Kërko

Leoni XIV me pjesëmarrësit e Takimit të Studimeve mbi Kardinalin Rafael Merry del Val (@VATICAN MEDIA) Leoni XIV me pjesëmarrësit e Takimit të Studimeve mbi Kardinalin Rafael Merry del Val (@VATICAN MEDIA)

Papa u bën thirrje diplomatëve të Vatikanit që, me përvujtëri, ta lënë Krishtin të shkëlqejë

Papa Leoni XIV reflekton mbi trashëgiminë e kardinalit Rafael Merry del Val, duke theksuar se diplomati i Vatikanit u shërbeu me përvujtëri Papëve në fillim të shekullit XX, edhe në çështje delikate. Ati i Shenjtë u takua me një grup të lidhur me kardinalin e ndjerë, në 160-vjetorin e lindjes së tij

R.SH. – Vatikan

Në 160-vjetorin e lindjes së Shërbëtorit të Zotit Rafael Merry del Val, Papa Leoni XIV u takua me një grup të lidhur me kardinalin e ndjerë, i cili lindi në vitin 1865 në Londër. Ati i Shenjtë reflektoi gjatë mbi misionin dhe trashëgiminë e prelatit, duke e quajtur atë "mjet të bindur në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë, gjatë një kohe të shënuar nga sfida të mëdha". Kardinali, për të cilin procesi i lumnimit është hapur në vitin 1953, pati një baba diplomat spanjoll dhe një nënë angleze, prandaj, u rrit në një atmosferë universaliteti, të cilën më vonë do ta përdorte në shërbimin e tij në Kishë.

Kardinali dhe misioni në formimin e diplomatëve të Vatikanit

Ishte Papa Leoni XIII, që e dërgoi në Kanada si Legatin e tij Apostolik për të çuar përpara edukimin katolik, pasi studioi në Akademinë Kishtare Papnore. Më vonë, vetë Mery Del Val e drejtoi Akademinë, e cila aktualisht po feston 325-vjetorin e saj, gjithnjë duke vazhduar misionin e formimit të diplomatëve të Vatikanit, pra, të nuncëve apostolikë e të punonjësve të ambasadave të Selisë së Shenjtë kudo në botë.

"Atje, ai arriti të kuptonte - dhe të transmetonte me shembullin e tij - se diplomacia e Kishës lulëzon kur jetohet me besnikëri meshtarake, nga një zemër që ia ofron talentet Krishtit dhe misionit, që i është besuar Pasardhësit të Shën Pjetrit", vërejti Papa.

  (@Vatican Media)

Figurë e diplomacisë papnore të shekullit XX

Në moshën 38 vjeçare, Papa shenjt Piu X e krijoi kardinal dhe e emëroi Sekretar të Shtetit të Vatikanit.

“Ajo që pasoi”, nënvizoi Leoni XIV, “ishte një rrugë besnikërie, diskrecioni dhe përkushtimi, që e bëri atë një nga figurat më të rëndësishme në diplomacinë papnore të shekullit XX”.

Litaninë e Përvujtërisë

Pavarësisht se Sekretar i Shtetit të Vatikanit, kardinali Merry del Val iu kushtua edhe punës me fëmijët dhe të rinjtë e lagjes Trastevere të Romës dhe u bë i njohur si atë dhe mik për ata, të cilëve u bënte katekizmin dhe i shoqëronte shpirtërisht. Papa Leoni XIV reflektoi mbi të ashtuquajturat “Litaninë e Përvujtërisë” së prelatit, të cilat, sipas tij, përvijojnë një model për diplomatët e Selisë së Shenjtë.

“Nga dëshira për të qenë i lëvduar… më çliro, o Jezus! Nga dëshira për të qenë i konsultuar… më çliro, o Jezus! Nga frika se mos përulem… më çliro, o Jezus! Nga dëshira për t’u pranuar me çdo kusht… më çliro, o Jezus!”

  (@Vatican Media)

Që e vërteta e Krishtit të flasë

Papa i vlerësoi këto shprehje të dëshirës për ta vënë shërbimin në Kishë mbi përfitimin personal, duke pohuar se kardinali dinte si të tërhiqej pas mandatit të tij si Sekretar i Shtetit, në mënyrë që ta vinte shërbesën e Pjetrit në vend të parë, përtej të gjitha interesave personale.

“Ai që i shërben Kishës nuk kërkon që zëri i tij të mbizotërojë, por që e vërteta e Krishtit të flasë”, nënvizoi Ati i Shenjtë. “Dhe në atë hap mbrapa, ai zbuloi lirinë e shërbëtorit të vërtetë”.

“Që të tjerët të bëhen më të shenjtë se unë”

Papa Leoni XIV kujtoi dy fraza të shkurtra, që karakterizonin jetën e kardinalit Merry del Val: moton ipeshkvnore - “Më jepni shpirtra; merrni gjithçka tjetër” - të gdhendur në varrin e tij, i cili ndodhet në kriptën e Bazilikës së Shën Pjetrit, një lutje e thjeshtë, që dëshmon se nuk deshi “as nderime, as tituj, as biografi – është vetëm britma e zemrës së një bariu”; si edhe, frazën e dytë, marrë nga Litanitë e kardinalit, “Që të tjerët të bëhen më të shenjtë se unë, me kusht që unë të bëhem aq i shenjtë sa duhet”. Kardinali Merry del Val e dinte, përfundoi Papa Leoni XIV, se shenjtëria nuk matet nga krahasimet, por nga bashkimi.

“Virgjëra Mari, të cilën Rafael Merry del Val e donte me përkushtimin e një biri të devotshëm, u mësoftë familjeve tona, diplomatëve të Selisë së Shenjtë dhe të gjithë atyre, që i shërbejnë Kishës, të bashkojnë të vërtetën me bamirësinë, maturinë me guximin, shërbimin me përvujtërinë, në mënyrë që në të gjitha gjërat vetëm Krishti të shkëlqejë”.

13 tetor 2025, 13:32