shkollën e Krishtit

Papa i ftoi rojet e reja zvicerane të zbulojnë "Romën, me thesaret dhe pasuritë e saj", pasi kryeqyteti italian "ofron një udhëtim të paharrueshëm në historinë, jo vetëm të arteve, por sidomos në atë të fesë së krishterë". Ati i Shenjtë i nxiti më pas të kujdesen për jetën e tyre shpirtërore e t’i thellojnë marrëdhëniet me Zotin.

“Me betimin e sotëm, të dashur rekrutë të rinj, sot hyni në një fazë të re të jetës. Ju inkurajoj ta jetoni këtë mision me bindje, duke shkuar në shkollën e Krishtit të përvuajtur e të bindur”.

  (@Vatican Media)

Guximi për të kontribuar në Qytetërimin e Dashurisë

Duke pasur parasysh të ardhmen e rekrutëve, Leoni XIV vërejti se disa do të kthehen "në atdheun e tyre pasi të kenë kryer një shërbim të mirë e besnik ndaj Selisë së Shenjtë", disa do të vazhdojnë studimet, disa do të hyjnë "në botën e punës", "disa, ndoshta, do të ndiejnë thirrjen për meshtar" dhe të tjerë ka të ngjarë të "nisen për të zbuluar botën para se të marrin vendime përfundimtare". Papa i këshilloi t’i kujtojnë vitet e kaluara në Romë si ndihmë për t’i "përballuar ndryshimet me besim dhe me vështrimin universal tipik të të krishterit", duke mbajtur qëndrime të pjekura para "sfidave" me të cilat përballet brezi aktual: "çështjet mjedisore, ndryshimet ekonomike, tensionet sociale, revolucioni dixhital, inteligjenca artificiale dhe realitete të tjera të ndërlikuara, që kërkojnë aftësi kritike dhe ndjenjë përgjegjësie".

“Mbi të gjitha, ju nxis t’i qëndroni besnikë Ungjillit dhe vlerave themelore të fesë, të cilat ju bëjnë të krishterë të pagëzuar, të bindur për zgjedhjet tuaja. Në këtë Vit Shenjt, qofshi, me dëshminë tuaj të thjeshtë, misionarë shprese për njerëzit që takoni. Flaka e shpresës ndriçoftë jetën tuaj dhe ju dhëntë guximin për të kontribuar së bashku në qytetërimin e dashurisë”.

Së fundi, Papa e siguroi Rojen Papnore Zvicerane për lutjet e tij, duke ia besuar Virgjërës Shenjte dhe mbrojtjes së pajtorëve të saj, Shën Martinit e Shën Sebastianit.

03 tetor 2025, 12:21