Papa: të çlirohemi nga urrejtja e paragjykimet, fetë të zgjojnë ndjenjën e humanitetit
R.SH. – Vatikan
Papa Leoni XIV përshëndet "me gëzim dhe mirënjohje të thellë" krerët dhe përfaqësuesit e feve të botës të mbledhur, sot pasdite vonë, më 28 tetor, së bashku me anëtarët e trupit diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë në Sallën Pali VI, në Vatikan, për të përkujtuar, me ngjarjen "Duke ecur së bashku në shpresë", gjashtëdhjetëvjetorin e Deklaratës së Koncilit të Dytë të Vatikanit ‘Nostra Aetate’ mbi marrëdhëniet e Kishës katolike me fetë jo të krishtera. I pritur me duartrokitje, Ati i Shenjtë Leoni XIV e fillon fjalimin e tij menjëherë pas thekson "miqësinë" dhe "vlerësimin për Kishën Katolike" që liderët e ndryshëm fetarë kanë shfaqur "në mënyrë të veçantë në kohën e sëmundjes dhe vdekjes së Papës Françesku" dhe më pas në momentin e zgjedhjes së tij në katedrën e Pjetrit dhe me praninë në Meshën e fillimit të papnisë. "Gjeste" që "dëshmojnë lidhjen e thellë dhe të qëndrueshme" ndërmjet Kishës Katolike dhe feve të tjera. Lidhje të ushqyera nga dokumenti Nostra Aetate, mesazhi i të cilit për Papën mbetet "shumë i rëndësishëm edhe sot". Një dokument që ka "mbjellë një farë shprese për dialogun ndërfetar", e cila është rritur ndër vite dhe sot është një "pemë madhështore" nga e cila kanë dalë "fryte të pasura të mirëkuptimit reciprok, miqësisë, bashkëpunimit dhe paqes".
Në fjalimin e tij, Papa Leoni kujtoi në disa pika aktualitetin e dokumentit: "Së pari, Nostra Aetate na kujton se njerëzimi po konvergojnë gjithnjë e më shumë, dhe se është detyrë e Kishës të promovojë unitetin dhe dashurinë midis burrave e grave, dhe midis kombeve. Së dyti, tregon atë që të gjithë bashkëndajmë. Ne i përkasim një familjeje të vetme njerëzore — një në origjinë dhe një edhe në qëllimin tonë të fundit. Për më tepër, çdo person kërkon përgjigje për enigmat e mëdha të gjendjes njerëzore. Së treti, fetë në mbarë botën kërkojnë t'i përgjigjen shqetësimit të zemrës njerëzore. Secila, në mënyrën e vet, ofron mësime, mënyra jetese dhe rite të shenjta që ndihmojnë në udhëheqjen e besimtarëve të tyre drejt paqes dhe kuptimit të jetës. Së katërti, Kisha Katolike nuk refuzon asgjë nga ajo që është e vërtetë dhe e shenjtë në këto fe, të cilat "pasqyrojnë një rreze të asaj të vërtete që ndriçon të gjithë njerëzit". Ajo i konsideron ato me respekt të sinqertë dhe i fton bijtë dhe bijat e saj, përmes dialogut dhe bashkëpunimit, të njohin, ruajnë dhe promovojnë atë që është shpirtërisht, moralisht dhe kulturalisht e mirë në të gjithë popujt".
Më pas Papa theksoi, duke gjurmuar historinë e dokumentit Nostra Aetate, se "për herë të parë në historinë e Kishës, kemi një tekst doktrinor me një bazë shprehimisht teologjike që ilustron rrënjët hebraike të Krishterimit në një mënyrë biblikisht të bazuar". Dhe "dialogu nuk është një taktikë apo një mjet, por një mënyrë jetese, një udhëtim i zemrës që transformon të gjithë protagonistët e tij, atë që dëgjon dhe atë që flet. Për më tepër, ne e bëjmë këtë udhëtim jo duke braktisur besimin tonë, por duke qëndruar fort brenda tij". Dhe shton: "në këtë moment vendimtar të historisë, na është besuar një mision i madh: të zgjojmë tek të gjithë burrat dhe gratë ndjenjën e tyre të humanitetit dhe të shenjtërisë".
Si udhëheqës fetarë "përgjegjësia jonë e madhe është për të sjellë shpresë në një njerëzim që shpesh tundohet e pushtohet nga dëshpërimi. Kujtojmë se lutja ka fuqinë t’i transformojë zemrat tona, fjalët tona, veprimet tona dhe botën tonë. Ajo na rinovon nga brenda, duke ndezur sërish në ne frymën e shpresës dhe të dashurisë". "Paqja zbritë mbi ne dhe i mbushët zemrat tona". Me këto fjalë Papa Leoni XIV e përfundoi fjalimin e tij, në anglisht, në Sallën Pali VI, në përkujtimin e 60-vjetorit të dokumentit Nostra Aetate, dhe ftoi të pranishmit "të ndalen së bashku për një moment në lutje të heshtur".
