Papa: të mos rrimë duarkryq para të vuajturve. Përgjigje globale për migrantët dhe refugjatët
R. SH. – Vatikan
"Të palëvizshëm, të heshtur dhe ndoshta të trishtuar" përballë vuajtjeve të të pafajshmëve, duke besuar se "tashmë s’bëjmë më dot asgjë". Ky është "globalizimi i pafuqisë", një qëndrim po aq i rrezikshëm sa "globalizimi i indiferencës". Papa Leoni XIV përmendi shprehjen e dikurshme të Papës Françesku, tashmë, e ngulitur në imagjinatën kolektive, për ta vënë në antitezë me këtë shprehje të re, të cilën e përdori në videomesazhin për Lampedusën, më 12 shtator. Qëllimi është të paralajmërojë rrezikun e mundshëm për dorëheqje e mosveprim, pasi mësohemi me vuajtjet e të tjerëve, duke hequr dorë nga lehtësimi i tyre. Por, nënvizon Papa, duke pasur parasysh rreth 100 milionë njerëz të prekur nga migrimi dhe zhvendosja, kjo është diçka që absolutisht nuk mund ta lejojmë.
Leoni XIV foli para pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare "Refugjatët dhe Migrantët në shtëpinë tonë të përbashkët", organizuar nga Universiteti Villanova (i njëjti universitet, që pati ndjekur edhe vetë Robert Francis Prevost). Konferenca bashkon përfaqësues të universiteteve, OJQ-ve dhe partnerë të bashkësisë ndërkombëtare në Augustinianum, në ditët para Jubileut të Botës Misionare dhe atij të Migrantëve, për të ideuar plane veprimi, që u japin përgjigje shkaqeve strukturore të migrimit.
Ftesa e Papës Françesku
Pasi falënderoi organizatorët, Papa nënvizoi se kontributi i tyre do të shtrihet në një projekt trevjeçar të përqendruar në katër shtylla themelore: "Mësimdhënia, puna kërkimore, shërbimi dhe mbështetja".
“Në këtë mënyrë, ju pranoni ftesën e Papës Françesku drejtuar bashkësive akademike për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të vëllezërve dhe motrave tona të zhvendosura, duke u përqendruar në fushat tuaja të kompetencës”.
Dinjiteti njerëzor gjithmonë në qendër
Këto shtylla janë pjesë e të njëjtit mision: "Të bashkohen zërat më me autoritet nga fusha të ndryshme për t'iu përgjigjur sfidave aktuale urgjente të paraqitura nga numri në rritje i njerëzve - aktualisht i vlerësuar në mbi 100 milionë - të prekur nga migrimi dhe zhvendosja", theksoi Papa Leoni XIV. Ipeshkvi i Romës identifikoi dy tema për veprim: pajtimin dhe shpresën. Pajtim, sepse "një nga pengesat që shpesh lindin kur përballemi me vështirësi të këtyre përmasave është qëndrimi indiferent nga ana e institucioneve dhe individëve".
“Paraardhësi im i nderuar foli për "globalizimin e indiferencës", kur mësohemi me vuajtjet e të tjerëve dhe nuk përpiqemi më t’i lehtësojmë ato. Kjo mund të çojë në atë, që e kam quajtur "globalizimi i pafuqisë", kur ka rrezik të bëhemi të palëvizshëm, të heshtur dhe, ndoshta, të trishtuar, duke menduar se nuk mund të bëjmë më asgjë para vuajtjeve të të pafajshmëve”.
Jo "globalizimit të pafuqisë"
Ashtu si Papa Françesku foli për "kulturën e takimit" si ilaç kundër globalizimit të indiferencës, ashtu edhe Papa Leoni XIV u kërkoi të gjithëve të impenjohen “për t'iu përgjigjur globalizimit të pafuqisë, duke promovuar një kulturë pajtimi".
“Duhet të takohemi, duke i mjekuar plagët tona, duke e falur njëri-tjetrin për të keqen që kemi bërë e, edhe për atë, që nuk e kemi bërë, por që ia bartim pasojat. Kjo kërkon durim, gatishmëri për të dëgjuar, aftësi për ta ndierë në shpirt dhimbjen e të tjerëve, duke pranuar se kemi të njëjtat ëndrra dhe shpresa”.
Dëshmitarë të privilegjuar të shpresës
Papa i inkurajon pjesëmarrësit në konferencë, por edhe gjithë njerëzit vullnetmirë, të propozojnë gjeste dhe politika pajtimi, veçanërisht në vendet me plagë të thella, të shkaktuara nga konflikte të gjata. Kjo kërkon mendje e zemër, por edhe të mbahet parasysh se vetë "migrantët dhe refugjatët mund të jenë dëshmitarë të privilegjuar të shpresës përmes qëndrueshmërisë dhe besimit të tyre në Zot", prandaj, duhen përfshirë në planet për veprim.
“Ata shpesh e ruajnë forcën e tyre ndërsa kërkojnë një të ardhme më të mirë, pavarësisht nga pengesat që hasin”.
